Shfrenohet Rexhep Qosja: Sulmon kombin e Kosovës, lirinë dhe demokracinë

Akademik Rexhep Qosja është treguar kritik me disa akademikë kosovarë të cilët sipas tij janë mbledhur në Akademinë e Shkencave dhe Arteve e Kosovës për të sajuar ide të rrezikshme për Kosovën. Sipas Qosjes personat të cilët po e predikojnë kombin kosovar në fakt po e cënojnë atë.

“Me ndikim cenues, të veçantë, ndaj kohezionit shoqëror dhe mbarëkombëtar është ideja e kombit kosovar, predikuesit e së cilës janë të mbledhur në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Njëri prej ish kryetarëve të kësaj Akademie para disa vjetësh do të deklarojë me një rast se “pakicat kombëtare, sidomos ajo serbe, sigurinë e tyre në Kosovë do të mund ta realizojnë vetëm me krijimin e kombit kosovar!”, ka shkruar Qosja.

Si duket, shkrimtari polarizues Rexhep Qosja e ka të vështirë që të shkëputet nga e kaluara e tij komuniste, e në veçanti nga ideja e Bashkimit Kombëtar.

Më tej, ai ka deklaruar se në periudhën e demokracisë situata do të duhej të përmirësohej. Mirëpo lirinë, Qosja thotë se nuk po dimë ta shfrytëzojmë.

“Kemi menduar se në periudhën pjesëmarrës të së cilës jemi – në periudhën e demokracisë do të përmirësohet shpejt jeta jonë në të gjitha fushat e saj. Por, shpejt do të jemi të detyruar t’i besojmë shkrimtarit të madh francez, Andre Zhid, i cili thotë: “Lirinë më lehtë e fitojmë se ç’do të dimë ta shfrytëzojmë”. Shumë më shpejt se ç’mund të na ketë shkuar mendja po shihet se sa e se si po cenohet, madje, kur e ku po rrezikohet kohezioni ynë shoqëror dhe mbarëkombëtar”, ka shkruar ai.

Këto komente, akademiku Rexhep Qosja i ka bërë në profilin e tij në Facebook.

KOHEZIONI SHOQËROR E MBARËKOMBËTAR
DHE RREZIKUESIT E TIJ

1.

Të nderuar të pranishëm,

e nderuara rektore e Universitetit Aleksandër Moisiu zonja Kseanela Sotirofski,

i nderuari Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Z. Qemal Minxhozi,

të nderuar pedagogë e studiues shkencorë,

të nderuar studentë!

Më vjen mirë që më është dhënë rasti t’Ju përshëndes dhe njëkohësisht t’Ju falënderoj që me pjesëmarrjen tuaj në këtë mbledhje po e miratoni dhënien e titullit të lartë Doctor Honoris Causa dhe ashtu po shprehni nderim për autorin të cilit i jepet ky titull.

Megjithëse mosha në të cilën jam dhe përvoja me të cilën më ka pajisur jeta në vendet banor i të cilave isha më kanë privuar prej mezipritjes së gëzimeve për dekorime e titullime nderuese ashtu si edhe prej dëshpërimeve për mohime që mund të më bëhen, ky titull që po më dhurohet sot këtu prej jush, më gëzon.

Pse mund të them kështu?

E para, mund të them kështu sepse është titull që më jepet prej një Universiteti i cili mban emrin e njërit prej artistëve më të mëdhenj shqiptarë dhe më të lavdishëm evropianë, mban emrin e Aleksandër Moisiut.

Aleksandër Moisiu ishte artist në të cilin ishin bashkuar disa dhunti me të cilat nëna natyrë mund ta stolisë – njeriun.

Ishte artist me mendje të pavarur dhe me etikë të palëkundshme.

Ishte artist me sjellje e me veprime të fisme në kohë të mirë e në kohë të ligë.

Ishte artist i pajisur me dhuntinë e jashtëzakonshme të pushtimit artistik të skenave teatrore dhe i adhuruar e i dashur prej publikut.

