Sami Lushtaku përfundon intervistimin në Hagë

Ish-komandanti i UÇK’së në zonën operative të Drenicës, Sami Lushtaku, ka përfunduar intervistimi disa orësh nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Lushtaku, i cili është intervistuar prej orë 10 të mëngjesit, para pak çasteve ka dalë nga Zyra e Prokurorit.

Ai ishte i shoqëruar me dy avokatët e tij, Arianit Kocin dhe Geoffrey Nice-in, të cilin e ka angazhuar së fundi për mbrojtje në Gjykatën Speciale.

Gjatë ditës së djeshme intervistën për dy ditë radhazi e përfundoi ish-komandanti Rrustem Mustafa.

Edhe Mustafa, edhe Lushtaku kanë qenë komandantë të rëndësishëm të zonave operative në Kosovë, gjatë konfliktit të armatosur, ndërsa pas luftës kanë mbetur aktivë në skenën politike në kuadër të Partisë Demokratike të Kosovës.

Formimi i Gjykatës Speciale ka pasuar një raport të Këshillit të Evropës në vitin 2011, i cili ka konstatuar se ka prova të mjaftueshme për të nisur hetime kundër disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së, që dyshohet se kanë kryer krime kundër serbëve dhe disa shqiptarëve, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

SHPËRNDAJE