Rrëfehet djali i ish-deputetit të LDK-së, të cilit i vodhën 100 mijë euro në shtëpi

Ndërkohë sa zhvillohej finalja e Ligës së Kampionëve, të shtunën mbrëmë, disa hajna hynë në shtëpinë e ish-deputetit biznesmen, Xhavit Ukaj, në Piranë të Prizrenit. Vodhën hiq më pak se 100 mijë euro, të holla kesh.

Megjithëse hajnat lanë shenja të gishtërinjve e gjurmë të tjera, policia ende nuk ka arritur t’i identifikojë ata.

Dera e shtëpisë së biznesmenit nga Prizreni ishte e hapur, siç ndodh zakonisht, edhe pse brenda saj nuk ndodhej askush. E gjithë familja, pasi kishin ngrënë iftarin, kishin dalë të ndiqnin ndeshjen e futbollit – finalen e Ligës së Kampionëve.

“Krejt ka ndodhë në interval kohor, rreth orës 20:30 deri në 22:00. Në 22 ka shku babai atje në shpi edhe e ka pa çka ka ndodhë”, thotë Florent Ukaj.

Sipas tij, në shtëpinë e tyre në fshatin Piranë të Prizrenit, janë vjedhur mbi 100 mijë euro kesh dhe dy orë me vlerë.

“Shuma ka qenë 100 mijë euro me ni vend. 35 euro janë marrë në kuletë të mamit. 130 euro janë marrë në kuletë të vëllait. Edhe dy ora të dorës”, ka thënë Ukaj.

Për shumën marramendëse të plaçkitur në shtëpinë e tyre, Florent Ukaj thotë se janë të gjitha para të deklarua, që ishin nxjerrë për investime dhe për organizimin e një dasmë në familje.

“Babi i ka pas paret qysh i ka nxjerrë, me fatura të bankës, me qira, me kontrata, i ka të deklaruara paratë. Tatimet për to janë të paguara. I kemi lajmëru të gjitha në Polici”, thotë djali i biznesmenit prizrenas, që në pronësi ka disa firma të ndryshme si: sallë dasmash, pompë benzine, markete, etj.

“Kanë hy në shtëpi nëpër dhoma. Katin e parë se kanë kontrollu hiq. Dera ka qenë e hapur. Se ne jemi e gjithë lagja familjar”, ka thënë Ukaj për Express.

Thotë se paratë kanë qenë në qeset e zeza, që u gjetën të zbrazura në livadhin pas shtëpisë së tyre.

Sipas tij, hajnat që hynë në shtëpinë e familjes Ukaj, të shtunën në mbrëmje, kanë lënë edhe gjurmë.

“Policia po thotë se mbi dy veta kanë qenë. Shenja të gishtave ka sa të duash”, tha ai.

Por përkundër këtyre, dy ditë pas Policia e Kosovës ende nuk ka arritur të identifikojë plaçkitësit.

“Jemi në fazën e hetimeve. Për momentin nuk kemi asnjë të dyshuar”, i ka thënë zëdhënësi i Policisë së Prizrenit, Hazir Berisha.

Nga ana tjetër, Florent Ukaj, thotë se kanë dyshime të ndryshme, për të cilat kanë njoftuar edhe policinë.

“Spo bon me akuzu. Ja kemi lanë në dorë policisë. Ju kemi tregu të kush dyshojmë, cka dyshojmë”, tha ai, duke shtuar edhe se shtëpia e tyre nuk ka kamera të sigurisë për të parë ngjarjen.

SHPËRNDAJE