“Shell” me gjuhën serbe në mes të Prishtinës

U bë zhurmë e madhe kur erdhi në Kosovë. Pati raportime se nuk ka licencë për të operuar, e më vonë edhe për dyshime mbi cilësinë derivateve. Tash kompania e derivateve të naftës “Shell” pjesë e së cilës është edhe kompania “Al Petrol”, që drejtohet nga Latif Kryeziu, ka zgjedhur që blerësit në mes të Prishtinës t’i falënderoj në gjuhës serbe me “Hvala na poseti!”.

FaktePlus ka siguruar kuponë fiskalë të kompanisë që janë lëshuar në gjuhën serbe në Dragodan të Prishtinës, saktësisht në rrugën “Ahmet Krasniqi”, aty ku “Shell” ka një pikë shitëse të derivateve.

Ky kupon fiskal mbanë datën e 07.10.2018 dhe në të përveç adresës e artikujve nuk ka asgjë tjetër në gjuhën shqipe. Falënderimi është me “Hvala na poseti!”.

FaktePlus për këtë çështje ka kërkuar përgjigje nga kompania “Shell” dhe kompania “Gekos” që është përgjegjëse për arka fiskale. Të dy këto subjekte fajin e hedhin të njëra-tjetra.

“Shell” e fajëson Gekosin

Në kompaninë “Shell” kanë thënë se nuk është faji i tyre se ky kupon është lëshuar në gjuhën serbe. Ata madje krejt këtë rast e quajnë si gabim teknik.

“Faleminderit shumë që na keni kontaktuar dhe që na keni informuar. Gekos International që është përgjegjës për Arkat Fiskale për momentin kanë një gabim teknik dhe janë duke intervenuar menjëherë. Si e dini arkat fiskale janë në 3 gjuhë: shqip, anglisht dhe serbisht. Arkat fiskale nuk janë kompetencë e jona”, kanë thënë në përgjigjen e tyre zyrtarët e kompanisë “Shell”.

“Gekos”, gjuhën serbe e ka zgjedhur vet Shelli

E në anën tjetër kompania “Gekos” ka bërë me dije se vet punëtorët e “Shell” janë përgjegjës për këtë rast, duke bërë me dije se arkat fiskale i kanë të programuara tri gjuhë dhe ato mund të ndryshohen në bazë të dëshirës apo kërkesave.

“Si përfundim në këtë rast nuk është problem i yni pasi që vet ai që punon me arkë mundet ta kthej prapë gjuhen sipas dëshire dhe së dyti shikoni artikujt janë në gjuhen shqipe të shënuar. Njëri nga tekniket tanë tashmë është rrugës për të parë prej së afërmi se çfarë ka ndodhë pasi që ne nga ky klient nuk kemi ndonjë ankesë në këtë pikë dhe as ndonjë kërkesë për intervenim”, thuhet në përgjigjen e “Gekos” dërguar redaksisë sonë.

Në këtë kompani kanë bërë me dije po ashtu se pajisjet fiskale duhet të punojnë me gjuhët zyrtare në Kosovë pasi është kërkesë e rregulluar me udhëzimet administrative 09/2010 dhe 01/2015 të Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës.

“Me legjislacionin në fuqi, i cili e rregullon çështjen e pajisjeve elektronike dhe sistemeve fiskale, secila pajisje që shitet dhe funksionon në territorin e Kosovës është e obliguar të këtë mundësi të shtypjes së kuponëve fiskal dhe dokumenteve tjera nga ajo në gjuhët: shqip, serbisht dhe anglisht”.

Ditë më parë në media është raportuar se mbi 30 maune të kompanisë “Shell” të mbushura me derivate të naftës janë bllokuar në terminalin doganor të Kosovës./FaktePlus/.

SHPËRNDAJE