Shkruan Berat Buzhala: Beteja e fundit e Presidentit Thaçi

Shkruan: Berat Buzhala

Kreu i shtetit, Presidenti Thaçi, në top prioritet të tij nuk e ka betejën me Serbinë dhe Aleksandër Vuçiqin. Ai në prioritet të tij e ka shndërrimin e Kosovës brenda natës në Republikë Presidenciale, përmes karremit të Ekipit të Unitetit.

Përveç kësaj vere të freskët dhe përplot me reshje, për mu mbetet mister edhe nxitimi për ta konsideruar gjendjen në vendin tonë aq të jashtëzakonshme, që tash i madh e i vogël duhet t’i bindemi dhe duhet t’i rreshtohemi si qurana prapa Presidentit Thaçi.

Përvec kësaj, për mu gjithashtu mbetet mister përse Presidenti Thaçi po i jep kaq shumë vurmak kësaj teme. Përse duhet që “ose sot ose kurrë” të provojmë ta zgjidhim problemin historik me Serbinë. Në mes nesh dhe serbëve asnjë problem nuk mund të zgjidhet për tre katër muaj. Për tre katër muaj ne nuk mund të merremi vesh as për ta hequr një mur të betonit në Mitrovicë, e lërë më drejtimin e historisë në mënyrë përfundimtare.

“Nuk kemi kohë për të humbur… duhet ta mbyllim fazën finale të dialogut me Serbinë… duhet ta mbyllim këtë vit… duhet të bëjmë marrëveshje të dhimbshme…”, pak a shumë kështu po flet Presidenti Thaçi tash e disa muaj.

A nuk janë këto deklarata kontradiktore në vetëvete?

Nëse marrëveshja qënka e dhimbshme, nëse ne duhet të përgatitemi për të bërë lëshime të mëdha, nëse duhet t’i nxjerrim mindilat për t’i fshirë lotët, atëherë përse duhet edhe të nxitohemi? A ndoshta vargu i Elita 5 “Më mirë një fund i tmerrshëm se sa një tmerr pa fund” është parimi kryesor prijës i politikës tonë.

Njeriu, e edhe shteti, nxitohet për të kapur një marrëveshje të mirë, e jo për të kapur një marrëveshje të keqe e të dhimbshme.

Kjo i bie, hajdeni burra shkojmë shumë shpejt në fazën finale të dialogut, të gjithë tubë, t’ia japim Serbisë veriun e vendit. Pse cka ndodh nëse nuk ngutemi? A ka mundësi që pendohet Serbia, e thotë “jo tash nuk më duhet, e keni humbur hapin, tash mbajeni ju veriun”.

Ose, hajdeni burra shkojmë shpejt në fazën finale të dialogut, të gjithë tubë, t’ua japim serbëve një autonomi brenda Kosovës, sepse vitin tjetër nuk do ta pranojnë?

Pra, cila është logjika e nxitimit?

Kosova dhe qytetarët e saj është e vërtetë që nuk po jetojnë kushedi sa mirë, mirëpo as në luftë nuk janë. Ne nuk jemi duke ju nënshtruar gjenocidit. Krimet më të mëdha janë në komunikacion, ku gjithashtu po participon edhe Presidenti me eskortën e tij.

Në Kosovë nuk ka as ushtri e as polici të huaj. Nuk kemi korrur ndonjë rezultat spektakolar, mirëpo për këto 10 vjet shtet jemi njohur nga gjysma e botës, jemi bërë pjesë e organizatave të rëndësishme ndërkombëtare, standardi i jetës ka mundur të jetë edhe më i mirë, por nuk është kushedi sa keq.

Pra, cila është logjika e nxitimit, dhe e krijimit të një uniteti vëllazëror?

Për mendimin tim këtu janë dy arsye:

Arsyeja e parë është personale. Thaçi gjatë gjithë mandatit të tij, posacërisht tash kur është në koalicion me AAK, Nisma dhe AKR, në mënyrë jokushtetutese e ka shndërruar Kosovën në Republikë Presidenciale, me primesa erdoganeske, ose vuçiqeske.

Thaçi, dihet botërisht, në muajt e fundit ka orkestruar aksione policore në veri, ka marrë pjesë në kidnapimin e shtetasëve të huaj, i ka marrë nën kontroll organet e sigurisë, policinë dhe AKI’në, merr pjesë në takime të paautorizuara nga askush me Presidentin serb, Vuqiq.

Në gjithë këtë spektakël të hidhur të tij, Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit, i janë subordinuar atij si dy nxënës të dëgjueshëm. Mirëpo Thaçi e di që kjo cfarë është duke bërë është, në mes të madhe, ilegale, prandaj e sheh të nevojshme që ta legalizojë aktivitetin e tij politik. Mënyra më e mirë, sipas tij, do të ishte që tash e gjitha skena politike, minus Albin Kurtin, të bëhej pjesë e ekipit të tij. Në këtë mënyrë Thaçi, brenda natës, do ta shndërronte Kosovën në Republikë të fortë Presidenciale. Për dallim nga Kryeministri Haradinaj, i cili është Kryeministër i 50-60 deputetëve, Presidenti Thaci do të ishte pastaj President i mbi 80 deputetëve.

Nëse Kuvendi i Kosovës, koalicioni qeverisës plus LDK, e pse jo edhe PSD, do ta votonin platformën për dialog, do ta votonin Thaçin si udhëheqës të ekipit, kjo do t’i jepte atij cdo gjë që ai ndonjëherë ka dëshiruar. Do ta krijonte një ekip kukullash rreth vetës, dhe do të fillonte një jetë të re politike. Ajo cfarë na paraqitet si një dramë tre katër mujore do të shndërrohej në një ankth disa vjecarë. Thaçi do të ishte kryefjala dhe kallxuesi i cdo gjëjë politike në vendin tonë. Derisa Kryeministri Haradinaj do të merrej me “punë të mëdha” në Kosovë, Thaçi në Bruksel do hapte edhe njëherë kapitullin e mbyllur të Kosovës.

Kurse arsyeja e dytë e nxitimit të tij është që gjatë kohës kur ai ta nisë dialogun e “dhimbshëm dhe të tensionuar”, në Kosovë të mos ishte asnjë zë normal politik që do ta kundërshtonte. Në këtë mënyrë, me një gur dy t’i mbyste do zogj. Do ta merrte atë që e dëshiron, pra konfirmimin që është politikani i vetëm i pranueshëm nga të gjithë – nga ky kompleks vuan Thaçi që dy dekada – dhe në dy ta vorrosë LDK’në përfundimisht – edhe kjo është një dëshirë e tij e vjetër dy dekada.

Mirëpo anash prej dëshirave të Thaçit, që dorën në zemër janë legjitime që ai të provojë t’i realizojë, do të ishte cmenduri që në këtë fazë Kosova t’i nënshtrohet atij. Thaçi, bashkë me koalicionin e tij, do të bënin mirë që të vazhdonin punët e tyre. Madje ata edhe duhet ta vazhdojnë dialogun me Serbinë, pa pasë nevojë për ekipe të uniteteve, përvec nëse e kanë ndërmend që kufirin ta sjellin deri në Vushtrri.

SHPËRNDAJE