Shkruan Bekim Haxhiu: Gjendja e rëndë në shëndetësi është me fajin e politikës

Shkruan: Bekim Haxhiu

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) në muajt e fundit ka filluar dhënien e shërbimeve 24 orë në Kardiologji dhe Onkologji, ndërsa është inauguruar edhe reparti i ri intenziv, ku numri i shtretërve është rritur nga 14 në 27. Për këtë i falënderoj investitorët dhe donatorët, të cilët krijuan hapësirë më të mirë për trajtim të pacientëve.

E dini që mungesa e hapësirës së nevojshme në repartin intenziv në QKUK dhe spitalet rajonale, ka qenë një vërejtje e imja e vazhdueshme ndaj të gjithë udhëheqësve të Ministrisë së Shëndetësisë. Unë do të vazhdoj të jem kritik edhe më tutje, derisa Ministria e Shëndetësisë të i përmbushë detyrat që i ka të parapara me ligj.

Mirëpo, kujdesi në repartin intenziv nuk do të thotë vetëm sigurimi i shtratit për pacient, por pacientëve duhet t’i sigurohet edhe trajtimi i duhur mjekësor, ekzaminimet e domosdoshme dhe sigurimi i barnave për trajtim mjekësorë, gjë të cilën Ministria e Shëndetësisë nuk është duke e bërë as në këtë udhëheqje.

Për mua vazhdon të mbetet shumë shqetësuese fakti i mungesës së barnave nga Lista Esenciale, në veçanti kur familjarët e pacientëve të shtrirë në intenzivë çdo ditë në ora 13:00 duhet të marrin të shkruar listën e gjatë të barnave që duhet të blejnë.

Situatë e njëjtë me mungesë të furnizimit me barna dhe material shpenzues mjekësor është edhe në Klinikën e Onkologjisë dhe Klinikën e Kardiologjisë, ku personeli mjekësorë po bënë maksimumin për të ofruar shërbim 24 orë, por për fat të keq Ministria e Shëndetësisë është ajo që po vazhdon të mos bëjë furnizimet e duhura me rregull.

Ministria e Shëndetësisë nuk po arrin të përmbushë objektivat dhe detyrat e përcaktuara me ligj, andaj mungesa me barna dhe material shpenzues është shndërruar në dukuri të zakonshme, ku po mungojnë gjërat elementare për trajtim të pacientëve.

Neglizhenca e Ministrisë së Shëndetësisë në furnizim me barna nga Lista Esenciale është për çdo kritikë, pasi që arsyetimet se po bëhet revidimi i Listës Esenciale nuk qëndrojnë. Kjo pasi që u bënë dhjetë muaj me mungesa të furnizimeve dhe do të duhet edhe se paku gjashtë muaj, që të përfundojnë procedurat për furnizim me barna nga Lista Esenciale.

Ministrisë ndoshta nuk i ngutet, nuk i bëhet vonë, por pacientët janë ata që kanë nevojë, atyre iu ngutet, ata kanë nevojë menjëherë për barna. Pacientët janë ngopur me premtime e fjalë boshe, si: “do ta bëjmë”, “do ta furnizojmë”, “do të shikojmë”, “do të …” dhe “do të …” të pafundme!

Për hirë të korrektësisë, duhet t’i përgëzojmë mjekët tanë për punën e madhe që po e bëjnë, sepse ata kanë merita të jashtëzakonshme. Por, mjekët asnjëherë nuk patën mbështetjen e duhur institucionale për t’u ofruar pacientëve përkujdesjen e duhur mjekësore dhe asnjëherë nuk u pagua në mënyrë meritore puna e tyre.

Të kuptohemi qartë, gjendja aktuale e rëndë në shëndetësi nuk është me fajin e mjekëve, por me fajin e politikës, në veçanti udhëheqjes së Ministrisë së Shëndetësisë, e cila nuk ishte në nivelin e duhur të menaxhimit profesional.

Ligjet për reformën në shëndetësi janë votuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2012 dhe 2013, por ende asnjë ministër nuk po arrin ta bëjë të mundur zbatimin e tyre, prandaj vazhdojmë të kemi problem me sistemin shëndetësor, me mungesa në furnizime më barna dhe pajisje mjekësore, si dhe moszbatim të sigurimeve shëndetësore.

Deri me tani në shëndetësinë tonë janë kryer shumë studime, hulumtime, analiza nga ekspertet vendorë dhe ndërkombëtarë, është koha e fundit që të zbatohen strategjitë dhe programet e miratuara me qëllim të reformimit dhe përmirësimit të sistemit tonë shëndetësorë.

I bëjë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që t’i ndërmerr të gjitha masat e nevojshme, për përmirësimin e kësaj gjendje alarmante, të zbatoj reformën, të jetë efektive dhe efikase në veprime për përmirësuar shërbimet shëndetësore për pacientë, të implementoj dhe garantoj një sistemi shëndetësor universal, cilësor, të qëndrueshëm dhe të përballueshëm për të gjithë, të orientuar jo vetëm në trajtim, por edhe në parandalim të sëmundjeve.

Mbështetja e ime dhe të gjithë profesionistëve shëndetësorë, do të jetë e vazhdueshme për përmirësim të gjendjes në shëndetësi, duke qenë çdo herë në shërbim të pacientëve.

(Autori është deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës)

SHPËRNDAJE