Shkruan Blerim Shala: Ana Perëndimore e Marrëveshjes Kosovë – Serbi

Vështirë që mund të ecet në drejtimin e duhur për bërjen e Marrëveshjes të Kosovës dhe Serbisë, pa pasë një bashkërenditje të plotë në mes të Berlinit dhe Parisit.

Shkruan: Blerim Shala

Grup të Kontaktit nuk ka më. Pas daljes së Britanisë së Madhe, objektivisht, nuk ka as Quint. Nuk ka më as një bashkëpunim të mirëfilltë në mes të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian. Më në fund, dihet që finalja e zgjidhjes së raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, me një Marrëveshje Gjithperfshirëse, pashmangshmërisht njeh rolin suprem të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me një rol decisiv të Rusisë dhe Kinës, si në konfirmimin e kësaj Marrëveshjeje, ashtu edhe në pranimin eventual të Kosovës në OKB, gjë që është synimi kryesor i autoriteteve të Kosovës.

Ky është një përshkrim fare i shkurtër i organizimeve dhe mekanizmave ndërkombëtarë të cilët janë marrë në të kaluarën apo edhe sot e kësaj dite, me çështjen e Kosovës.

Edhe pse OKB-ja, që prej vitit 1998 (dhe Rezolutës së parë të miratuar për Kosovën), e deri në pranverën e vitit 2007 (kur Presidenti Ahtisaari, Emisari Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, do ta ofrojë CSP-në e tij, apo Propozimin Gjithperfshirës për statusin e Kosovës), ka qenë instanca sipërore formale e trajtimit të çështjes së Kosovës (këtë rol e ka edhe sot e kësaj dite, por vetëm në dimensionin e vërtetimit të një Marrëveshjeje eventuale), realisht, një trup apo një organizim tjetër diplomatik, ka qenë kryekëput përgjegjës për adresimin e çështjes së Kosovës. Ky ka qenë Grupi i Kontaktit, një trup i cili për nga emri nuk ka qenë fare ambicioz, e lëre më kryesor, por i cili, si në fazën e dytë të zgjidhjes së çështjes së Bosnjës dhe Hercegovinës, ashtu edhe në dy periudhat kyç në adresimit të çështjes së Kosovës (imponimi i paqes dhe zgjidhjen e statusit), ka pasë rol vendimtar.

Grupin e Kontaktit e kanë bërë: SHBA-ja, Rusia, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia.

Kjo përbërje ndërkombëtare është autore e Konferencës Paqësore të Rambouilletit (shkurt, mars, 1999), dhe e Procesit të Vienës (2005-2007).

Megjithatë, teksa në ndaljen e luftës në Kosovë, dhe në krijimin e një ambienti paqësor në Kosovë, që prej muajit qershor të vitit 1999 e tutje, Grupi i Kontaktit arriti të mbetej i bashkuar, me një rol shumë të rëndësishëm të Rusisë, ky nuk ishte rasti me këtë format diplomatik, në përmbylljen e bisedimeve për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Rusia e Presidentit Vladimir Putin, edhe pse ishte bashkë-autore e Parimeve Prijëse të Grupit të Kontaktit, në pranverën dhe vjeshtën e vitit 2005 (të cilat në tërësinë e tyre, nuk lënin shteg tjetër për statusin e Kosovës, pos pavarësisë së mbikëqyrur, në fazën fillestare të saj), në pranverën e vitit 2007 vendosi të mos e pranojë Propozimin e Ahtisaarit, me justifikimin e njohur që këtë nuk e ka bërë vet Serbia si shtet.

Mungesa e Rusisë në këtë periudhën konkluduese të adresimit të statusit të Kosovës, bëri që ICO-ja (Zyra Civile Ndërkombëtare), dhe ISG-ja (autoriteti suprem ndërkombëtarë në mbikëqyrjen e zbatimit të Pakos së Presidentit Ahtisaari dhe të punës së Zyres Civile Ndërkombëtare), të mos e kenë rolin e duhur dhe të pritur në Kosovë.

Thënë fare qartë, po të funksiononte si duhet ICO-ja në Kosovë, integrimi i Veriut të Kosovës do të bëhej menjëherë në vitet 2008, 2009, dhe ky problem nuk do të trashëgohej nga institucionet e Kosovës.

Natyrisht, sikur Rusia ta pranonte CSP-në e Presidentit Ahtisaari, tema e raporteve Kosovë – Serbi, do të merrte fund, me gjasë, jo më vonë se në vitet 2009, 2010, sepse Kosova do të anëtarësohej në OKB.

Shkurt (dhe shqip), sot ne nuk do të flisnim dhe nuk do të shkruanim për bisedimet në mes të përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, me një Marrëveshje ligjësisht obligative, e cila sipas vlerësimeve tona dhe të kryeqendrave perëndimore, duhet të bazohet në njohjen reciproke në mes të këtyre dy shteteve.

