“SHBA-ja e Rusia po i vardisen Serbisë derisa pakti për Kosovën mbetet i largët”

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka mohuar zërat se mund të ketë kthim të shpejtë në tavolinën e bisedimeve me Kosovën, në kohën kur SHBA-ja dhe Rusia po i vardisen Beogradin mes betejës për ndikim në Ballkan.

Vuçiqi qëndroi në Nju Jork për të drekuar me sekretarin amerikan të shtetit, Mike Pompeo, në kohën kur Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian kanë nxitur Serbinë dhe Kosovën që të bëjnë kompromise që do të ndihmonin të thyenin bllokadën nëntë-mujore në përpjekje për të normalizuar marrëdhëniet e tyre, raporton “IrishTimes”.

“Sekretari Pompeo ka lavdëruar marrëdhëniet e fuqishme SHBA-Serbi… dhe ka diskutuar vizionin e përbashkët bilateral për një rajon të Ballkanit Perëndimor të qëndrueshëm, të sigurt dhe prosperues, dhe mbështetjen e vazhdueshme amerikane për qëllimin e Serbisë për integrim në Bashkimin Evropian”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit amerikan, Morgan Ortagus, transmeton Koha.net.

Vazhdimi e negociatave

Pompeo po ashtu ka “inkurajuar Serbinë të përqendrohet në këtë qëllim strategjik duke përshpejtuar reforma të brendshme dhe të vazhdojë negociatat me Kosovën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse normalizuese që për bazë ka njohjen e ndërsjellë”.

SHBA-ja, Gjermania, Franca, Britania dhe Italia javën e kaluar bashkërisht stimuluan Kosovën të heq taksën 100 për qind për mallrat serbe dhe i bënë thirrje Beogradit të ndalojë së lobuari tek vendet që të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Vuçiqi tha se në lidhje me taksën, “nuk ka asnjë dyshim se e kemi mbështetjen amerikane, sepse ata, sikurse ne, mendojnë se është me rëndësi që të vazhdohet dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës, në mënyrë që të mund të ruajmë paqen”.

“Besoj se Amerika dëshiron të jetë e përfshirë edhe më fuqishëm në mënyrë të ndryshme për të zgjidhur problemet në rajonin tonë”, shtoi ai.

Por, Vuçiqi paralajmëroi të mërkurën se bisedimet me gjasë mund të vazhdojnë “në fillim të dhjetorit më së afërmi” si pasojë e zgjedhjeve të hershme parlamentare që pritet të mbahen në Kosovë në tetor.

Qeveria në dorëheqje e Ramush Haradinajt thotë se taksa duhet të mbetet derisa Serbia të pranojë sovranitetin e ish-provincës së saj; Beogradi, ndërkaq, zotohet se do të vazhdojë të lobojë kundër njohjeve dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare


Politika e balancuar

Rusia është mbështetësi më i madh i qëndrimit të Serbisë dhe, derisa Beogradi punon drejt anëtarësimit në BE, Moska po e forcon marrëdhënien e saj me një prej aleatëve të fundit në Ballkan.

“Një marrëveshje për tregti të lirë mes Serbisë dhe Unionit Ekonomik Euro-Aziatik pritet të nënshkruhet më 25 tetor”, ka thënë të martën ambasadori rus në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko, duke iu referuar një blloku prej pesë ish-shteteve sovjetike të dominuar nga Moska.

Ai tha se ky hap rezultoi nga “politika e balancuar” e Serbisë mes lindjes dhe perëndimit dhe do të “shënojë një fazë krejtësisht e re për Beogradin në prezencën e saj në hapësirën euro-aziatike”, që do ta bëjë atë një “lidhje” të ardhshme mes BE-së dhe bllokut të drejtuar nga Rusia.

Serbia është i vetmi shtet ballkanik që nuk është anëtar dhe anëtar në ardhje i NATO-s, dhe Rusia po e furnizon ushtrinë e saj me tanke, aeroplanë luftarakë dhe me helikopterë.

Në Bosnjën fqinje, bisedimet për të formuar një qeveri 10 muaj pas zgjedhjeve dështuan sërish këtë javë, kur lideri serb i Bosnjës, Milorad Dodik, kundërshtoi një plan për ta çuar vendin multi-etnik drejt anëtarësimit në NATO.

SHPËRNDAJE