Rita Ora në koncertin madhështor në Kroaci: Kam lindur jo shumë larg nga këtu, ka këngëtarë shumë të mirë nga vendi im

Ashtu edhe siç ishte paralajmëruar, artistja shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora, ka mbajtur një koncert gjigant në Zarë të Kroacisë.

Performanca e Rita Ore filloi menjëherë pas orës 22:00 në sallën e madhe “Visnjik, ashtu siç ishte njoftuar paraprakisht.

Këngëtarja, e njohur si një nga dhjetë më të famshmet në Britaninë e Madhe, arriti plot energji para publikut, të cilët ishin jo më pak se 5,000 veta.

Mijëra fansa kanë kënduar njëzëri me të hitet më të mëdha të artistes me origjinë nga Kosova, në momentin kur koncerti u ndërpre pak çaste nga problemet teknike dhe ata vazhduan të këndojnë njëzëri, shkruan mediat kroate Jutarnji, transmeton Telegrafi.

“Unë kam qenë në shumë vende të bukura, por ky është një nga më të bukurit. Kroacia është një vend i bukur me njerëz të mrekullueshëm dhe bujarë”, tha Ora para se të ngrinte audiencën në këmbë me frazën e saj: “Kroacia bëni ca zhurmë”.

Rita është mirëpritur në shtetin kroat nga producenti i famshëm vendas, Juraj Zigman , i cili gjithashtu gjatë ditës publikoi në rrjetin social Instagram një fotografi me këngëtaren.

“Unë nuk e di se çfarë të pres, por kjo është një nga shfaqjet e mia më të mira këtë verë . Kam lindur jo shumë larg nga këtu, në qytetin e Prishtinës, një pjesë e familjes sime jeton ende atje. Ka kaq shumë këngëtarë të mirë nga vendi im, dhe kam ardhur këtu, është gjë e bukur të përfaqësosh vendin tënd!”, ishte mesazhi që Ora dërgoi nga skena.

Në fund të mbrëmjes, Rita Ora u mbështjell me një flamur kroat, i cili u përshëndet me duartrokitje nga fansat. Pas saktësisht 60 minutave të koncertit, ajo u largua nga skena.