Sfida e re e internetit, fëmijët po e djegin veten

Adoleshentët kanë filluar ta praktikojnë një gjë të rrezikshme, duke u përpjekur me çdo kusht që të bëhen të famshëm përmes internetit. Sfida e tyre është që ta djegin lëkurën e vet sa më tepër, duke garuar me njëri-tjetrin se kush është djegur më shumë. Krejt kjo çmenduri po quhet “sfida e zjarrit”.

Në Uells ishin raportuar shumë raste të këtilla në vitin 2014, por si duket kjo ide është rikthyer prapë. Specialistët e një spitali në Uells kanë thënë se kanë vërejtur rritje të numrit të adoleshentëve që po trajtohen në spital për shkak të djegieve të pësuara. Spitali nuk dha hollësi të tjera lidhur me këtë sfidë, por mjafton një kërkim i thjeshtë në internet për ta kuptuar se për çka bëhet fjalë.

Në këtë sfidë kërkohet që trupi të laget apo të spërkatet me lëndë të ndryshme që janë shumë të ndezshme dhe më pas t’i vihet flaka pjesës së lagur të trupit. Disa njerëz kanë pasur nevojë edhe për operacione dhe ndërhyrje tjera për shpëtim të jetës. “Unë e kuptoj nevojën e adoleshentëve për më shumë famë, duke ndërmarrë hapa të rrezikshëm, por nga ajo që kam parë te pacientët, rezultatet mund të jenë të ndryshme, ku disa prej tyre do të mbeten me shenja të përhershme në trup”, tha Jeremy Yarrow, kirurg plastik në spitalin “Morrison”.

Ai tha se shumica e pacientëve po lëshohen për trajtim shtëpiak, por se ka edhe raste kur pacientët duhet të trajtohen në spital për ditë të tëra. I tillë ishte edhe rasti i një vajze 12 vjeçare, e cila në gusht kishte pësuar djegie në 49% të trupit dhe ishte në gjendje kritike, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.

SHPËRNDAJE