Shkruan Berat Buzhala: Një replikë e vogël me dr. Kadri Veselin

Shkruan: Berat Buzhala

Kryetari i PDK’së dhe xhonturqit e tij, javën që shkoi, u trazuan aq shumë nga një shkrim në Gazetën Express, sa brenda pak orëve i thanë të gjitha. Tash është radha ime.

Unë kam qenë në PDK, Kadri Veseli sapo ishte bërë zyrtarisht pjesë e partisë, kur nuk kisha rezistuar që të shkruaja një kolumne për Gazetën Express, duke e quajtur atë mediokër në politikë.

Deri tek ky konstatim kisha ardhur pas disa paraqitjeve të dobëta publike të tij, për të cilën gjë rrethi i ngushtë nuk po e informonte.

Edhe ashtu e kisha ndarë mendjen që të ndahesha me PDK’në dhe thash, nën një s’kam çfarë të humb; dhe nën dy, ishte e rrugës dhe e ndershme që ta informoja publikisht se çfarë mendoja për të. Sigurisht që ju kujtohet ajo intervista e tij në RTK, kur ia kishte bërë me sy Ridvanit. Pastaj e kishte thënë edhe një intervistë tjetër po aq të dobët në Klan, te Batoni.

Ishte bërë nami. Nuk kemi folur me njëri tjetrin disa muaj me radhë. Njerëzit e tij po më tregonin se e kishte përjetuar rëndë. Ato ditë e takova edhe Batonin, i cili gjithashtu më tha se ta cilësosh dikë mediokër ishte një ofendim i rëndë. Provova t’ia shpjegoja që kjo nuk ishte e vërtetë, sepse tek e fundit njeriu mediokër është një njeri mesatar dhe se zoti Veseli nuk e plotësonte asnjë parakusht për t’u konsideruar gjeni.

I erdhi kismeti dhe u takuam një natë në darkë. Pasi i kaluam kortuazitë e nevojshme që vijnë pas mërive, filluam të diskutojmë rreth mediokritetit.

Isha kurioz ta dija se përse një fjalë kaq benine e kishte irrituar aq shumë, e ishte shumë më gjakftohtë kur, për shembull, çdo ditë, në media tjera, konsiderohej si koka i krimit të organizuar, ose edhe më tepër, SHIK’u i tij sulmohej si ideatori i vrasjeve politike.

Përse qenka më problematike të quhesh mediokër, se sa mafioz?   

“Gjeni është Betoveni, Moxarti, Ajnshtajni…, ne të tjerët përgjithësisht mund të quhemi mediokër, pra edhe ti. Përse e përjetove kaq rëndë? Unë të kam pa duke pi kafe me disa kryeredaktorë mediash të tjera, në faqet e të cilave etiketohesh si bosi i nëntokës”, ia tregova kureshtjen time. Nuk më kujtohet qartë se çfarë përgjigje kam marrë, por që nga atëherë mendoj shumë shpesh rreth kësaj teme.

Në këtë kontekst ishte edhe një episod mbrëmë në një debat në Klan, në Opinion. Baton Haxhiu desh luajti mendç kur gazetari Andi Bejtja, idetë e tij dhe të Thacit për ndarjen e Kosovës i quajti infantile. Batoni u tërbua. Mezi rrinte në karrige. Pastaj erdhi reagimi i dytë i Andit. “Ti Baton i përjeton shumë më lehtë akuzat për tradhti se sa këtë timen për infantilizëm”, i tha Bejtja. 

Këtu edhe fshihet lepuri, sikur në rastin e Veselit.

Këta njerëz nuk dëshirojnë të portretohen në opinion si njerëz të paditur, si sharlatanë, infantilë, qesharakë, mediokër, sepse këto etiketime i lënë pa bukë, e çka është edhe më keq, edhe pa vota. Kurse nuk brengosen aspak nëse quhen tradhtarë dhe mafiozë. Për këtë kategorinë e dytë, për këta të nëntokës, për këta që copëtojnë toka, që e kontrollojnë ekonominë, qytetarët, nga nami, frika dhe terrori, i respektojnë më shumë. Dashurinë dhe frikën vetëm një vijë e hollë i ndanë, e edhe ajo vijë në kohë të turbullta zhduket tërësisht. Për sharlatanin nuk ka as frikë e as respekt. Ai është thjesht material për t’u tallur me të.

