Reportazh nga Klinika Infektive: Koronavirusi, tmerri që po e injorojmë

Marsi ishte muaji kur Kosova regjistroi rastet e para me pandeminë që ka përfshirë gjithë globin, Covid 19.

Megjithatë, përkundër rasteve kur cilësohej edhe piku i pandemisë, egzistonte shpresa se kjo do të përfundonte me ardhjen e temperaturave të larta.

Qershori ishte muaji i ‘shpresës’, se  trendi i rritjes së numrit të të infektuarëve do të rezultonte me rënie, por kjo nuk ndodhi.

Gjendja me pandeminë në vend sa vjen e po rëndohet, qysh nga fillimi i muajit qershor, dhe si e tillë po vazhdon, duke theksuar faktin se po në këtë muaj u lehtësuan të gjitha masat për parandalimin e këtij virusi.

Si pasojë gjendja në klinikën Infektive të QKU-së, është në gjendje kritike, si me resurset humane ashtu edhe me kapacitetet mjekësore maksimale.

Me rreth 150 pacientë të shtrirë ku prej tyre 65 në oksigjeno-terapi, 6 nën përkujdesjen intensive me gjendje shumë të rënduar dhe 4 në gjendje kritike, infektologu Valbon Krasniqi thotë se situata sa vjen e bëhet më alarmante.

“Gjendja me pandemine po rëndohet çdo dite e me tepër sidomos nga fillimi qershori e tutje ka pasur një numer I madh I rasteve të reja dhe kjo është pasqyruar me një numër të madh që kanë kërku trajtim spitalor. Sot kemi kemi rreth 140 pacientë të shtrirë , gjendja shëndetësore e shumicës së tyre është mjaftë e rënduar, 65 I kemi me oksigjeno-terapi ndërkaq 6 prej tyre janë në përkujdesje intensive ku 4 nga ta janë në gjendje kritike”.

Në moshat nga më të ndryshmet, pacientët e shtrirë në këto dhoma të klinikës, ballafaqohen me të vërteten e dhimbshme të këtij virusi…

Image

Kjo ishte dhoma e vetme bosh e cila po përgaditej për të sjellur pacientë të rinj.

Në secilën dhomë, gjendeshin nga dy shtretër ku janë stërmbushur nga persona të infektuar me këtë sëmundje.

E mesazhi i tyre në kushte anonime për Syri.net Kosova, ishte po i njëjti me rekomandimet e IKSHPK-së : Qëndroni në shtëpi, bartni maskat e ruani distancën fizike.

“Koronavirusi ma ka përkeqësu gjendjen shumë, kom vështirësi sidomos në frymëmarrje, besoni se koronavirusi egziston, s’osht rrenë. Mbani maskat e mos dilni pa nevojë ju qa jeni shnosh”, tha një paciente e moshuar.

Pothuajse të njëjtin apel e kanë edhe familjarët e të infektuarëve.

“Tu e pa gjendjen e familjarëve tonë në infektivë, është shumë tmerruse, unë i kisha apelu krejt njerëzimin që mos me marr hajgare këtë punë, se ky virus është shume i rrezikshem. Unë e kam baben edhe nanën ktu, edhe jon n’gjendje shumë të rëndë. Kuptojeni niher e mirë që koronavirusi egziston edhe është në mesin tonë, kujdesuni sidomos për familjart e moshun”, shprehet një familjar.

E përmes këtyre koridoreve, ekipa e infektologëve dhe infermierëve kryejnë punën heroike , kontrollet dhe trajtimin me përkushtimin më të madh ndaj pacientëve të shtrirë.

Image

Pikërisht kjo gjendje ka bërë që të aktivizohet edhe plani B, për reagimin ndaj kësaj pandemie.

“Qysh në fillim kemi pas planin për përgjigje dhe reagimin ndaj kësaj pandemie, dhe tani jemi detyruar të aktivizojmë edhe planin B pas mbushjes së kapaciteteve të klinikës Infektive kemi vënë në dispozicion edhe klinikën e pulmologjisë dhe dermatologjisë, ku I kemi bërë thirrje edhe spitaleve regjionale aty ku ka mundësi kushte dhe kapacitete sidomos resurse humane që të fillojnë të ndalin pacientët me gjendje të lehtë, kurse ata në gjendje më të rëndë të qëndrojnë në klinikën Infektive. Krahas spitalit të Gjakovës kemi infortmatat që edhe spitalet tjera kanë filluar të përgaditen dhe të fillojnë t ë trajtojn rastet sepse kemi një numër të madh të të infektuarëe”, shprehet infektologu Krasniqi.

Krasniqi në një intervistë për Syri.net Kosova, thotë se nëse vazhdohet ky trend, atëherë do të detyrohen të shfrytëzojnë edhe klinikat e tjera të QKU-së.

Sipas tij, ky virus qysh në fillim erdhi me shumë të panjohura, dhe si i tillë po vazhdon, ai thotë se duhet të presim edhe disa ditë për të parë nëse temperaturat e larta ndikojnë në rënien e infeksioneve.

“Që nga fillimi pandemisë ky virus ka ardhë me shumë të panjohura, në tërësi në shkencë njihet që virusët e tillë ciklin biologjik e kanë që filojnë në vjeshtë dhe përfundojnë në fillimin e verës apo pranverën e vonshme, edhe ne në fillim e kemi pas atë bindje në fillim të pandemisë, mirëpo sic duket ky ka disa veti tjera që arrin të mbijetojë në temp. të larta, ne ende nuk e dim se si do të sillemi gjatë muajve të ardhshëm ne vec kemi hyrë në muajt e nxehtë, dhe këto infektime janë si rezultat I infektimeve të para 10 ditë apo dy jave, dhe ende duhet të presim disa ditë për të parë të shohim nëse eventualisht do të ndikojnë temperaturat”.

Krasniqi edhe njëherë përmes Syri.net Kosova apeloi tek qytetarët që të respektojnë udhëzimet e IKSHPK-së për mbrojtjen nga ky virus, teksa theksoi se rastet e kontakteve që nuk kanë simptoma nuk testohen përveç atyre që manifestojnë simptome të këtij virusi.

Sidoqoftë, në hapësirat e jashtme të Infektivës vërehej një heshtje që në thelb ka seriozitetin me të cilin duhet t’i qasemi dhe ta trajtojmë koronavirusin.

Duke e ditur që një kohë do të bashkëjetojmë me këtë virus, mesazhi i vetëm mbetet përkushtimi maksimal i mbrojtjes dhe parandalimit të pandemisë COVID 19.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se deri tani numri total i rasteve pozitive është 2,991 raste nga 24,046 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 54 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE