Shah-mat për Thaçin

Përpjekja e deputetëve të mazhorancës, të cilët bashkë me PSD-në e Shpend Ahmetit kanë nisur përpjekjen për themelimin e një Delegacioni Shtetëror, synon “pensionimin” e Hashim Thaçit nga negociatat me Serbinë.

Në Nenin 4 të Projektligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror në procesin e dialogut me Serbinë, një kopje të të cilit e ka siguruar Kohavisioni, rregullohet procedura për ngritjen e Delegacionit Shtetëror.

“Delegacioni Shtetëror për dialogun me Republikën e Serbisë do të mandatohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, thuhet në pikën 1 të këtij Neni. “Delegacioni Shtetëror do të jetë entiteti/organi i vetëm i autorizuar për ta drejtuar Dialogun”, thuhet në pikën pasuese dhe të vetme të këtij Neni.

Presidenti përmendet vetëm një herë në gjithë projektligjin, dhe atë në Nenin 11, që flet për Kompetencat e Delegacionit Shtetëror.

Pika e parë e këtij Neni thotë se bashkëdrejtuesit janë përfaqësuesit e Delegacionit Shtetëror, në këtë rast një nga pozita e një nga opozita. Aty thuhet se “Delegacioni Shtetëror do ta mbajë të drejtën ekskluzive të komunikimit dhe të interpretimit publik të procedimeve, përmbajtjes dhe arritjeve në Procesin e Dialogut”.

3. Delegacioni Shtetëror:

Drejton procesin e dialogut me Serbinë;

Përfaqëson Republikën e Kosovës në Dialog;

Miraton strategjinë negociuese të përgjithshme dhe ato për secilën temë;

Bashkërendon agjendën e dialogut sipas Platformës shtetërore dhe sipas dakordimit me lehtësuesit/ndërmjetësuesit të dialogut;

Bashkërendon takimet me krerët e tjerë institucional (President, Kryeministër, Kryetar i Kuvendit, Ministra etj.) kur këto duhet të mbahen;

I raporton komisionit monitorues të Kuvendit pas ccdo takimi me palën serbe, dhe/ose me lehtësuesit/ndërmjetësuesit;

Miraton pozicionet fillestare të Kosovës për secilën temë të dialogut.

SHPËRNDAJE