Shefki Kuqi – përzgjedhësi i ri i Kombëtares U21? Kjo është përgjigja e FFK-së

Javën e kaluar, gjegjësisht të enjten, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, në një prononcim për GazetaBlic kishte mohuar zërat e fundit që qarkullonin rreth pozitave të trajnerëve në grupmoshat zingjirë të Kosovës, duke përfshirë edhe atë U21.

Ndërkaq sot, gjegjësisht para pak çastesh, vetë shtëpia numër një e futbollit në vend përmes një komunikate zyrtare, mohoi këto spekulime, duke thënë se komiteti ekzekutiv edhe më tutje nuk është mbledhur për të diskutuar rreth kësaj çështjeje, përcjell GazetaBlic.

Më poshtë edhe komunikata e plotë.

Federata e Futbollit e Kosovës dëshiron të sqarojë opinionin lidhur me raportimet e fundit në media se Shefki Kuqi do të jetë përzgjedhës i ri i Kombëtares U21. Deri më tash Komiteti Ekzekutiv ende nuk është mbledhur për të analizuar punën e ekipeve kombëtare zingjirë dhe për të diskutuar rreth ndryshimeve eventuale. Fillimisht do të kërkohet raporti i punës nga menaxherët e ekipeve kombëtare dhe më pas do të ftohen për bisedë trajnerët e secilës grupmoshë. Sigurisht se aty ku vlerësohet se është e nevojshme të ketë ndryshime do të ndërmerren hapat e duhur, por tash për tash nuk është zhvilluar asnjë takim me asnjë prej emrave që përmenden në media.
Është e vërtetë që Shefki Kuqi ka shprehur interesim për të dhënë kontributin e tij për futbollin e Kosovës, por krahas tij janë edhe 7-8 emra tjerë që po ashtu kanë shprehur interesim për të qenë pjesë e ekipeve kombëtare dhe KE i FFK-së do të analizojë mirë çdo gjë para se të vendosë për hapat konkret.