Rojtarët e demokracisë dhe normat e pashkruara si mbrojtëse të demokracive vs. populizmit

Qoftë mentaliteti abuzues i partive të establishmentit, qoftë populizmi i LV-së funksionojnë brenda një mendësie dhe marrëdhënieve shoqërore të cilat Ukshin Hoti që në fillimin e viteve 90’ i ka quajtur “feudo-klanore”. Kjo mendësi e këto marrëdhënie për bazë kishin favorizimin e të fortëve e të dëgjueshmëve të fshatit (që ai i quante me tallje ‘haxhi babët’) e të llastuarve të qytetit (që i trajtonte si ‘bijtë e tatave’), në dëm të të diturve, talenteve e njerëzve me dinjitet. Dhe përderisa Ukshin Hoti e konsideronte këtë një pengesë të madhe të zhvillimit shoqëror e kombëtar, të cilin partitë politika e shoqëria duhet ta luftojnë, partitë kryesore politike pas çlirimit të Kosovës e bënë krejt të kundërtën. Ato ndërtuan pushtetin e tyre mbi këtë mentalitet, e ushqyen dhe po e ushqejnë dhe e kanë bërë edhe pjesë të jetës institucionale.

1. Demokracitë e reja (e sidomos kjo jona e ndërtuar edhe si produkt i një marrëveshjeje ndërkombëtare), jo rrallë kanë telashe në interpretimet kushtetuese. Mungesa e stabilitetit politik natyrshëm e bën më kompleks krejt procesin dhe shpesh shpërfaqen paqartësi e shumëkuptimësi në çështjen e interpretimit të Kushtetutës. Shpeshherë këto paqartësi në interpretim nuk janë çështje shkolle juridike apo ideologjie politike, por bëhen me qëllim dhe vetëm për interesa të përfitimit politik. Mungesa e stabilitetit bën që palët të ngritin dyshime edhe ndaj institucioneve, si Gjykata Kushtetuese, gjykatat e rregullta apo mekanizmat e tjerë kushtetues, duke bërë përpjekje për t’ua humbur legjitimitetin. Kjo në një spirale të ngjarjeve do të mund të nënkuptonte edhe përpjekje për delegjitimim të të gjitha institucioneve. Deligjitimimi i institucioneve është një metodë tipike e partive populiste dhe zakonisht vjen në shprehje kur ka një humbje të madhe të besimit në ato që njihen si parti të establishmentit dhe në elitat politike që i kontrollojnë këto parti, e të cilat e trajtojnë pushtetin si të krijuar për to. Korrupsioni, nepotizmi, favorizimi i klaneve të caktuara, kryesisht të lidhura me biznese të mëdha shpesh të dyshimta, e rrjedhimisht abuzimi me pushtetin, janë dukuri përcjellëse të këtyre partive dhe elitave që përfaqësojnë ato. Por në nivelin global, e sidomos në Evropë dhe në SHBA, rritjen e populizmit e kanë përshpejtuar kriza ekonomike dhe financiare e pranishme në vendet e zhvilluara që në vitin 2008, krizat me migrantë që po reflektojnë në çështje socio-ekonomike e identitare sidomos të vendeve evropiane dhe SHBA, terrorizmi fundamentalist islamik dhe lufta ndaj tij (shpesh duke u keqpërdorur ashtu që paraqitet si luftë në mes të civilizimeve e feve) të përcjella me luhatjen e besimit në sistemin e vlerave të demokracisë liberale. Në rastin tonë fuqizimit të populizmit i kanë ndihmuar edhe çështjet e pazgjidhura politike me Serbinë, përkatësisht mungesa e një qasjeje serioze të establishmentit politik për zgjidhjen e këtyre çështjeve. Krejt ky kontekst ka bërë që partitë politike në opozitë apo lëvizjet e reja politike, pakënaqësitë reale të qytetarëve të krijuara nga politika jo të duhura që qeverive t’i trajtojnë përmes retorikës populiste. E në natyrën e lëvizjeve populiste dhe politikanëve që përfaqësojnë ato është që për të rritur edhe më tej pakënaqësitë, përveç trajtimit të problematikave reale të shoqërisë, ata i shumëfishojnë ato problematika, e deformojnë realitetin, duke paraqitur çdo gjë zi, përderisa spektri i ngjyrave është pak më i larmishëm (por as i bardhë, si thonë pushtetarët). E ne si shoqëri, së paku prej zgjedhjeve të vitit 2014 jemi futur në spiralen e populizmit, e cila nuk po na lë të marrim frymë. Kulmi i një situate të tillë është kriza politike në krizën e pandemisë.

