Serbia kërcënon me shpërbërje Bosnjën, nëse njeh pavarësinë e Kosovës

Qeveria serbe ka kërcënuar Bosnje Hercegovinën me shpërbërje, nëse ajo njeh pavarësinë e Kosovës.

Ministria e Mbrojtjes serbe publikoi një deklaratë nga Ministri Aleksandar Vulin, i cili paralajmëroi presidentët boshnjakë dhe kroatë të Bosnjes se ai do të mbështeste pavarësinë e Republikës Serbe nëse ata mbështesnin atë të Kosovës, raporton Shqiptarja.com.

Kërcënimi vjen në të njëjtën ditë pas një votimi të pasuksesshëm të presidencës trepalëshe të Bosnjes mbi njohjen e Kosovës.

Prej vitesh përfaqësuesit boshnjakë dhe kroatë të presidencës kanë lobuar pro pavarësisë së Kosovës, por gjithnjë janë bllokuar nga përfaqësuesit serbë në presidencë.

Edhe kësaj radhe, Milorad Dodik, kreu i njësisë serbe në Bosnje, votoi kundër.

Vulin kritikoi udhëheqësit boshnjakë dhe kroatë të presidencës, Shefik Xhaferoviç dhe Zhelko Komshiç, për votimin pro pavarësisë së Kosovës.

Ai tha se vota e tyre tregon se ata nuk kujdesen për mendimin dhe ndjenjat e serbëve në Bosnje.

Ministri, në mënyrë ironike, i drejtoi një pyetje presidentit serb Vuçiç se për sa kohë ai planifikon të ruajë integritetin territorial të Bosnjes, ndërsa presidentët e saj nuk respektojnë Serbinë.

Duke vazhduar më tej ‘kritikën’ e tij ndaj Vuçiçit, ministri ‘e paralajmëroi’ atë se nuk mund t’i falë boshnjakët dhe kroatët për “vrasjen e Serbisë”, ashtu si ai i fali ata kur ata u përpoqën ta ‘vrisnin’ atë në Srebrenicë.

Pretendimi i Vulin për një përpjekje për të vrarë Vuçiçin i referohet protestës në vitin 2015, kur presidenti i Serbisë vizitoi Srebrenicën në 20 vjetorin e gjenocidit. Brenda dhjetë ditësh duke filluar nga 11 korrik 1995, forcat serbe vranë 8,372 myslimanë boshnjakë në Masakrën e Srebrenicës.

SHPËRNDAJE