Shkruan Dafina Demaku: Edhe sa thirrje të humbura

Shkruan: Dafina Demaku

Aktualisht, e gjithë klasa politike në Kosovë është e zënë duke u marrë me idetë e Thaçit rreth dialogut me Serbinë. Ata flasin për sigurinë e sovranitetin e shtetit të Kosovës, por po dështojnë të sigurojnë familjet tona.

Shikojeni vetëm postimin e fundit në Facebook të ministrit të Drejtësisë, z. Abelard Tahiri. Merret pikërisht me idenë e Thaçit për shkëmbim territoresh me Serbinë. Shikojeni opozitën, ngjashëm. Edhe kur iu kujtua presidentit, iu kujtua dikur vonë për ‘një vrasje që tronditi vendin’.

A ka një përgjigje për këtë? Pse lirohen personat për të cilët ka aktakuza për kanosje. A ka mesazhe më të ngjyrosura me kërcënim e krim se sa kaq:

“Do të të gjej… do të ta bëj…”

Ky ishte mesazhi që burri ia kishte dërguar gruas që vrau bashkë me vajzën në Gjakovë. A nuk është mjaftueshëm kërcënim ky? Çka duhet të përmbajë më shumë një mesazh kërcënues për t’u trajtuar seriozisht në një shtet (që supozohet të jetë) serioz?

Shih seriozitetin e gjithë kësaj. Policia e Kosovës ende funksionon me ushtrues detyre. Pra, as vetë njeriu kryesor i Policisë, ende proceduralisht nuk është ‘në detyrë’.

Dhe rastet e viktimave gra, si pasojë e kanosjes, dhunës në familje vetëm sa vinë e shtohen. Zejnepe Bytyqi, Diana Kastrati, Diana Zhubi, Donjeta Pajaziri, Antigona Morina dhe pesë gra që u vranë vetëm vitin e kaluar. Prej të gjithave, policia ‘humbi nga një thirrje’ ku kërkohej ndihmë nga për t’i shpëtuar dhunës së burrave të tyre.

Ja edhe disa statistika që sjell një hulumtim i Rrjetit të Grave të Kosovës që tregojnë se shteti serioz do të duhej të merrte masa urgjentisht serioze ndaj dhunës në familje:

47 % e kosovarëve pajtohen që ‘nëse bashkëshorti nuk është i punësuar, dhuna është e zakonshme nganjëherë’

22 % mendojnë se ‘është në rregull që gruaja të goditet nganjëherë’.

68 % e grave në Kosovë kanë përjetuar dhunë familjare në jetën e tyre.

61.7 % e kosovarëve besojnë se ‘nëse ka dhunë në familje, gruaja duhet të kthehet te familja e saj, derisa burri duhet të qëndrojë në shtëpi deri në zgjidhjen e rastit’.

A ka nevojë për këmbana më të fuqishme, për vesh që dëgjojnë, se këto statistika bashkë me numrin e grave të vrara, do të duhej të shërbenin për dikë që t’i trajtonte ato?

*Edhe sa thirrje të humbura, ka qenë performancë e grupit ‘Haveit’ për gratë që u vranë, e të cilat, kërkuan ndihmë para se të vriteshin.

SHPËRNDAJE