2. Në krejt këtë katrahurë të deritanishme, ka qenë e rëndësishme se vendimet e Gjykatës Kushtetuese, si një rojtare e demokracisë dhe e sistemit politik e kushtetues, janë respektuar. Sidoqoftë, acarimi politik i viteve të fundit po e rëndon funksionimin e tërë sistemit shtetëror, në kohën kur Kosova nuk e ka luksin e konfrontimeve, por do të duhej edhe për një kohë të operonte mbi bazën e një konsensusi politik e shoqëror. Ky acarim është një thembër Akili për demokracinë tonë. Siç e thonë Steven Levitsky dhe Daniel Ziblat në librin e tyre Si vdesin demokracitë, përveç rojtarëve institucionalë të demokracisë, siç janë Gjykatat Kushtetuese, gjykatat e rregullta, por edhe vetë partitë politike, që të funksionojë një demokraci është e rëndësishme të respektohen edhe normat e pashkruara. Dhe dy prej tyre janë të rëndësishme: toleranca e dyanshme dhe vetëpërmbajtja institucionale. Duke marrë shembullin e SHBA-ve sidomos pas përfundimit të Luftës Civile e përgjatë shekullit XX, ata dëshmojnë se toleranca në mes të partive politike, e cila në fillimet e themelimit të republikës amerikane ka qenë minimale, dhe në periudhën e debatit mbi skllavërinë ka çuar në Luftë Civile, ka bërë që edhe paqartësitë e herëpashershme kushtetuese të kalohen më lehtë, e sidomos kur kundërshtarit politik iu pranua legjitimiteti dhe rotacioni i pushtetit u bë normalitet. Kjo tolerancë politike sipas tyre bëri që edhe institucionet kryesore në vend si presidenti dhe kongresi, jo çdoherë të ushtrojnë tërë gamën e pushteteve të tyre, por të kenë kujdes që këtë pushtet ta ushtrojnë me vetëpërmbajtje. Kjo nënkuptonte që presidenti edhe kur nuk e kishte kongresin në favorin e tij të ishte i kujdesshëm sesi e ushtron pushtetin e tij dhe të përpiqej që të gjente një gjuhë kompromisi me të dhe e anasjellta. Mbi të gjitha, të ishte i kujdesshëm në përdorimin e dekreteve ekzekutive përmes së cilave tejkalohet kongresi. Po ashtu edhe kongresi ishte i kujdesshëm që të mos bllokonte emërimet e presidentit qoftë në qeveri, qoftë në gjykata edhe pse këtë mundësi e kishte realisht. Sipas autorëve, në momentin kur toleranca politike filloi të bjerë, sidomos në dy dekadat e fundit, filloi të prishet kjo baraspeshë dhe çdo herë e më tepër kemi prishje të këtyre rregullave të pashkruara të funksionimit të demokracisë amerikane.