Ishte artist që kishte pamje jashtëzakonisht delikate, të brishtë, por ajo pamje ashtu delikate, ashtu e brishtë, ishte e përbërë prej një trupi jashtëzakonisht të qëndrueshëm dhe prej një fytyre jashtëzakonisht shprehëse, të paharruar, madje madhështore.

Aleksandër Moisiu ishte i veçantë me të gjitha: i veçantë me pamjen, i veçantë me karakterin, i veçantë me dhuntinë, i veçantë me zërin e tij magjik, i veçantë me gjithë jetën dhe, më në fund, i veçantë me ndarjen nga jeta. Kishte vdekur në moshën më të mirë krijuese siç kishin vdekur disa protagonistë tragjikë rolet e të cilëve i kishte përjetësuar në skenë.

E dyta, mund të them se titulli që m’u dhurua prej jush më gëzon edhe për arsye se më dhurohet pikërisht këtu, në Durrës.
Durrësi është njëri prej qyteteve më të lashta shqiptare. I ndërtuar në vendbanim ilir.

Durrësi është qytet me jetëshkrim jashtëzakonisht të pasur.
Të pasur dhe dramatik.

E jetëshkrimin e tij të tillë – të pasur e dramatik në masë të madhe e kushtëzoi pozita gjeografike e qytetit me qytetërim tokësor e me qytetërim detar që ia kishte caktuar natyra dhe historia.

Në historinë e tij aq të gjatë Durrësi do të jetë qytet me vite të priturash e të papriturash, me vite gëzimesh e me vite dhembjesh, me vite lirie e me vite pushtimesh, me vite të qytetit shtet e me vite të qytetit kryeqytet.

Kurrë, qoftë i sunduar, qoftë sundues, Durrësi nuk do të pushojë të jetë pasardhës i dëshmuar i ilirëve.

Do të shquhet me aftësinë e madhe të përvetësimit të kulturave e të qytetërimeve të ndryshme të kohëve të ndryshme e me pasurinë e madhe të monumenteve kulturore të të gjitha kohëve, më së shumti të paraardhësve e pasardhësve rrënjës.

Të jesh qytetar i Durrësit, me jetëshkrim të tillë aq të pasur, është kënaqësi dhe njëkohësisht obligim. Kënaqësinë, ja, po e përjetoj këtu, por obligimin a do të mund ta sendërtoj, nuk e di a do të më japë afat mosha.

2.

Me pamjen dhe gjendjen e tij të sotme Durrësi flet shumë jo vetëm për veten, po për gjithë Shqipërinë, për Shqipërinë e Kosovën, për gjithë shqiptarët.

Shqipëria, më shumë se gjendje, sot është mundësi.

Koha në të cilën jeton brezi ynë është kohë e gjasave tona.

Dhe, këto gjasa na u dhuruan në fundin e shekullin 20 dhe në fillimin e shekullit 21.

Gjatë, me shekuj, ishim popull i pushtuar.

Gjatë, me shekuj, jetuam duke u tkurrur trojet tona.

Gjatë me shekuj, pa u ndalur, shumë prej bashkëkombësve tanë u larguan prej trojeve tona.

Gjatë, me shekuj, çapuam ngadalë, lodhshëm, pas popujve të kontinentit të cilit i takojmë: pas popujve evropianë, madje edhe pas disa popujve ballkanikë.

Koha që na solli gjasa, shpresa, solli ndryshim në gjendjen tonë historike. Sot jemi popull jo me një po me dy shtete. Çështja kombëtare shqiptare, me krijimin e shtetit të dytë shqiptar – Kosovës, pjesërisht është zbutur. Emri ynë në marrëdhëniet ndërkombëtare sot tingëllon më mirë e më pranueshëm. Është shtuar numri i shteteve që na nderojnë si popull dhe na e njohin shtetin e dytë. Paragjykimet me të cilat dikur shiheshin identiteti ynë, aftësitë tona shtetkrijuese, kulturore e qytetëruese janë komprometuar njëherë e përgjithmonë nën ndikimin e dy shteteve tona, të letërsisë, të arteve e të shkencave tona, të kulturës e qytetërimit tonë.

3.

