Rrëshqet Liverpooli, Premierliga me lider të ri

Liverpooli ka barazuar 0-0 me Evertonin në xhiron e 29 në Premierligë dhe ka humbur kryesimin, tani prin Manchester City me një pikë më shumë.

Janë vështirësuar gjërat për Liverpoolin dhe duket se ëndrra për titull të kampionit, mund të mbetet sërish vetëm ëndërr, raporton Gazeta Express.

Skuadra e Jurgen Klopp, befasisht, nuk ka mundur që të marrë më shumë se një pikë në derbin e Liverpulit kundër Evertonit në stadiumin “Goodison Park”, duke barazuar 0-0.

“Redsat” kishin disa raste të mira shënimin përgjatë 90 minutave dhe e kërkuan më shumë golin, sidomos me anë të Mohamed Salah, por egjiptiani tregoi se nuk është ai ‘vrastari’ i edicionit të kaluar, duke mos arritur që ta dërgojë topin në rrjetë.

Klopp inkuadroi në pjesën e dytë edhe të rikthyerin nga lëndimi, Roberto Firmino (63′), por nuk bëri ndonjë dallim, derisa nuk pati minuta për Xherdan Shaqirin, para të cilit në lojë u futën James Milner (63′) dhe Adam Llallana (84′).

Kështu, ky gabim i ka kushtuar Liverpoolit që ka humbur kreun e tabelës nëntë ndeshje para fundit të edicionit.

Liverpooli tani ka zbritur në pozitën e dytë me 70 pikë të grumbulluar, një më pak se Manchester City i Pep Guardiolës, 71. /Gazeta Express/

SHPËRNDAJE