3. Në realitetin tonë, kjo nënkupton se mungesa e tolerancës politike, jo vetëm që mund t’i bëjë më të papërgjegjshme institucionet në ushtrimin e kompetencave të tyre, por që edhe të kemi përpjekje për delegjitimim të institucioneve kushtetuese, si Gjykata Kushtetuese, apo edhe gjykatat e rregullta. “Bejsboll kushtetues” do ta quanin Levitsky dhe Ziblad këtë që po ngjet në mes të presidentit Thaçi dhe kryeministrit Kurti në këta muajt e fundit, e që japin shkëndija të ushtrimit të pushteteve të tyre deri në maksimumet e lejueshme, madje në rastin tonë me rrezik të shkeljeve kushtetuese (një prej veprimeve të qeverisë u rrëzua tanimë nga Gjykata Kushtetuese, një tjetër i presidentit si duket nuk u trajtua si shkelje dhe shumë shpejt do të kemi një tjetër dërgim të presidentit në gjykatë rreth çështjes së dekretimit të mandatarit për një qeveri të re). Pra, edhe në rastin tonë mungesa e tolerancës po i bën institucionet të përdorin në maksimum kompetencat e tyre në luftën me njëra-tjetrën. Rrjedhimisht, kemi paralajmërime implicite nga kryeministri në detyrë, por edhe nga figura afër tij, se vendimet e fundit për formimin e qeverisë, nëse nuk marrin verdiktin e Gjykatës Kushtetuese sipas asaj që ata besojnë se është e drejtë, mund të pasojnë edhe protesta popullore. Përderisa protestat janë një e drejtë legjitime, në kontekstin tonë jepet të kuptohet se protestat do të jenë në funksion të vendosjes në vend të sovranitetit popullor. Rezistenca ndaj një pushteti të ri ekzekutiv, si rezistencë ndaj ‘uzurpatorëve të pushtetit’ po dëgjohet çdoherë e më shpesh nga eksponentë të LV-së. Kjo mund të jetë problematike dhe me elemente të shkaktimit të kaosit dhe të delegjitimimit të përgjithshëm të institucioneve. Dhe përmes një efekti domino e rrit mostolerancën politike. Dhe nuk rrezikon vetëm delegjitimimin e rojtarëve të demokracisë dhe të institucioneve ekzekutive, por mbi të gjitha të vetë rivalëve politikë. Kjo situatë e rrezikon demokracinë tonë të brishtë.

4. Po i kthehemi asaj që u tha në fillim. Në kontekstin tonë politik kemi faktorë krejtësisht origjinalë të cilët nuk janë të pranishëm në kontekstin evropian. Marrëdhëniet me Serbinë, situata në veri, dialogu me Serbinë janë faktorë të cilët determinojnë në masë populizmin në Kosovë. Dhe fatkeqësisht në këto çështje partitë politike populizmin e kanë përdorur zakonisht kur kanë qenë në opozitë: të gjitha, njëra pas tjetrës. Situata e fundit me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nga ana e Serbisë në veri të Kosovës e shpjegon krejt kontekstin. Dhe faktori Serbi ka bërë që populizmi në Kosovë, përveç akuzave të përgjithshme për korrupsion, për hajni e për aubuzim pushteti, të pasurohet edhe me akuzën për tradhti kombëtare dhe për shitje të interesave të atdheut. Me të tilla koncepte delegjitimohen rivalët politikë, e rrjedhimisht edhe institucionet që përfaqësohen nga këta rivalë të kthyer tanimë në armiq të atdheut. Kështu, mungesa e tolerancës politike, mungesa e vetëpërmbajtjes politike, i dobëson rojtarët institucionalë të demokracisë, i rrënon urat e bashkëpunimit dhe e rrezikon demokracinë. Të shpresojmë se forcat politike do të gjejnë forcë e do të kenë vetëdije që garën politike ta zhvillojnë brenda kufijve të pranueshëm, duke mos i rrezikuar fatet e vendit dhe jetët e njerëzve.

