Shkruan Berat Buzhala: E Kadri Veseli ku është zhdukur??

z. Veseli, kudo që ndodhësh, nëse rastësisht po e lexon këtë shkrim, dëshiroj të të pyes, fillimisht si jeni më shëndet, dhe pastaj ca pyetje politike, të cilat ia ke më borxh edhe mitrovicalive të tu, por edhe banorëve të tjerë të Kosovës.
Nëse nuk gaboj dy vite më parë serbët patën filluar ta ndërtonin një mur në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, sipas tyre, për të mbrojtur nga veturat pjesën për këmbësorë në anën serbe të qytetit.

Kjo punë u bë aq e madhe, aq shpejt, sa u ngrit i madh e i vogël për ta mbrojtur Mitrovicën prej ndarjes. Më i zëshmi prej të gjithëve, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i lindur dhe i rritur në atë qytet, ku edhe sot e kësaj dite i jeton një pjesë e familjes. E mbaj në mend, kur të gjithë e kishin pranuar një lloj të kompromisit që nuk nënkuptonte rrënimin e tërësishëm të murit, Veseli e dontë rrafsh për toke. Asnjë centimetër mbi asfalt. Për këtë temë, thuhej, kishte biseduar edhe më ndihmëssekretarin e shtetit në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Por ku është sot z. Veseli, tash kur (ar)miku i tij z. Thaci nuk e ka ndërmend të ndërtojë mur, e ka ndërmend të ndërtojë kufi aty. Pa pyetur askënd.

Për t’i shtyer përpara idetë e tij lunatike, dhe për ta shpëtuar lëkurën e tij, Thaci nuk do të lë asnjë gurë pa e rrotulluar, e nuk e ka asnjë pengesë morale që nën atë gurë ta fusë secilin që do t’i dalë përpara. Ta zemë sot i ra në qafë ish liderit të pensionuar të Shqipërisë, vetëm pse ai guxoi ta zinte në gojë Luginën e Preshevës, sikur të kishte thënë ndonjë mendim Berisha për arat e Brojës. I shpërthyen Thacit kompleksët e ndrydhura, si fontanë. U pa se sa shumë e paska vuajtur Berishën, por që për arsye politike i paska mbajtur të ndrydhura brenda vetës. Pra, është i njëjti Berishë me të cilën Thaci jepte intervista të përbashkëta në studio të ndryshme televizive, sa të Fevziu, sa në RTK.

Këtë fat të Berishës do ta ketë tash e tutje cdo kush prej shqiptarëve të rajonit që do të guxojë të flasë një fjalë të vetme për paqën ose luftën në rajon. Këtë kryq Thaci e ka vendosur që ta bartë i vetëm mbi supe. Kuptohet për momentin, për arsye pragmatike, të vetmin që do të provojë ta shikojë përmes gishtave kur flet dicka është Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj. Thaci tash ka nevojë për stabilitet qeverisës. Nuk është i interesuar që Kosova të shkojë në zgjedhje, sepse e di mirë që rezultati për të do të jetë në formë të referendumit. Pra, për këto arsye, Thaci do t’ia rrahë supët haradinajëve, edhe nëse ata kohë pas kohë do t’i thonë atij ndonjë fjalë të rëndë.

Mirëpo të kthehemi në temën tonë, ose në pyetjen tonë: Kush është z. Veseli? Apo ndoshta duhet që ta kërkojmë përmes Aida Shtinos, në rubrikën Njerëz të Humbur?

Ka shumë pyetje që do të doja t’ia bëjë z. Veseli, edhe unë edhe Gazeta Express, por që për shkak të mungesës totale të gjurmëve të tij nuk po mundemi. Pra, z. Veseli, kudo që ndodhësh, nëse rastësisht po e lexon këtë shkrim, dëshiroj të të pyes, fillimisht si jeni më shëndet, dhe pastaj ca pyetje politike, të cilat ia ke më borxh edhe mitrovicalive të tu, por edhe banorëve të tjerë të Kosovës.

Në intervistat që i keni dhënë për media, prej kur jeni në politikë, shpeshherë me emocione të panevojshme, ju kemi dëgjuar të flisni me pasion për veriun e Kosovës, për Boletinin e Isës, për liqenin e Ujmanit, për minierat e Trepcës, e për cka jo tjetër, sot pse nuk po flisni për këto cështje? A e përkrahni edhe ju KORRIGJIMIN e kufijvë në veri të Kosovës dhe BASHKIMIN e Luginës së Preshevës me Kosovën. Ju z. Veseli, që e njihni Thacin më mirë se cdo njëri tjetër, sigurisht e dini që këta janë gënjeshtra të z. Thaci.

Ju duhet ta dini, përndryshe ju dekoroj me titullin naivi më i madh në Republikën e Kosovës, se në fakt Thaci kur flet kështu ai mendon për korrigjim të kufirit në pjesën e territorit që lidhet me Luginën e Preshevës dhe ndarje të veriut të Kosovës. Në fakt duhet ta dini që ai kur flet kështu mendon vetëm për Tribunalin Special. Prandaj, z. Veseli, cili është mendimi i juaj për këtë cështje? A do të thotë që nën mandatin tuaj si Kryetar i Kuvendit, veriu i vendit do t’i jepet Serbisë, me vulën tuaj?

Z. Veseli, askush në Kosovë nuk është aq idiot sa t’i besojë ato cfarë thotë z. Thaci – vetëm ndonjë leshko. Po besoj që ju nuk jeni ky. Po ta dëgjosh Thacin me vëmendje këto ditë, ai po thotë që Serbia do ta njehë pavarësinë e Kosovës, më kusht që ne e marrim Luginën e Preshevës. Dhe për këtë thotë duhet të nxitohemi. Mirëpo, nëse qënkerka kështu, atëherë kur flet Thaci për proces të dhimbshëm, për cfarë dhimbje është duke menduar? Nëse ai e quan dhimbje bashkimin e Preshevës dhe Bujanovcit me Kosovës, atëherë le të definojmë se cfarë quajmë gëzim?

Një prononcim i juaji z. Veseli për këtë cështje nuk e zgjidhë problemin, mirëpo në këtë fazë politike do të ishte i nevojshëm. Secilit prej nesh i intereson një mendimin i juaj për këtë temë. Jemi kurioz për të mësuar nëse kjo heshtja e juaj është aprovim apo refuzim.

Më lejo që ta mbyllë këtë shkrim me një thënie spektakolare latine: qui tacet consentire, e që do të thotë “ai që heshtë pajtohet”.

SHPËRNDAJE