Rexhep Qosja: Mandati im si president është i përjetshëm, LDK ka njerëz me mandate katër vjeçare

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, kanë ‘ngrirë’ negociatat për koalicion në momentin kur pjesë e pazarit politik është bërë posti i Presidentit dhe siç është raportuar, ministri të caktuara. VV nuk do që kjo pozitë të diskutohet tash kurse LDK e dëshiron të kundërtën, pra, që kjo pozitë të ‘definohet’ tash. Ideja e LDK-së është që Presidenti t’i takojë kësaj partie, kurse Vetëvendosje e do një ‘figurë unifikuese’ në këtë post.

Ndër emrat e përfolur, është edhe akademik Rexhep Qosja, figurë e cila mund të jetë ‘unifikuese’ në ‘botëkuptimin’ e VV-së, por jo në atë të LDK-së. Për këtë, akademik Qosja, ka dhënë një deklaratë të shkurtër.

Periskopi kishte raportuar qysh në muajin korrik se plani i Lidhjes Demokratike të Kosovës ishte të merrte postin e Presidentit të shtetit dhe Vetëvendosje (Albin Kurti), ta merrte postin e Kryeministrit.

Pas zgjedhjeve të 6 tetorit, gjërat ashtu ndodhën. Nga takimet në nivele të grupeve punuese ku janë diskutuar çështjet programore, dy partitë, LDK dhe VV, kaluan në diskutime të ‘niveleve më të larta’, përkatësisht udhëheqësit e të dy partive, Mustafa e Kurti.

Por për Vetëvendosjen po del problematike diskutimi i postit të Presidentit në këto rrethana ndërkaq pikërisht këtë diskutim, po e lyp Lidhja Demokratike, tani përjashtuar Vjosa Osmanin, kandidaten për kryeministre të LDK-së e cila kishte deklaruar se ‘posti i Presidentit nuk do të duhej të ishte pjesë e pazareve politike’.

I përfolur së fundmi si emër për postin e Presidentit, akademik Rexhep Qosja, në një deklaratë për Periskopin, ka thënë se ‘nuk është njeri i mandateve’. Ka thënë fjalë të mira për Vetëvendosjen, por e ka porositur Periskopin, që ta lajmërojmë LDK-në se ‘veç kjo parti ka njerëz me mandate 4 vjeçare’.

“Shkoni pyetni në Vetëvendosje, pse po më pyetni mua. Unë edhe para disa vitesh e kam thënë një mendim, megjithëse Vetëvendosje është një cilësi, një kualitet i veçantë ndër partitë politike të Kosovës, në përgjithësi sot. Pra Vetëvendosje është një kualitet i veçantë, në përbërjen e vetë, me anëtarët e vetë, në politikën e vetë.

Por unë po e përsëris atë përgjigjen që e kam dhënë atëherë. Unë jam krijues, me mandat të përjetshëm. Nuk jam njeri me mandate katër vjeçare apo pesë vjeçare. Mandati im në historinë e popullit shqiptar është i përjetshëm kurse mandatet e njerëzve të politikës janë të përkohshme. Katër vjeçare, pesë vjeçare, etj etj.

Po atyre të LDK’së thuajini që ju keni njerëz me mandate katër vjeçare, unë jam njeri me mandate të përjetshëm. Unë po i drejtohem LDK’së, thuajini ju keni njerëz me mandate 4-5 vjeçar. Mandati im është i përjetshëm në historinë shqiptare”, ka thënë Qosja për Periskopin.

SHPËRNDAJE