SBASHK vjen me një paralajmërim të ri

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, nëpërmjet një letre publike ka kërkuar që projektligji i pagave të tërhiqet dhe të rishikohet e korrigjohet në një atmosferë të qetë e duke u marrë në konsideratë kërkesat e drejta të mësimdhënësve, në të kundërtën do të ketë veprime sindikale në tërë sistemin arsimor.

Sipas SBASHK-ut, ky projektligj është denigrues, ndërsa përgjegjës për atë që do të ndodh janë ata që nuk duan t’i kuptojnë drejtë këto alarme e paralajmërime.

………………………………..
Kërkesë publike e SBASHK-ut lidhur me ligjin e pagave

SBASHK- Ligji i pagave duhet të tërhiqet për rishikim dhe korrigjim

SBASHK-u me kohë e në takimet me ministrin Bytyqi e Jagcilar ka shprehur kundërshtimet e bazuara kundër versionit aktual të Projektligjit për pagat duke e konsideruar atë me arsye si degradues për tërë sistemin arsimor. Këtë kundërshtim SBASHK-u e tregoi edhe në grevën e 7 shtatorit dhe në takimin me kryeministrin Haradinaj e ministrat Bytyqi e Jagciular. Nga ky takim SBASHK-u doli me premtimin se gjatë punës dhe debatit në Komisionin për Administratë do të bëhet korrigjimi i projektligjit dhe se punëtorët e arsimit do të kenë vend meritor në të. Kundërshtimin e bazuar ndaj Projektligjit degradues SBASHK-u e përcolli edhe në takim me znj. Stephanie Eble dhe me përfaqësuesit e FMN-së dhe ishte vlerësim i përbashkët se ky projektligj ka humbur kuptimin dhe qëllimin ngase nuk ka bërë nivelizim pagash, por si i tillë , ka krijuar dallime edhe më të mëdha.

SBASHK-u i është drejtuar me shkresa zyrtare e me të gjitha argumentet edhe anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Administratë duke pritur reagimin e tyre pozitiv. Mirëpo, duke parë se edhe sindikata të tjera kanë ngritur kundërshtimet e tyre dhe duke pasur shqetësimin e arsyeshëm se Komisioni parlamentar për Administratë në këtë shumësi presionesh e kërkesash mund të mos e bëj punën si duhet, veprimi më i drejtë është që Ligji i pagave të tërhiqet për t’u kthyer te sponzorizuesi ( Ministria e Administratës Publike) dhe të rishikohet e korrigjohet në një atmosferë të qetë e duke u marrë në konsideratë kërkesat e drejta të SBASHK-ut, por edhe kërkesat e drejta të sindikatave tjera. Në këtë përpjekje që çështjet të rregullohen me dialog e angazhime të përbashkëta SBASHK-un duhet ta mbështesin dhe MASHT dhe Këshilli i Prindërve sepse ata publikisht e kanë thënë se kërkesat tona janë legjitime e të drejta. Nuk është mirë që ata të heshtin tani e pastaj të dalin e të deklarohen kundër veprimeve sindikale.

SBASHK-u i drejton një këshillë miqësore kryetarit të Komisionit parlamentar për Administratë dhe deputetit, Nait Hasani që t’i shqyrtojë me korrektësi kërkesat e SBASHK-ut, që i janë dërguar atij dhe anëtarëve të tjerë të Komisionit, dhe ta kuptojë drejt alarmin se do të ketë veprime sindikale në tërë sistemin arsimor nëse kërkesat tona lidhur me Projektligjin për pagat anashkalohen. SBASHK-u e ka dëgjuar gjithmonë dhe do ta dëgjojë zërin e anëtarësisë e do të veprojë ashtu si thonë ata dhe përgjegjës për atë që do të ndodh janë ata që nuk duan t’i kuptojnë drejtë këto alarme e paralajmërime me kohë .

SHPËRNDAJE