Sabotoni sabotuesit e shtetit!

Shkruan: Valmire Sylejmani

Secili që mëton ta ndërtoj qeverinë  e Republikës së Kosovës me votat e Listës Serbe, duhet ta dijë se po i faktorizon sabotuesit e shtetit.  Është e pafalshme për liderët e partive shqiptare nëse lejojnë një gjë të tillë.

Nuk duhet të lejojnë që inatet t’ua verbojnë sytë dhe të krijojnë terren të përshatshëm për krijesën e Beogradit zyrtar  që të luaj lirshëm dhe pa pengesë lojën e tyre në dëm të Kosovës.

Nëse këta liderë kanë inate më të mëdha ndërmjet veti sesa me Listën Serbe, që është sinonim i vazhdimit të politikës millosheviqiane, por me mjete të tjera, atëherë këta nuk janë liderët që i duhen këtij vendi.

Të tillët nuk sjellin zhvillim, por vetëm favore për klikën e tyre. Nëse pushteti është qëllimi i parë dhe i fundit dhe jo mirëqenia e këtij vendi, atëherë kjo klasë politike do ta fus Kosovën në qorrsokak. Udhëheqësit e tri taborreve politike që kanë fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 11 qershorit, duhet ta kenë parasysh se për formimin e qeverisë duhen numrat dhe këta asnjëri i vetëm nuk i ka.

Mbetet bashkëpunimi ndërmjet dy taborreve që do të ishte më e shëndetshme për demokracinë sesa të futeshin në pushtet të gjithë. Secila nga zgjidhet, e para ose e dyta do të ishte më e mirë sesa e treta, që në këtë rast do të ishte formimi i qeverisë duke u bazuar në vullnetin e Listës Serbe.

Vendin e presin sfida të mëdha dhe nevojitet një qeveri stabile, që i ka numrat dhe vullnetin për t’u përballur me këto sfida.  Për një gjë duhet të jenë të sigurtë të gjithë, në rast se krijohen rrethana të tilla që dikush detyrohet të  formoj qeverinë me Listën Serbe, atëherë nga përgjegjësia nuk do të mund të fshihet askush.

Për dëmin që do t’i krijohej vendit përgjegjësinë do ta bartin sikur ata që do ta formonin qeverinë me këtë listë që është krijuar ekskluzivisht për ta dëmtuar shtetin, për shkak të sabotimit të tjerëve poashtu edhe vetë sabotuesit. Nëse dikush duhet të sabotohet atëherë kjo është Lista Serbe dhe jo njëri tjetri, ndryshe të gjithë do të hynin në vallen e sabotimit të shtetit.

SHPËRNDAJE