Serbia arreston ushtarin e FSK-së, ashtu siç kishte paralajmëruar Gjuriq, (EMRI DHE MBIEMRI)

Dje nga policia serbe është arrestuar ushtari i FSK-së, me përkatësi serbe Milosh Shoshiq.

Shoshiq po mbahet i arrestuar nga serbët në vendkalimin kufitar në Konçul, njofton Klan Kosova.

Më 24 prill të këtij muaji, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i ka kërcënuar me burgim serbët që kanë ndër mend të bëhen pjesëtarë të FSK-së dhe të Ushtrisë së Kosovës.(Shtyp mbi linkun e mëposhtëm dhe shiko pamjen e plotë)

“Të shpallen të padëshiruar në të gjitha objektet publike, të mos thirren as në gëzim dhe as në pikëllim, as në kishë dhe as në kafene dhe që serbët të mos marrin pjesë në formimin e Ushtrisë së Kosovës, por të ndihmojnë në zgjidhjen e problemit të Kosovës dhe të merren me sigurinë e serbëve në Kosovë” ka kërcënuar Marko Gjuriq të gjithë pjesëtarët potencialë serbë pas kërkesës që ata të behën pjesë e FSK-së.

“Me Ligjin tonë Penal hyrja në formacionet e huaja të armatosura e ilegale, është e kundërligjshme dhe kjo dënohet deri më 10 vjet burgim”, ka thënë Gjuriq për mediat serbe.

“Ky është aktivitet ilegal në të cilin qytetarë tanë nuk do të duhej të merrnin pjesë” ka thënë ai duke porositur “që ata të mos hyjnë në të ashtuquajturën Ushtri e Kosovës”.

Ai ka thënë se pozita e Serbisë lidhur me Ushtrinë e Kosovës, është e qartë.

“Çfarëdo krijimi i formacioneve ilegale paraushtarake në territorin e tonë është në kundërshtim me Rezolutën 1244, në kundërshtim me Marrëveshjen Ushtarako Teknike të Kumanovës dhe me qëllim tonë kryesor shtetëror e kombëtar e ai është stabilizimi afatgjatë i rrethanave”.

“Njëzëri jemi kundër saj, Lista Serbe e kundërshton këtë dhe ajo e ka përkrahjen e kryetarit dhe të qeverisë së Serbisë”.

Sipas shënimeve të fundit në FSK janë 103 pjesëtarë të bashkësisë serbe.