Shkruan Berat Buzhala: A do t’i fitojë zgjedhjet LDK-ja? Qe qysh e shoh unë… (1)

Yjet po rreshtohen aq mirë për këtë subjekt politik, sa mjafton që të mos gabojnë para portës së zbrazët. Krejt çfarë duhet të bëjnë është që, më 3 gusht, fituesi i pozitës së kryetarit të partisë dhe humbësit në këtë garë t’i kapin duart me njëri-tjetrin dhe të dalin unik përpara Kuvendit të Përgjithshëm. Veç ky spektakël dhe ky unitet ia shton kësaj partie dy-tre për qind të votave. A është kjo gjithçka çfarë duhet për të fituar? Jo, as për së afërmi.

Lidhja Demokratike e Kosovës është i vetmi subjekt politik në vendin tonë që ne vendosim ta votojmë kur bëhemi nervoz me partitë tjera politike.

“E qe pasha Zotin LDK-së kam me ia qitë votën”, është një ofshamë që e dëgjon nga qytetarët sa herë që dikush prej partive tjera e bën ndonjë akt skandaloz si, bie fjala, e lexon në shtyp që Besim Beqaj i PDK-së e ka shpërblyer me një tender një sallon ondulimi, në emër të avancimeve teknologjike.

Pra LDK-ja është më shumë një resort ku ne dëshirojmë të pushojmë kur ndihemi të dhunuar dhe të përdhunuar, se sa një alternativë serioze politike.

“LDK-ja nuk është si KËTA”

Nëse e interpretojmë këtë citat, do të thotë që LDK-ja nuk është e dhunshme, nuk vjedh aq shumë, nuk rri në pushtet aq gjatë dhe me çdo kusht (në fakt as nuk mundet). Me fjalë të tjera i ka ca skrupuj, që mungojnë gjerësisht viteve të fundit.

Shpeshherë ky subjekt shkon në skajin tjetër. Sillet me arrogancë dhe shpërfillje, duke pritur të tjerët të gabojnë, për të na thënë më vonë triumfalisht “nuk po na votoni neve, qe tash!”.

Nëse partitë tjera ta marrin votën gati dhunshëm, LDK-ja qëndron anash, duke e ngritur njërën vetull lart mbi ballë. Nënteksti i kësaj pamje është që “ne këtu jemi, kurse ju të vendosni për ndryshime”. Ky subjekt gati nuk ta kërkon votën. Madje gati kërkon që ne ta falënderojmë atë pse po na lejon dhe pse po na mundëson ta votojmë. Sillet si një subjekt ekskluziv, thua që jo çdokush edhe mund të votojë për të.
Lidhja Demokratike e Kosovës sigurisht që dallon prej partive të tjera, por jo aq shumë sa ata mendojnë. Ka mundësi që në krye të thesit gjendet një produkt i një cilësie më të mirë, por, sikur disa tregtarë hileqarë të specave, në mes të thesit dhe në fund të tij vazhdimisht vendosin mall që në rrethana normale, sikur të mos fshiheshin ashtu sikurse ishin fshehur, askush nuk do t’i çojë në shtëpi. Jam dëshmitar i gjallë i skenave të tilla, pothuajse sa herë që është kthyer baba nga pazari.

“Ku i pate sytë bre hej?” (kështu nana i referohet babës: hej).

Brenda LDK-së, gjithashtu, janë disa momente kur ia vlen të shtrohet kjo pyetje “ku i pate sytë?” sa herë që gjurmon pak më thellë në thes.
Mirëpo, nëse i injorojmë për pak çaste këto nuanca dhe ilustrime, atëherë nuk është kurrfarë zbulimi nëse themi që LDK-ja, përveç që është subjekti më i vjetër politik në vend, madje thuhet edhe më i vjetri në Evropën Juglindore pas rënies së komunizmit, është edhe subjekti i vetëm normal në Kosovë. Ose le ta themi kështu: është subjekti i vetëm politik në vend të cilit emri i partisë i kushton më shtrenjtë sesa emri i kryetarit.

Pa përjashtim, secilit prej subjekteve të tjera politike nëse ua heq nga ekuacioni liderin ato nuk vlejnë pesë pare. Dikush do të mundë të thoshte që edhe PDK-ja e kaloi krizën e ndërrimit të liderit. Në fakt ky subjekt është më keq se të gjithë të tjerët. Aty njëmend Thaçi nuk është më lider de jure, mirëpo ai ka kaluar nga kryetar i PDK-së në president të PDK-së.

Thaçi është president legal i vendit, këtë ndoshta nuk e konteston askush, por ai nuk ka legjitimitet. Për të kanë votuar deputetët, mirëpo për ta marrë votën e tyre Thaçi është shërbyer me resurse publike, si bie fjala terminale dhe poste ambasadorësh. Kjo e bën Thaçin president të një partie dhe jo president të qytetarëve. Për simbol të unitetit nuk kemi çfarë të flasim.