5. Nuk ka dyshim se populizmi nuk pik nga qielli. Ai lind dhe rritet në një ambient politik e ekonomik që e favorizon zhvillimin e tij. Siç e thonë shumë autorë, përfshirë edhe Jan – Werner Mullerin në librin e tij “Ç’është popullizmi?”, shpeshherë populistët janë të saktë në kritikat që ua drejtojnë qeverive dhe elitave politike. Por, sipas Mullerit, ata gabojnë në rrugëzgjidhjet që i ofrojnë. Ndonëse të gjitha partitë politike kryesore në Kosovë kanë qenë të prekura nga populizmi, LV-ja krejt ekzistencën e saj e ka bazuar në politika populiste, duke bërë kritika të drejta për shumë procese në Kosovë dhe duke ofruar zgjidhje krejtësisht të pamundura e populiste. Kjo pak a shumë u dëshmua edhe për këto pak ditë që janë në pushtet, e sidomos në raport me çështjet kryesore të vendit, siç janë situata në veri dhe çështja e raporteve e dialogut me Serbinë. Por, siç u theksua, populizmi ka pasur ambient për t’u zhvilluar. Partitë politike, ato të establishmentit (PDK, LDK e AAK, por edhe Nisma e AKR) janë përgjegjëse për krijimin në Kosovë të kulturës së korrupsionit, nepotizmit, favorizimit të klaneve kriminalo-biznesore e mosndëshkueshmërisë së krimit. As proceset e mëdha, si dialogun me Serbinë, asnjëherë nuk i kanë trajtuar seriozisht. Asnjëherë nuk i kanë trajtuar me përgjegjësi qytetare e kombëtare temat kryesore që i mundojnë dy vendet: veriun e Kosovës dhe Kosovën Lindore. Me këtë trajtim shpeshherë abuziv të pushtetit dhe me mungesë serioziteti në dialogun me Serbinë, këto parti politike krijuan shtratin e lumit në të cilin po ec uji i populizmit në Kosovë. Ky populizëm tani po rritet e rritet dhe po shfrytëzohet për t’i afruar të gjitha shtresat e pakënaqura socio-ekonomike e politike të shoqërisë. Për më tepër, qoftë mentaliteti abuzues i partive të establishmentit, qoftë populizmi i LV-së, funksionojnë brenda një mendësie dhe marrëdhënieve shoqërore të cilat Ukshin Hoti që në fillimin e viteve 90’ i ka quajtur “feudo-klanore”. Mendësi e marrëdhënie që ai i trajtonte si dukuri problematike në politikën e atëhershme të alternativës kosovare, por të trashëguara që prej periudhës së para viteve ‘90. Këto për bazë kishin favorizimin e të fortëve e të dëgjueshmëve të fshatit (që ai i quante me tallje ‘haxhi babët’) e të llastuarve të qytetit (që i trajtonte si ‘bijtë e tatave’), në dëm të të diturve, talenteve e njerëzve me dinjitet. Dhe përderisa Ukshin Hoti e konsideronte këtë një pengesë të madhe të zhvillimit shoqëror e kombëtar, të cilin partitë politika e shoqëria duhet ta luftojnë, partitë kryesore politike pas çlirimit të Kosovës e bënë krejt të kundërtën. Ato e ndërtuan pushtetin e tyre mbi këtë mentalitet, e ushqyen dhe po e ushqejnë dhe e kanë bërë edhe pjesë të jetës institucionale.

6. Përkundër një situate me nota pesimiste, shoqëria jonë ka kaluar kohë edhe më të vështira dhe ka ditur të dalë prej tyre përmes mekanizmave të jashtëzakonshëm vetëmbrojtës. Edhe kësaj radhe besoj në pjekurinë e shoqërisë, të qytetarëve të Kosovës, të cilët do të dinë ta kalojnë edhe këtë situatë pa ndonjë traumë të madhe dhe ta imponojnë konsensusin në politikë, në mënyrë që t’i tejkalojmë si popull e si vend disa nga proceset më të rënda që na presin së shpejti. Kalimi i pandemisë është një urgjencë e momentit. Ndërsa zgjidhja e problemeve me Serbinë është urgjencë për stabilitetin e funksionimit të shtetit të Kosovës. Një zgjidhje e drejtë dhe afatgjatë do të krijonte kushte edhe për një klasë krejt tjetër politike, e me agjenda të tjera politike e socio-ekonomike. Një klasë politike që përfundimisht do t’i shkatërronte vargonjtë e marrëdhënieve ‘feudo-klanore’, e do ta shtronte rrugën e zhvillimit e përparimit shoqëror e kombëtar, duke e bërë të qeshur e të shtensionuar Ukshin Hotin, kudo që gjendet ai, se përveç republikës edhe një pjesë tjetër e misionit të tij është kryer.

SHPËRNDAJE