Revolja nuk ishte e djalit të Shpend Maxhunit

Policia e Kosovës ka dërguar për media një sqarim, në të cilin thotë se revolja e gjetur në veturën e të atit të shefit të AKI-së, Shpend Maxhuni, nuk është e djalit të këtij fundit, por se “si rezultat i vazhdimit të hetimeve, nga njësitet policore është intervistuar edhe personi i katërt i dyshuari (R. M.), i cili ka deklaruar se arma është e tij dhe se i njëjti e ka harruar në veturën e apostrofuar dhe se nuk i përket të dyshuarit (Sh. M)”.

Në sqarimin për media, Policia nuk e përmend faktin që revolja është gjetur në xhaketën e Sh. Maxhunit, djalit të shefit të AKI-së. “Gazeta Blic” në shkrimin e sotëm ka treguar këtë fakt, dhe për këtë posedon edhe një raport policor ku potencohet se “gjatë kontrollimit, te perosnave që ishin në veturë, tek i dyshuari shpetim Maxhuni dtl. 05.08.1998 kanë gjetur një revole të llojit “Zastava” me nr serik ET-971053, me një karikator dhe katër fishekë cal. 6.35 mm si dhe një thikë POHL-FORCE“

Sidoqoftë, Policia e Kosovës (PK), thotë se duke qenë institucion i zbatimit të ligjit dhe në të gjitha rastet vepron konform autorizimeve ligjore që ka, duke përfshirë konsultimin dhe koordinimin me organet e drejtësisë, njësoj siç ka vepruar edhe në rastin konkret të datës 12.10.2018 të cilësuar “Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim i paautorizuar i armës (municionit)”.

“Siç u potencua me datë 12.10.2018, njësia policore gjatë patrullimit rutinor në fshatin Zllatar, kishte ndaluar veturën Golf IV me targa vendore, ku gjatë kontrollimit të tre personave që gjendeshin në veturë, duke përfshirë të apostrofuarin në media (Sh.M), ishte gjetur një revole e llojit ‘Zastava’, me një karikator dhe katër fishek të kalibrit 6.35 mm. Gjatë vazhdimit të kontrollit të automjetit, në një pjesë të veturës është gjetur një thikë, si dhe një cigare e mbështjellë e cila dyshohej të jetë substancë narkotike, një mulli i bluarjes grinder ndaj të cilave janë duke u kryer hetime”, thuhet në reagimin e PK-së.




Sipas këtij sqarimi, personi i dyshuar (A. K.), i cili ka qenë në veturë ka deklaruar se cigarja e mbështjellë e gjetur brenda në veturë, si dhe mulliri i bluarjes grinder i përkasin atij.

“Si rezultat i vazhdimit të hetimeve, nga njësitet policore është intervistuar edhe personi i katërt i dyshuari ( R. M), i cili ka deklaruar se arma është e tij dhe se i njëjti e ka harruar në veturën e apostrofuar dhe se nuk i përket të dyshuarit (Sh. M). Lidhur me të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori kompetent, me rekomandim të të cilit rasti është proceduar në procedurë të rregullt. Andaj ritheksojmë se PK-ja është institucion i zbatimit të ligjit dhe mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, duke përfshirë angazhimet e saja profesionale edhe në rastin konkret, për të cilin ka ngrit kallëzim penal”, thuhet në fund të njoftimit./Gazeta Blic/

SHPËRNDAJE