Sidoqoftë, kjo është një histori e njohur për të gjithë ne, kur bëhet fjalë për rolin që ka pasë Grupi i Kontaktit në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Për finalen e statusit të Kosovës, pati një pajtim në mes të kryqendrave të Perëndimit, por jo edhe brenda BE-së.

Ky ishte ai Opsioni B, për ta detyruar Serbinë që ta pranojë realitetin në Kosovë, dhe që të dakordohet me pavarësinë e Kosovës.

Opsioni A pra ka qenë përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në pranverën e vitit 2007. Ky u bllokua nga ana e Rusisë.

Opsioni B u bë shkas i asaj shtyrjeje gjashtëmujore të konkludimit të ndërmarrjes ndërkombëtare të zbardhjes së statusit të Kosovës, me iniciativën franceze (të Presidentit Sarkozy), në muajin qershor të vitit 2007.

Nuk kishte atëbotë iluzione që këto negociatat shtesë do ta bindnin Rusinë, dhe aq më pak, Serbinë, që të mbështetet Propozimi i balansuar i Presidentit Ahtisaari.

Por, supozimi Amerikano-Evropian ka qenë që me këtë përpjekjen shtesë të Trojkës së Emisarëve Specialë (Frank Wisner, në emër të SHBA-së, Wolfgang Ischinger, si përfaqësues i BE-së dhe Alexander Botsan-Kharchenko, si Emisar i Rusisë), do të sigurohet uniteti i 27 shteteve anëtare të BE-së për njohjen e shtetit të Kosovës.

Megjithatë, dihet që pesë shtetet e BE-së (Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qipro), nuk morën vendimin e 22 shteteve të tjera, për ta pranuar pavarësinë e Kosovës të shpallur nga Kuvendi i Kosovës me 17 shkurt, 2008.

Edhe Opsioni B dështoi. Në të kundërtën, sikur BE-ja ta ruante unitetin, bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë njëmend do të kishin karakter teknik, dhe ato qëmoti do të kishin marrë fund.

BE unike nuk ka tash e sa vjet, pothuaj në asnjë çështje të rëndësisë sipërore. Nuk ka më as Aleancë Veri-Atlantike unike. U tha fare në fillim, që nuk ka Grup të Kontaktit. Dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja (me Brexit), e ka margjinalizuar fare rolin e Londrës në temën e bisedimeve në mes të Prishtinës dhe Beogradit, të cilat morën hov, në vitet 2012, 2013, më së shumti falë Përfaqësueses së Lartë të BE-së (Catherine Ashton), që vinte nga Britania e Madhe. Pra, as Quinti i pesë shteteve perëndimore, nuk e ka më atë rolin që ka pasë.

Kështu si janë punët, ta merr mendja që gjithçka është në duartë e SHBA-së, në njërën anë (gjë që u shpreh edhe në trajtë të Marrëveshjes së Washingtonit, të arritur të premten, me 4 shtator), dhe të EEAS-it (Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrelit), apo të EUSR Miroslav Lajčakut (Emisarit Special të BE-së për bisedimet e Kosovës dhe Serbisë).

Megjithatë, gjërat në vetë Bashkimin Evropian kanë ndryshuar shumë në vitet e fundit, që prej se u bë e qartë që Britania e Madhe ka vendosë të dalë nga BE-ja. Boshti i Francës dhe Gjermanisë, ka rol vendimtar në adresimin e temave kryesore në BE. Kështu është edhe me rastin e Kosovës (nuk ka Liberalizim të vizave derisa të mos ndryshojë qëndrimi i Parisit zyrtar), dhe me vetë procesin e Marrëveshjes së madhe për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Duket që ‘çelësat’ që hapin dyert e Marrëveshjes në mes të autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit, janë në Berlin dhe në Paris, dhe atë, së paku për dy arsye (dhe shumë të tjera të cilat nuk do të trajtohen këtu).

Së pari, Franca e Presidentit Macron, nuk dëshiron të ndijë për zgjerimin e BE-së me shtetet tjera anëtare që vijnë nga Ballkani Perëndimor. Ky mendim nuk ndahet nga Gjermania e Kancelars Merkel. Pa zhbllokimin e këtij procesi, është e paimagjinueshme (së paku në rrethanat e tanishme), që Serbia e Presidentit Vučić, do të jetë e gatshme, ta bëjë Marrëveshjen me Kosovën.

Së dyti, Berlini zyrtar ka qenë kryeqyteti më hezitues (Parisi zyrtar nuk ka qenë i tillë), në mbështetjen e opsionit që Prishtina dhe Beogradi mund t’i eksplorojnë dhe shqyrtojnë të gjitha mundësitë (përfshirë edhe ato të karakterit territorial), për arritjen e Marrëveshjes Gjithpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Pra, vështirë që mund të ecet në drejtimin e duhur kur flitet për bërjen e kësaj Marrëveshjeje të Kosovës dhe Serbisë, pa pasë një bashkërenditje të plotë në mes të Berlinit dhe Parisit, e cila pastaj, do ta mund ta ketë atë efektin vendimtar në bisedimet e instancave më të larta të Prishtinës dhe Beogradit.

SHPËRNDAJE