Të gjitha këto që u thanë për gjendjen tonë historike, sot dëgjohen gëzueshëm. Por, nuk do të duhej të harronim e ta mosduronim mendimin: një popull quhet politikisht dhe etikisht i pjekur në qoftë se i sheh qartë, me sy kritik, edhe të metat, veset, gabimet, të këqijat e veta.

Historia, thuhet, është mësuesja më e urtë në jetën e njeriut. Në qoftë se duam të mësojmë prej saj atëherë duhet të pranojmë se përbërësi më vendimtar i njësisë sonë shpirtërore – kohezioni shoqëror dhe mbarëkombëtar është cenuar apo, madje, është rrezikuar sot sa apo më shumë se në disa periudha të mëparshme historike. Për krijimin, ruajtjen, forcimin e këtij kohezioni janë bërë shumë përpjekje në epokën e Skënderbeut, në epokën e Rilindjes Kombëtare, që i ka ndërtuar themelet e kohezionit shoqëror e mbarëkombëtar, mes dy luftërash botërore dhe në periudhën e komunizmit.

4.

Kemi menduar se në periudhën pjesëmarrës të së cilës jemi – në periudhën e demokracisë do të përmirësohet shpejt jeta jonë në të gjitha fushat e saj. Por, shpejt do të jemi të detyruar t’i besojmë shkrimtarit të madh francez, Andre Zhid, i cili thotë: “Lirinë më lehtë e fitojmë se ç’do të dimë ta shfrytëzojmë”. Shumë më shpejt se ç’mund të na ketë shkuar mendja po shihet se sa e se si po cenohet, madje, kur e ku po rrezikohet kohezioni ynë shoqëror dhe mbarëkombëtar.

Shumë shpejt në të dy shtetet tona janë shfaqur krahinorizmi dhe lokalizmi. Janë paraqitur, madje, edhe predikuesit e krahinorizmit të cilët, fjalës centrizëm ia vejnë parashtesë emrin e shtetit a krahinës ku jetojnë dhe atë trillim të tyre, që cenon kohezionin shoqëror e mbarëkombëtar, e shpallin shtyllë kurrizore të shoqërisë dhe të kombit të Kosovës, përkatësisht të Shqipërisë!

Me ndikim cenues, të veçantë, ndaj kohezionit shoqëror dhe mbarëkombëtar është ideja e kombit kosovar, predikuesit e së cilës janë të mbledhur në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Njëri prej ish kryetarëve të kësaj Akademie para disa vjetësh do të deklarojë me një rast se “pakicat kombëtare, sidomos ajo serbe, sigurinë e tyre në Kosovë do të mund ta realizojnë vetëm me krijimin e kombit kosovar!”.

Ndikues që dëmtojnë dukshëm kohezionin shoqëror dhe mbarëkombëtar janë: rënia e klasës së mesme, rendi politik oligarkik shumë i korruptuar në Shqipëri e në Kosovë, ndarja gjithnjë e më e shprehur e shoqërisë sipas klasave e brezave e prejardhjes, trajtimi gjithnjë e më i pabarabartë i dinjiteteve.

Nuk ka dyshim se ndikim veçanërisht cenues në kohezionin tonë shoqëror dhe mbarëkombëtar po sjell konflikti i gjatë, i pandalshëm, i forcave politike sidomos në Shqipëri dhe gjithnjë e më i dukshëm edhe në Kosovë. Është e ditur se aty ku nuk durohen, në të vërtetë ku konfliktohen forcat politike aty qytetarët ndihen të pasigurt dhe kjo pasiguri e dobëson lidhjen e tyre me vendin e tyre duke ua nxitur dëshirën për emigrime.

Është pa dhe është dëshmuar se në cenimin, madje, në dobësimin e kohezionit shoqëror dhe mbarëkombëtar ndikim të madh ushtrojnë edhe sidomos papunësia, veçmas papunësia e të rinjve, padrejtësitë e ndryshme që më së shpeshti u bëhen të varfërve, korrupsioni që pengon zhvillimin e marrëdhënieve demokratike dhe sjell shumë dëshpërim ndaj shtetit, nepotizmi që favorizon të vetët, familjarët, miqtë, bashkëpunëtorët, bashkëpartiakët dhe diskriminon të tjerët duke nënçmuar aftësitë, prirjet, të drejtat dhe meritat e të tjerëve; mandej zhvendosjet gjithnjë e më të shpeshta, në mënyrë të veçantë të të rinjve, dhe, dhe, dhe shpërfilljet e krijimtarisë letrare, artistike e shkencore dhe zëvendësimi i tyre me televizionet dhe rrjetet sociale!

