Sa është gjoba nëse nuk i posedoni nga sot pajisjet dimërore në komunikacion?

15 nëntori është data zyrtare e hyrjes në sezonin e dimrit për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion. Që nga 15 nëntori është e detyruar me ligj që çdo drejtues i automjetit të pajiset me gomat e dimrit dhe pajisjet tjera të nevojshme dhe të obliguara.

Pajisjet dimërore të obliguara janë gomat për përdorim dimëror (M+S) zinxhirët në rrotat tërheqëse. Sugjerohet për të gjithë drejtuesit e mjeteve kontrollimi i dritave, mekanizmin e ndezjes dhe gjendjen e baterisë – madje rekomandohet edhe kontrolli i bazës së makinës.

Ballkani.info ka kontaktuar me zyrën e informimit brenda Policinë së Kosovës, të cilët u shprehën të gatshëm për zbatimin e planit operativ në lidhje me kujdesin të shtuar gjatë sezonit dimëror në komunikacion.

“Policia ka bërë përgatitje me kohë në aspektin e shtimit të masave të sigurisë në trafikun rrugor gjate sezonit dimëror. Policia ka hartuar një Plan Operativ i cili parasheh angazhime shtesë të policisë në aspektin e parandalimit dhe sensibilizimit të pjesëmarrësve në komunikacion për kujdes të shtuar gjatë sezonit dimëror. Ngasësit e automjeteve janë të obliguar të kenë pajisje dimërore nga data 15 nëntor deri më 15 mars”, tha zyra e informimit.

Policia e Kosovës tregoi për shumën e gjobës për të gjithë ata që nuk respektojnë obligueshmërinë e pajisjeve dimërore gjatë pjesëmarrjes në komunikacion

“Gjobat për mos posedim të pajisjeve janë 40 euro”, përfundoi, Policia e Kosovës në emailin dërguar Ballkanit.info.

Gjatë dimrit ka pasur rritje të numrit të aksidentëve për shkak të kushteve atmosferike dhe mungesës së pajisjeve dimërore. /Ballkani.info/

SHPËRNDAJE