Serbia nuk i bindet thirrjes së QUNT-it, ky është veprimi i radhës kundër Kosovës

Autoritetet e Serbisë nuk kanë të ndalur me propagandën e tyre kundër Kosovës. Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe ajo e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, të njohura si shtetet e QUINT-it, të martën e lamë pas, pra më 13 gusht, i kanë bërë thirrje Serbisë që të ndalojë propagandën e saj kundër Kosovës për tërheqjen e njohjeve.

Mirëpo, kjo thirrje e shteteve të QUINT-it si duket ka hasur në vesh të shurdhër.

Mediumi serb “Alo”, raporton se Togo është shteti i fundit i cili e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Sipas këtij mediumi, ky është shteti i 15 i cili e ka tërhequr njohjen e Kosovës. “Pavarësisht presionit të madh nga disa nga vendet më të mëdha, veçanërisht SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, një vend tjetër, i pesëmbëdhjetë me radhë, ka vendosur të tërheqë njohjen e Kosovës”, shkruan ky medium.

“Shumë shpejt do të kemi më shumë tërheqje të njohjes së të pavarësisë së Kosovës, sepse të paktën dy vende afrikane janë një hap larg nga ndjekja e shembullit të Togos” citohet të ketë thënë një burim për “Alo”, transmeton lajmi.net.

Sipas këtij mediumi, pavarësisht se Serbia ka paralajmëruar në vazhdimësi tërheqjet e njohjes së pavarësisë, Kosova është përgjigjur çdo herë se asnjë shtet nuk e ka tërhequr njohjen dhe se siç shkruan ky medium, Kosova këtë e ka bërë pa pasur asnjë provë apo dokument për këtë.

Ditë më parë, QUINT-i, i kërkoi Kosovës që ta heq taksën në mënyrë që të vazhdojë dialogu, ndërkaq Serbisë i kërkoi që të ndalojë fushatën e saj propaganduese kundër Kosovës e në veçanti për tërheqjen e njohjeve, por si duket kjo deklaratë nuk është marrë aspak në konsideratë nga Serbia.

Theksojmë se, ishte vet ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ai i cili gjatë vizitës së tij në muajin maj në Afrikë, ku u takua me krerët e këtij shteti, kishte paralajmëruar tërheqje të njohjeve të pavarësisë së Kosovës nga shtetet afrikane.

Togo, i cili ka mbi tetë milion banorë, ishte një koloni franceze deri në vitin 1960, kur luftoi për pavarësi.Vlen të përmendet, se diplomacia kosovare ka dështuar në këtë mandat që të sjellë njohje të reja, jo më shumë se dy, dhe të dalë kundër propagandës së Serbisë.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE