Serbia falënderon Venezuelën që nuk po e njeh Kosovën

Që nga fillimi i protestave të përgjithshme kundër regjimit diktatorial të Nicolás Maduros në Venezuelë, Serbia ka dalë në kundërshtim të përkrahjes së liderit të opozitës së këtij shteti Juan Guaido, i cili ka marrë mbështetje nga shumë vende demokratike të Perëndimit e edhe nga SHBA-ja.

Këtë përkrahje të regjimit Serbia e ka shfaqur në të gjitha takimet me zyrtarë që ende e përfaqësojnë regjimin e Maduros.

Kështu u tha edhe dje në Beograd kur shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, u takua me shefin e diplomacisë së Venezuelës, Jorge Arreaza.

Me këtë rast, siç njofton b92, ministri i i Jashtëm i Serbisë Daçiq e ka falënderuar Venezuelën që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Ndërsa ministri Arreaza e ka falënderuar Serbinë për “kuptimin e situatës së rëndë në Venezuelë dhe për përkrahjen në zgjidhjen krizës me dialog”.

Në njoftimin që jepet nga ky takim nuk ka munguar ironia e Daçiqit: “Serbia udhëheq politikë të mbështetur në respektimin e të drejtës ndërkombëtare dhe të mos përzierjes në punë të brendshme të shteteve sovrane”.

SHPËRNDAJE