SHBA kërcënon Francën me taksë 100%

Shtetet e Bashkuara janë duke përgatitur taksa ndaj mallrave franceze në vlerë të 2.4 miliardë dollarëve si hakmarrje për taksën e re që Franca e ka vendosur ndaj shërbimeve digjitale.

Zyrtari më i lartë amerikan për tregti tha se taksa e re, të cilën Franca e miratoi në korrik, i shënjestron në mënyrë të padrejtë gjigantët teknologjikë të Shteteve të Bashkuara.

Ai tha se taksat e mundshme që do të vendosen ndaj këtij shteti kanë për qëllim që t’i parandalojnë vendet e tjera që të marrin këso masash.

Në mesin e produkteve që mund të jenë në shënjestër të taksave amerikane janë djathi, vera, produktet kozmetike dhe çantat e dorës.

“Ky vendim do të dërgonte shenjë të qartë se Shtetet e Bashkuara do të marrin masa kundër regjimit të taksave digjitale, të cilat i diskriminojnë kompanitë amerikane”, tha përfaqësuesi amerikan për tregti, Robert Lighthizer.

Franca vendosi taksë prej 3 për qind ndaj shërbimeve të caktuara digjitale që kryhen brenda territorit të saj. Ato zbatohen ndaj të gjitha kompanive digjitale që kanë të hyra prej më shumë se 750 milionë dollarësh, prej të cilave së paku 25 milionë janë të mbledhura në Francë.

Viktima të kësaj takse pritet të jenë rreth 30 kompani digjitale, shumica e të cilave janë nga Shtetet e Bashkuara, përfshirë kompanitë “Apple”, “Facebook”, “Amazon” dhe “Microsoft”, shkruan “BBC”.

SHPËRNDAJE