Prandaj, askush, as Haxhiu, as Thaci, as Haradinaj, e askush i kësaj kategorie, nuk dëshiron të njihet në publik si torollak, si leshko. Aq më pak z. Veseli, i cili e ka mirëmbajtur profilin dhe reputacionin e tij vetëm për faktin që ka ardhur në jetën publike nga prapaskena. Miti për të si një njeri që kontrollon çdo gjë, që di çdo gjë, që çdo kush i jep llogari atij, madje edhe kundërshtarët politikë, ka qenë përparësia e tij kryesore – madje e vetme – politike. Kadia të akuzon, Kadia të gjykon. Ai ka zgjidhje për çdo gjë. Shko të ai se të punëson. Shko të ai se të shëron. Të çon ambasador. Të bën ministër. Zëvendësministër. Nëse e ke mirë me Kadinë e ke mirë me Zotin.

Në anën tjetër, paraqitjet e tij, si bie fjala intervistat, ose kryesimi i seancave të Kuvendit të Kosovës, tregonin një realitet tjetër. Një politikan konfuz dhe ambiguoz, por me manire dhe edukatë, familjar dhe i dashur.

Në vlugun e rrëmujave në seanca të Kuvendit, kur po hidhej gaz lotsjellës gjithandej Veseli jepte porosi dhe këshilla nga foltorja e Kuvendit për deputetët që po largoheshin nga kokën këmbët, të cilave do t’u lakmonte edhe Dalai Lama.

“Kujdes se po rrëzoheni. Ka gra shtatzëna. Kujdes. Kujdes”, ishin thirrjet e tij.

A është ky njeriu që akuzohet për të gjitha të zezat që kanë ndodhur në Kosovë? A mund të jetë kaq suptil një katil? Kohë pas kohë, në nervozë e sipër, i dilte ndonjë “ma hangsh” ose tash së fundmi “ma flladitsh” që ta rrotullonin kokën. Ose “Thuj Beratit nuk ta kam arrestu unë babën”. Hopa. E kush pra, nëse jo ti? A paska pasë UCK burgje, ku qenkan arrestu njerëzit?

Këto janë disa intervale të shkurtra por domethënëse. Impulset e brendshme e tradhtojnë subjektin. Ata që kanë dëgjuar shumë për ta, por që në anën tjetër janë habitur me sjelljet perfekte publike, në këto momente e shkundin kokën me habi, duke dashur të thonë “a dëgjova mirë?” .

Në një botë ideale, këta, dhe këtu nuk po e fus tash vetëm Veselin, dëshirojnë që profilin t’ua ndërtojnë të tjerët, me sulme, insinuata dhe shkrime aluduese, kurse këta vetë, kohë pas kohe, me një qetësi absolute, madje edhe duke u viktimizuar, të dalin dhe t’i mohojnë ato.

Kjo strategji ka funksionuar. Ndoshta edhe nuk ka qenë e menduar kaq hollë prej tyre. Ka mundësi që nuk e kanë ditur që fushatat e egra negative ndaj tyre, duke i portretuar si të gjithëpushtetshëm, këta i kanë bërë shumë më të fortë. I kanë shndërruar në epiqendër të zgjidhjes së halleve. Njeriun shkon për të kërkuar ndihmë te njerëzit e fortë, mundësisht te ata që janë mbi ligjin. Frika dhe dashuria. Pasioni dhe urrejtja.

Në gjithë këtë lamë, ka mundësi që ne të tjerët kemi gabuar taktikisht. Pavetëdije kemi hyrë në të njëjtën valle. I kemi rënë muzikës që ata kanë dashur ta dëgjojnë. E kemi paraqitur vetëm njërin realitet, duke e ushqyer mitin e fuqisë së tyre mbinjerëzore.  

Kemi dështuar ta trajtojmë pjesën qesharake të tyre. Atë ku ata janë më të lëndueshëm. Kemi dështuar t’i trajtojmë pa frikë dhe me humor. T’u themi që më shumë janë qesharakë se sa të rrezikshëm. Ka mundësi që edhe janë shumë të rrezikshëm, por në thelb mbetën qesharak. Idetë e tyre janë qesharake. Konceptet e tyre janë qesharake. Substanca e tyre është qesharake.

Mirëpo kurrë nuk është vonë për t’u këndellur. Kështu për shembull, ditët dhe javët në vijim do të duhej që ta ndjekim shumë më afër aktivitetin akademik të z. Veseli. Ta shohim se në çfarë faze ka ngecur tema e tij e doktoraturës. Dhe jo vetëm kjo, do të ishte më interes publik që të analizohej cdo fjali publike e thënë prej tij. Ta zëmë, intervista që ai e dha në Klan Kosovë, para Batonit, fare lehtë do të mund të konsiderohet si gjëja më e pakuptimtë që ka ndodhur në këto 20 vitet e fundit. Aty asgjë nuk kishte kuptim. Jam i bindur që edhe kamermanët janë shtangur nga kotësia e bisedës. 

Prandaj, me këto figura mitike duhet të merremi shumë më seriozisht. Pa pardon.

SHPËRNDAJE