Salih Mustafa të hënën do të dalë para trupit gjykues të Speciales

I arrestuari i parë i Gjykatës Speciale, Salih Mustafa, të hënën do të paraqitet para trupit gjykues të Dhomave të Specializuara të Hagës në lidhje me pretendimet për krime lufte.

Kjo do të jetë seanca fillestare dhe e njëjta do të jetë e hapur për publikun online, që do të jetë edhe e para e tillë pas 3 vjetësh prej kur Dhomat e Specializuara janë tërësisht juridikisht funksionale.

Avokati i akredituar nga Specialja, Taulant Hodaj, thekson se të hënën mund të vendoset edhe për kohën e paraburgimit të Mustafës, varësisht se sa ka kërkuar Prokuroria.

E më pas, ai dhe mbrojtja do ta kenë afatin prej 30 ditësh që ta kontestojnë aktakuzën që është ngritur ndaj tij.

“Bazë ligjore ka edhe për arrestime edhe për mbrojtje në liri, varësisht kërkesës së Prokurorisë do të vendosë edhe Gjykata. Por rastin e parë ata e kanë vazhduar me arrestime dhe po besoj nesër do të shihet a do të ketë kërkesë për paraburgim, e si duket do të ketë, në mënyrë që gjatë procedurave gjyqësore të akuzuarit atje të mos kenë pengesa në thirrje apo vajtje-ardhje Kosovë-Hagë”, ka deklaruar Hodaj.

Përveç Mustafës, të hënën do të intervistohet në Hagë edhe ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku, në cilësinë e të dyshuarit.

Avokati i tij, Artan Qerkini, ka thënë për Kohën se intervistimi i Çekut planifikohet të nisë prej orës 09:30.

Të premten, me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar janë arrestuar edhe dy krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Për ta është lëshuar fletarrestim për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Avokati Qerkini thotë se meqë për ta ende nuk është ngritur aktakuzë, Gucatit e Haradinajt fillimisht do t’u caktohet masa e sigurisë.

“Çështja e parë e cila është në diskutim për Gucatin e Haradinajn do të jetë çështja e paraburgimit. Pra, a do t’u caktohet paraburgimi apo jo, pastaj vjen faza e ngritjes së aktakuzës dhe faza e gjykimit të çështjes. Ne nuk guxojmë të prejudikojmë këta hapa proceduralë derisa të njëjtit të ndodhin”, tha Qerkini.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, për veprën penale frikësim të dëshmitarëve, Gucati dhe Haradinaj mund të dënohen me burgim prej dy deri në dhjetë vjet. Për hakmarrje mund të dënohen me burg deri në tre vjet. Ndërsa për shkelje të fshehtësisë së procedurës deri në një vit.

Avokatët thonë se nëse Prokuroria konsideron që edhe persona të tjerë kanë bërë të mundshëm zbulimin e informatave konfidenciale mund ta kenë fatin e njëjtë me atë të krerëve të OVL-së.

SHPËRNDAJE