Në anën tjetër për partitë tjera gjithashtu dihet çdo gjë. Nuk ka AAK pa Ramushin, nuk ka Nismë pa Fatmirin, e gjithashtu, fatkeqësisht, nuk ka as LVV pa Albinin. Ndërsa, ka LDK pa Isa Mustafën. Votuesit jo vetëm që mund ta imagjinojnë LDK-në pa Mustafën, por edhe e dëshirojnë një gjë të tillë. Koha e gjatë e qëndrimit në krye të partisë, gjendja shëndetësore e tij, zigzaget e ndryshme ndër vite, humbja e shumë palë zgjedhjeve, kanë ndikuar që Mustafa ta humbë shkëlqimin që e kishte para 10 vitesh, kur fikall i vetëm në Prishtinë i bënte blozhdë të gjitha subjektet tjera politike.

Tash, me shumë të drejtë, brenda kësaj partie janë rritur apetitet për ta fituar Kosovën, por paraprakisht LDK-në. Madje, ai që e fiton LDK-në zëre që e ka fituar Kosovën. Gati që zgjedhjet brenda LDK-së janë më të vështira, se sa ato në nivel vendi.

Yjet pa rreshtohen aq mirë për këtë subjekt politik sa mjafton që të mos gabojnë para portës së zbrazët. Krejt cfarë duhet të bëjnë është që me 3 gusht fituesi dhe humbësit t’i kapin duart me njëri tjetrin dhe të dalin unik përpara Kuvendit të Përgjithshëm. Veç ky spektakël dhe ky unitet, nëse arrihet dhe nëse ruhet, i shton kësaj partie dy-tre për qind të votave. Ka pak rëndësi nëse fitues është Vjosa, Luta, Agimi 1, Agimi 2, Abdullahu, Kujta apo ndonjë tjetër. E rëndësishme është që gara të ketë qenë e hapur, e ndershme, pa ndërskamca, edhe mundësisht pa karrige. Sa më e bashkuar që LDK-ja del prej Kuvendit, aq më e fortë do të jetë në zgjedhje.

Plani i saj qeverisës? E kemi thënë më lart, LDK-ja nuk ka nevojë për ndonjë plan. Mjafton plani që kishin rivalët e saj.

A është kjo gjithçka? Ncuk.

Politika dhe komplikimet që ajo i sjell ta përdredhin qafën. LDK-ja si subjekt politik, nëse përballet vetëm për vetëm me subjektet e tjera sigurisht që do të dalë me më së shumti vota, mirëpo historia e zgjedhjeve të kaluara na ka mësuar plot gjëra. LDK-ja jo vetëm që nuk kishte arritur t’i fitonte zgjedhjet për vete, por kishte shkuar edhe më larg, brenda vetes e kishte rritur një subjekt, AKR-në, e cila në momentin e fundit arriti t’i shiste votat e deputetëve, siç thonë në Shqipëri, sa frëngu pulën.

Sot e kësaj dite nuk dihet qartë se sa deputetë në fakt i kishte gjithsej AKR-ja, por dihet qartë që secili prej tyre peshohej me dukat. Një deputet, një ministër. Po të kishte nevojë për ta plotësuar këtë kuotë do të bëheshin edhe më shumë ministri sesa u bënë. Nuk ishte vetëm AKR-ja që ia ktheu dhe që ia theu kurrizin LDK-së, një gjë të tillë e bëri edhe Teuta Rugova. Ne lirisht mund të themi që pa LDK-në kjo Qeveri nuk do të bëhej. Pra, mësimi i parë është që koalicionet janë shumë të rëndësishme, kurse mësimi i dytë është që mësimi i parë nuk vlen për të gjitha koalicionet. Pastaj LDK-ja është shumë fragjile kur bëhet fjalë për mbrojtjen e votës së deputetëve të vet. Me fjalë të tjera, nëse LDK-ja nuk i ka djegur të gjitha shënimet e vitit 2017, do të bënte shumë mirë që t’i shikonte edhe një herë ato.