5.

Çka duhet të bëjmë në këtë gjendje kaq të rrezikuar të kohezionit tonë shoqëror dhe mbarëkombëtar?

Kujt, i takon rol i veçantë në përpjekjet për parandalimin e kësaj të keqeje?

Përgjigjja ime është: rol i veçantë iu takon intelektualëve dhe universiteteve.

Si institucione të arsimit të lartë, që çmohen shumë prej popullit, që financohen prej shtetit, që krijojnë mendjen e zhvillimit të shoqërisë, të kombit e të shtetit, universiteteve si qendra të intelektualëve iu takon detyrë e veçantë për t’i hetuar posa shfaqen dhe për t’ia treguar opinionit të gjitha të këqijat që dëmtojnë interesat e përgjithshme.

Këtë detyrë e kanë universitetet tona për t’ia bërë opinionit qartë të dukshme krizën e vlerave, krizën e moralit, dobësimin e shpejtë dhe me pasoja të mëdha të kohezionit tonë shoqëror dhe mbarëkombëtar.

Në universitete janë kuadrot e specializuara për të gjitha shkencat. Pedagogët e tyre me fjalën e me shembullin e tyre duhet t’i mësojnë të rinjtë që të kenë mendim të pavarur e kritik, që të jenë mendërisht të pa frikësuar prej censurave e prej pasojave të tjera administrative.

Universitetet duhet t’i bëjnë bindje të përgjithshme shoqërore e kulturore të vërtetat:

se shkenca është themeli i zhvillimit të përgjithshëm në shekullin njëzet e një,

se kultura kurrë nuk mund të jetë e kaluar, sepse është e gjithmonshme,

se kultura është ajo përmbajtja e madhe që e krijon dhe e pasuron identitetin e çdo kombi,

se në kushtet e ringjalljes së nacionalizmave të popujve të mëdhenj e të zhvilluar të Bashkimit Evropian, ne mund të mbahemi, mund të ruajmë e mund të pasurojmë identitetin tonë, të sotmen e të ardhmen tonë në atë Bashkim, ta shumëvlershëm, madhështor, në të cilën pashmangshëm duhet të hyjmë, duke e nxitur, duke e çmuar e duke e vlerësuar krijimtarinë shpirtërore: shkencat, letërsinë, artet, në përgjithësi kulturën tonë.

Kjo rëndësi e jashtëzakonshme e shkencës, e arteve, e kulturës në përgjithësi për zhvillimin tonë në shekullin në të cilin ecet përpara vetëm me dijet e sakta, të gjera e të thella, me të vërtetat e të drejtat e shtron edhe nevojën e afirmimit të vlerave tona shkencore, letrare, artistike, kulturore në përgjithësi.

Dhe, këtë afirmim do ta sendërtojmë jo duke pritur të huajt që të vijnë e të kërkojnë vlerat tona krijuese, se ata nuk vijnë t’i kërkojnë si dikur, por t’ua përkthejmë vetë ato që duhet të përkthehen dhe të botuara, bashkë me veprat e arteve që s’kanë nevojë për përkthim e botim, t’ua ofrojmë me shpjegimet dhe përimtimet e nevojshme – ashtu, më në fund, siç po bëjnë sot për afirmimin e krijimtarisë së tyre shpirtërore një varg shtetesh jo vetëm në këtë Ballkanin tonë.

S’ke mundësi të dukesh, të shquhesh, të afirmohesh me teknologjinë, me ekonominë, me pasurinë e me fuqinë hajde duku, shquaju, afirmoju me vlerat e arteve, të letërsisë, të kinematografisë, të arteve pamore, të shkencave, të kulturës, që është afirmim më i përhershëm e më lavdisjellës se të gjitha afirmimet e tjera.

Durrës, Nëntor, 2019

SHPËRNDAJE