Rraha nga Peqini i qon selam Hashës: Disa liderë po lobojnë për ta shitur vendin

Ideja e presidentit Thaçi për korrigjim kufijsh si mundësi e arritjes së një marrëveshje përfundimtare me Serbinë po vazhdon të marrë kundërshtime të shumta nga spektri politik vendor dhe ndërkombëtar.

Një selam të tillë presidentit Thaçi, i cili po qëndron sot në Austri, ia ka dërguar edhe dosti i tij i ngushtë Rrahim Pacolli që e ka paralajmëruar se kufijtë e Kosovës nuk mund t’i lëviz askush, transmeton Gazeta online Veriu.info

Madje dosti i dikurshëm që patë blerë edhe shtëpinë e Hashim Thaçit në Prishtinë, ka paralajmëruar këtë të fundit se ndryshimi i kufijve mund të bëhet me luftë.

Pacolli si asnjëherë më parë i ka hyrë shumë thellë folklorizmit duke përmendur edhe historinë dhe territorin shqiptar deri në Nish.

Ja postimi i plotë i Pacollit:

Ata që po negociojnë shkëmbim territoresh në Bruksel, duhet ta dinë se kufijtë e Kosovës nuk ka legjitimitet asnjë njeri t’i lëvizë.

Disa liderë që po lobojnë për ta shitur një pjesë të vendit, nuk do t’ia arrijnë kurrë, sepse ndryshimin e kufijve mund ta bëjnë vetëm me luftë.

Korrigjimi i kufijve nëse flasim në aspektin historik do të duhej të bëhej deri në Nish, e jo të falim veriun për të marrë një pjesë që është e jona.

Edhe këtë pak vend që e kanë njohur 115 vende, dikujt po i intereson ta zvogëlojë, por për këtë çështje verdiktin do ta japë populli i Kosovës.

RrP

SHPËRNDAJE