RTK paguan 180 000 € për tramsmetimin e ndeshjeve të basketbollit

Qytetarët e Kosovës patën mundësi që t’i ndiqnin vetëm përmes internetit apo televizioneve kabllore me pagesë, ndeshjet historike – të parat në Ligën e Kampionëve – të skuadrës kosovare Trepça ’89 ndaj Vikingur Gotas së Ishujve Faroe.

Transmetuesi Publik i Kosovës, RTK, nuk bleu të drejtat televizive për transmetimin e asnjërës prej dy ndeshjeve që u zhvilluan: njëra në Torshavn të Ishujve Faroe – prej nga vinte kundërshtari i Trepçës ’89 – dhe tjetra në Mitrovicë.

Kliko ⬇⬇⬇

Por, Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka arritur të sigurojë të drejtat televizive për transmetimin e Kampionatit Evropian të Basketbollit “EuroBasket 2017” që zhvillohet këtë vit dhe kualifikimeve për Kampionatin Botëror në basketboll që zhvillohen gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm.

RTK ka siguruar edhe të drejtat për transmetimin e Kampionatit Botëror për femra, që zhvillohet më 2018 në Spanjë.

E për transferimin e ndeshjeve nga këto ngjarje sportive, RTK i ka paguar 180 mijë euro kompanisë nga Qipro “Straightforëard in Sports Ltd”, thuhet në njoftimin e publikuar të enjten në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP).

Kompania në fjalë mbizotëron të drejtat nga FIBA dhe FIBA Europe për shitjen e të drejtave televizive në mbarë botën, raporton Gazeta Online Insajderi.

Transmetuesi Publik i Kosovës i ka dhënë tenderin kompanisë qipriote më 5 korrik të këtij viti, teksa publikimi i informative për tenderin në KRPP është bërë tetë ditë më vonë.

Ndërkaq, nënshkrimi i kontratës mes RTK-së dhe kompanisë qipriote “Straightforëard in Sports Ltd” do të bëhet më 18 korrik.

Nga transmetimi i kualifikimeve për Kampionatin Botëror të basketbollit, kosovarët do mund të ndjekin në Transmetuesin Publik edhe ndeshjet e përfaqësueses së Kosovës në basketboll. Kosova ndodhet në grupin C kualifikues, së bashku me Estoninë dhe Maqedoninë. /Insajderi

SHPËRNDAJE