Regjistrohen 516 biznese që rriten çmimet, ATK paralajmëron dënime

Administrata Tatimore e Kosovës pas vizitave në terren ka thënë se një numër i konsiderueshëm i bizneseve kanë rritur çmimet e produkteve bazike.

ATK-ja deri më tani ka trajtuar 516 raste të raportuara nga qytetarët edhe pse thirrjet e tyre kanë 1809, por qytetarë të ndryshëm kanë raportuar për biznes të njëjtë, njofton Klan Kosova.

“Pas rreth 1, 809 thirrjeve të pranuara nga qytetarët për rritje të çmimeve nga bizneset, inspektorët tatimor deri më tani kanë trajtuar 516 raste të raportuara. Duhet potencuar se diferenca mes numrit të raportimeve dhe numrit të rasteve të trajtuara- është pasi që përmes linjave të hapura telefonike në të shumtën e rasteve, për një biznes të njëjtë është raportuar dhjetëra herë”.

ATK paralajmëron masa ligjore ndaj bizneseve që shfrytëzojnë situatën për rritje çmimesh.

“Si rezultat i vizitave në terren, është konstatuar se një numër i konsiderueshëm i bizneseve kanë rritur çmimet e produkteve bazike ushqimore, si dhe atyre farmaceotike, andaj ATK në bashkëpunim me organet kompetente, duke përfshirë këtu Inspektoriatin

Tregut, Prokurorinë dhe Policinë, bazuar në raportet e inspektorëve tatimorë do të ndërmarrë veprime ligjore”.

Denoncimet e këtyre rasteve, kanë qenë kryesisht për produkte bazike ushqimore dhe farmaceotike, si:

-ushqimore: miell, vaj, sheqer;
-farmaceotike: maska mbrojtëse, dezinfektues, alkool, si dhe sirup për fëmijë, Vitamin C.

Administrata Tatimore e Kosovës tha se menjëherë pas vendimit të Ministrisë së Financave dhe Transfereve, ka organizuar edhe ekipet përgjegjëse, të cilat do të menaxhojnë më situatën e krijuar nga coronavirusi (COVID-19).

Po ashtu, ATK fton të gjithë qytetarët që të raportojnë në këto dy linja telefonike: 0800 80 800 e cila është pa-pagesë dhe 038 222 165 e cila aktualisht është me pagesë, për të cilën ATK është duke komunikuar me Telekomin që të mundësohet heqja e tarifës deri në tejkalimin e kësaj situate.

Këto dy linja do të jenë të hapura çdo ditë për raportim nga ora 08:00 deri në orën 22:00.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE