Rrahje mes serbëve për ”Bozhiq”, Vuçiq bën thirrje për …

Të paktën katër serbë dhe një polic kanë marrë lëndime trupore në disa raste kur një numër i të rinjve serbë janë rrahur mes vete. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në një mesazh dërguar serbëve të Kosovës ka thënë se Serbia dëshiron t’i zgjidhë problemet mes serbëve dhe shqiptarëve për të pasur paqe dhe stabilitet të përhershëm.

Kërshëndellat ortodokse apo “Bozhiqi”, siç e quajnë serbët, nuk kanë kaluar qetë në veri të Mitrovicës.

Një varg rrahjesh në mes të grupeve të serbëve të pjesës veriore të Mitrovicës janë shënuar të shtunën, në natën e “Bozhiq”-it, siç i quajnë serbët kërshëndellat ortodokse. Në dy raste ka edhe të lënduar, kanë bërë të ditur burimet e Policisë në veri të Mitrovicës.(Kliko mbi reklamë dhe shiko pamjen e plotë ⤵⤵⤵).

Në mesin e serbëve të veriut të Mitrovicës është parë të shtunën dhe të dielën edhe drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ndërsa me një mesazh serbëve të Kosovës u është drejtuar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq,
Policia e Kosovës ka njoftuar se një rrahje në mes të dy grupeve të mëdha të serbëve të veriut të Mitrovicës ka ndodhur në rrugën kryesore “Mbreti Peter I”, në diskotekën “Sfens”, shkruan sot Gazeta Zëri.

Policia ka njoftuar për katër persona që kanë marrë lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim në Spitalin e veriut të Mitrovicës.

Një tjetër rrahje në mes të grupeve të serbëve ka ndodhur në kafenenë “Princip”, e cila ndodhet në qendër të qytetit në veri të Mitrovicës.

Rrahja ka eskaluar pasi janë përfshirë shumë të rinj.

Policia e Kosovës ka intervenuar dhe me atë rast edhe një polic ka marrë lëndime trupore.

Sipas Policisë së Kosovës në veri, në rrahjen masive janë lënduar katër persona, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa personat e dyshuar ndodhen në arrati.

Gazeta “Zëri” ka mësuar se serbët janë rrahur mes vete edhe në të paktën dy raste të tjera, por nuk janë dhënë informacioneve për numrin e të përfshirëve në incidente dhe për të lënduar.

Në anën tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nëpërmes një mesazhi adresuar serbëve të Kosovës ka porositur se Serbia është e vendosur që ta zgjidhë problemin në mes të serbëve dhe shqiptarëve për të pasur stabilitet dhe paqe të përhershme.

“Duam ta zgjidhim problemin e serbëve dhe të shqiptarëve dhe kjo do të jetë esenca e politikës që do ta udhëheqim, sepse dëshirojmë të kemi paqe dhe stabilitet të përhershëm. Shpresoj që festa e ‘Bozhiq’-it të kalojë qetë”, ka thënë Vuçiq.

Autoritetet serbe, siç thuhet në mesazhin e Vuçiqit, kanë informacione sipas të cilave “është duke u punuar me faktorin ndërkombëtar për të krijuar qetësi dhe siguri për popullin serb të Kosovës për festë”.

“Për më shumë nuk mund të flas. Atë çfarë mund të bëjmë është që të sigurojmë qetësi dhe stabilitet. Nuk dua të hyj në raportet e shqiptarëve me sponsorët e tyre”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se aktualisht është me rëndësi ruajtja e paqes për “popullin tonë në Kosovë” pas kërcënimeve të politikanëve në Prishtinë lidhur me Gjykatën Speciale.

“Ndonëse faktikisht nuk kemi pushtet, po bëjmë çfarë po mundemi për t’i mbrojtur serbët atje. Nga KFOR-i kemi marrë informacione të rëndësishme. Beogradi do të japë gjithçka nga vetja që problemet të tejkalohen në mënyrë të qetë. Jemi të gatshëm të bisedomë edhe në Bruksel dhe në çdo vend tjetër nën patronatin e OKB-së, duam të bisedojmë për të gjitha problemet. Nuk ka asnjë kuptim që të bisedohet për problemet individuale të njerëzve të pushtetit në Kosovë”, ka thënë mes të tjerash presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ndërkaq drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se kohëve të fundit situata në planin ndërkombëtar sa i përket Kosovës ka ndryshuar.

“Ndonëse rrethanat nuk po shkojnë në interesin tonë, mendoj se ka ndryshime. Duhet të kemi durim, guxim dhe jam i bindur se së shpejti do ta presim lirinë. Të gjithë këtu ëndërrojnë lirinë dhe kjo është lutja jonë më e madhe”, ka thënë Gjuriq në Mitrovicë.

 

SHPËRNDAJE