SËRISH VJEN MARSI – SËRISH SKUQEM NGA VEPRIMI I PRESIDENTIT THAÇI

Shkruan: Mehdi Mulaj

“Sërish vjen marsi, sërish vjen stina, të rënët dhe të gjallët bëhen tok, ves as shi s’duron lëndina, burrëria nuk duron lot”, janë vargjet me të cilat këngëtari Ilir Shaqiri nis këngën e Epopesë së UÇK-së, prej nga mori formën liria e Kosovës.

Jasharët janë sinonim i luftës për liri, sakrificës, vetëmohimit, lavdisë, respektit, dashurisë ndaj atdheut.

Kullat e Jasharëve, apo siç njihen ndryshe “Kullat e qëndresës”, gjatë gjithë kohës kanë vizitorë për të parë të vërtetën prej nga buroi liria.

Ata nderohen gjithmonë, nga të gjitha shtresat e njerëzve, nga çdo moshë, e pothuajse nga çdo nacionalitet. Por marsi është më i veçantë – e gjithë vëmendja kthehet atje.

Emri i tyre emblematik nuk u la pa u keqpërdorur nga njerëzit që i nderojnë ata dhe i zënë në gojë vetëm kur u duhen për interesa të ngushta.

Ndër ta është Hashim Thaçi, i cili tash është president i vendit.

Sa herë vjen marsi, ai nuk harron t’i nderojë të rënët në varreza, por asnjëherë nuk shkon në kullë t’i nderojë të gjallët e kësaj familjeje.

Isha dëshmitar i një ngjarjeje të tillë që reflektonte përçarjen aq të madhe mes Thaçit dhe familjes Jashari në Prekaz.

Ishte 5 marsi i vitit 2013 kur asokohe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, mori mundin dhe erdhi te varrezat e Jasharëve. Unë isha aty në cilësinë e një gazetari duke e ndjekur këtë aktivitet.

Por para ardhjes së tij aty, ndodhi diçka e çuditshme. Ishte Rifat Jashari, vëllai i Ademit e Hamzës, i cili u largua shpejt me veturë prej aty dhe nuk e priti në kullë kryeministrin Thaçi.

Mbase mbeta i shtangur dhe nuk e kuptoja situatën – kryeministri po vinte aty kurse njeriu kryesor i Jasharëve që duhej t’i priste mysafirët, po largohej.

Vërtet u skuqa nga kjo situatë.

Nuk vonoi shumë dhe erdhi kryeministri me një delegacion të gjatë të njerëzve, që për disa prej tyre e kisha përshtypjen se për herë të parë janë në Prekaz.

Mori një buqetë lule dhe i vendosi mbi varrin e komandantit legjendarë Adem Jashari. U kthye prej nesh, medieve, dhe mbajti një fjalim “të ëmbël” duke folur për sakrificën e Jasharëve.

Më pas na e ktheu shpinën dhe u nis drejt veturave zyrtare me xhama të zi. Kurse kullat e Jasharëve po e shikonin seri njeriun i cili aq shumë i zë në gojë dhe nuk po merrte mundin as guximin njerëzor të shkonte aty.

Por Thaçi vazhdimisht e përdori emrin dhe sakrificën e Jasharëve për të përfituar politikisht. Po thuajse në çdo fushatë elektorale e identifikonte partinë e tij, PDK, me sakrificën e Jasharëve.

Dhe ashtu i doli, fitoi shumë vota në Skenderaj, saqë ende cilësohet si bastioni i tashmë ish-partisë së tij.

Kulla e Jasharëve asnjëherë nuk e priti atë – dhe kjo kurrë nuk u sqarua. Vitet kalonin, sërish vinte marsi, por Thaçi nuk arriti ta kalonte egon e tij dhe ta riniste një marrëdhënie më ndryshe me Jasharët.

Thaçi dhe Jasharët zakonisht gjenden pranë njëri-tjetrit në përvjetorë të rëndësishëm, edhe pse rrallë herë të ulur pranë njëri-tjetrit, por me disa karrige në mes.

E sot, sërish vjen marsi dhe rësish presidenti Thaçi nuk shkon ta vizitojë “Kullën” për të cilën flet me aq shumë ëndje.

(Ky shkrim është shkruar nga gazetari Mehdi Mulaj për portalin Insajderi.com)

SHPËRNDAJE