Pra, zgjedhjet nuk fitohen ditën e zgjedhjeve, ato duhet të shpallen të fituara ose të humbura ditën kur votohet Qeveria. Deri në atë moment çdo gjë është në shitje dhe çdo gjë është në blerje. Historia na ka mësuar që LDK-ja nuk qëndron mirë në këtë fushë. Nëse për Isa Mustafën dita e punës zgjat tetë orë, për udhëheqësit e partive të tjera dita realisht fillon në atë moment që Mustafa e shpall të mbyllur atë. Darkat e gjata plot me verë dhe me puro, janë ideale për gjueti deputetësh. Hienat veterane të politikës në Kosovë i kanë të përsosura këto taktika. Viktimat e para zakonisht janë ata që jetën politike sapo e kanë nisur. Sulmi me të gjitha mjetet kryhet mbi ta. Të njëjtit lihen në mëshirën e fatit nga LDK-ja, që siç u tha e mbyll ditën shumë herët për rrethanat ballkanike. Kjo çfarë bën LDK-ja, duke mos ushtruar trysni ndaj të vetëve, duke mos i shtrënguar ata, është gjë e mirë, mirëpo për Danimarkë ndoshta. Partitë dhe liderët duhet të veprojnë në përputhje me traditat dhe praktikat lokale.

Mirëpo a e ka plotësisht të sigurt LDK-ja fitoren?

Po edhe jo!

E ka të sigurt nëse garon kokë me kokë me partitë kryesore në vend. Nëse lidhen koalicione dhe bëhen aleanca, e nëse LDK-ja qëndron larg prej tyre, ose edhe më keq, nëse bën koalicion me partiçka që dalin në shitje fill pas zgjedhjeve, atëherë ky subjekt ose do të qëndrojë edhe disa vite në opozitë, ose do t’i bëhet këmbë ndihmëse ndonjë subjekti tjetër politik, pas zgjedhjeve.

Kështu siç duken gjërat, LDK-ja është në “pole position”. Përveç tjerash, LDK-ja është subjekti më i pëlqyer nga të gjitha partitë për të bërë koalicion parazgjedhor. Të gjitha subjektet, madje edhe PDK-ja, do ta dëshironte një martesë parazgjedhore me LDK-në. Mirëpo, elektorati i LDK-së është skeptik për partnerët e partisë. Ai dëshiron që LDK-ja të shkojë sa më afër partive që janë sa më larg PDK-së. Konkretisht në meny të partisë, pa frikën e rrjedhjes së votave diku tjetër, është Lëvizja Vetëvendosje, me të cilën është e sigurt fitorja, por jo edhe hisja e madhe e pushtetit. Përpjekjet për t’u bërë bashkë me këtë subjekt janë duke vazhduar që prej zgjedhjeve të fundit, mirëpo duket e vështirë një marrëveshje për sa kohë mund të zgjidhet vetëm një kryeministër. Pozita e presidentit mund ta zbusë krizën deri diku, mirëpo rreziku është i madh, duke pasur parasysh që deri në fund të mandatit të tij Thaçi i ka edhe pak më pak se dy vjet. Përveç Lëvizjes Vetëvendosje, LDK-ja mund të llogarisë edhe në një partneritet me AAK-në e Haradinajt. Këto dy subjekte e kanë një histori të mirë të marrëveshjeve. Ajo më e rëndësishmja është marrëveshja që e kishte bërë me Haradinajn ish-presidenti Rugova, në kohën e tensioneve të mëdha politike, në vitin 2004. Me Haradinajn LDK-ja ka mundësi ta mbajë për vete pozitën e kryeministrit të vendit, duke e ofruar pozitën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Sikur me LVV-në, edhe me AAK-në në një marrëveshje parazgjedhore do ta kishte të sigurt fitoren. Përveç këtyre dy subjekteve serioze politike, Lidhja Demokratike e Kosovës do të mundë të rrezikonte që të futej në një partneritet parazgjedhor vetëm me Nismën për Kosovën, kurse marrëveshjet tjera eventuale, me një çmim më të favorshëm, t’i realizonte pas zgjedhjeve. Një skenar i tillë është interesant, edhe pse e bart në vete rrezikun e një partneriteti në mes të LVV-së dhe AAK-së, që pastaj koalicionin LDK – Nisma do ta spostonte në vendin e dytë. Sido që të jetë, raportet e mira që Mustafa i ka pasur, me gjasë vazhdon t’i këtë, me liderin e Nismës, Fatmir Limaj, janë indikacion i fortë që këto dy subjekte do të bëhen bashkë këtë herë, ose para zgjedhjeve ose pas tyre.
Në anën tjetër pjesa e mbetur e subjekteve politike, le t’i quajmë “Të tjerët”, nuk do të duhej të ishin për LDK-në një konop shumë i sigurt për t’u mbajtur prej tyre. Eksperienca e hidhur e LDK-së me partinë e Pacollit dhe me bishta të tjerë, i thotë të gjitha. Ato dalin në shitje sapo të shpallen rezultatet zgjedhore. Pastaj çmimi i tyre varet prej nevojave të atyre partive për ta bërë qeverinë.

(Vijon: Lëvizja Vetëvendosje)

SHPËRNDAJE