Shkruan Imer Mushkolaj: Një qeveri pa besim e pa fuqi

Të qeverisësh pa shumicën e thjeshtë në parlament dhe në një situatë mosbesimi të thellë të qytetarëve, e në anën tjetër të mos tregohesh i përgjegjshëm dhe i ndërgjegjshëm për situatën është një lloj uzurpimi i pushtetit. Në të tilla situata, veprimi më i mirë është tërheqja. Dorëheqja.

Imer Mushkolaj

I pashë disa sekuenca të një interviste të kryeministrit Avdullah Hoti. Dikush që nuk e ka idenë çfarë ndodh në Kosovë dhe nuk e di kush është Hoti, fare lehtë mund të mendojë se kryeministri jeton në një tjetër shtet, nuk jeton në Kosovë e as qeveris vendin.

Është fascinuese se me çfarë lehtësie, lehtësi të padurueshme, ai mban ligjëratë qeverisjeje, në një situatë kur ka dështuar dhe po vazhdon të dështojë. Se si përpiqet ta kthejë në përparësi, madje dhe në kapital politik miratimin e ligjit për rimëkëmbje ekonomike, pas nëntë dështimeve për ta kaluar në Kuvend dhe në kohën kur shtetet përreth i kanë miratuar nga tri e katër pako ekonomike.

Në një situatë të tillë dështimi lapidar, një kryeministër i përgjegjshëm të paktën do të duhej t’iu kërkonte falje qytetarëve. Në fakt, një kryeministër i përgjegjshëm dhe ndërgjegjshëm do të duhej të jepte dorëheqje – aq më parë kur gjendet në krye të një koalicioni që nuk e ka as shumicën e thjeshtë në parlament.

Në një situatë pafuqie e mosbesimi për të çuar përpara ide e veprime, një kryeministër i përgjegjshëm tërhiqet. Por, i tillë nuk është Avdullah Hoti. Ai vazhdon të flasë e veprojë thua se nuk po ndodh asgjë rreth tij, thua se vendi që udhëheq është në pozitë aq të favorshme, sa t’ia krijojë komoditetin për një sjelljë të këtillë.

Sipas barometrit të sigurisë, të publikuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, besueshmëria në Qeverinë e Kosovës është tejet e ulët. Më shumë se gjysma e të anketuarve – 52 për qind nuk kanë aspak besim, kurse besim të plotë kanë vetëm 4 për qind e tyre. Qytetarët nuk i besojnë as Kuvendit e Presidentit. Kjo gjendje tregon dëshpërimin e thellë të qytetarëve, të cilët gjatë gjithë situatës së vështirë me pandeminë nuk e kanë ndjerë dorën e shtetit. Këto shifra janë alarm për të gjithë ata që pretendojnë të qeverisin si duhet.

* * *

Si për të mos mjaftuar gjithë kjo pafuqi e ky mosbesim karshi qeverisë, është ndezur debati për pozitën e presidentit. Në një situatë kur kundërshtitë ndërmjet partive janë të mëdha, ashtu si dhe apetitet e individëve për të zënë karrigen e të parit të shtetit, gjithçka komplikohet edhe më.

Pavarësisht divergjencave, partnerët e koalicionit po bëjnë çmos që ta vazhdojnë qeverisjen. E kuptueshme, sepse zgjedhjet do t’i dëmtojnë. Por, kur vjen puna te zgjedhja e presidentit, është e pamundur që kjo të ndodh pa mbështetjen edhe të një partie opozitare.

Lëvizja Vetëvendosje e ka bërë të qartë se mbështet opsionin e zgjedhjes së presidentit pas zgjedhjeve. PDK deklarohet se votat do t’i jepte vetëm për kandidatin e vet, kurse AAK është e betonuar në qëndrimin se president duhet të bëhet Ramush Haradinaj. Për më tepër, një zyrtar i kësaj partie tha se po sakrifikonin si parti, duke ia ofruar këtë shans Kosovës.

Zakonisht përpjekjet për kapje pozitash shtetërore, pa marrë parasysh fuqinë elektorale, zyrtarët partiakë i arsyetojnë me të mirën e qytetarëve, të mirën e vendit. Por, tashmë të gjithë e dinë se në radhë të parë bëhet fjalë për përmbushje apetitesh individuale, partiake, grupore, biznesore e çfarë jo tjetër. Po të ishte ndryshe, për pozitat publike nuk do të flitej me logjikën e pronës personale – “mua më takon”, “neve na takon”, “atyre nuk iu takon” etj.

Është normale që në një situatë bllokimi, çfarë është kjo e tashmja në Kosovë, të caktohet sa më parë data e mbajtjes së zgjedhjeve. Po ashtu edhe çështja e zgjedhjes së presidentit t’i lihet legjislaturës së re, e jo një koaliconi formalisht legjitim, por me vullnet të deformuar elektoral.

Është e natyrshme që partitë aktualisht në pushtet t’iu frikësohen zgjedhjeve, sepse gjatë këtyre muajve në qeverisje nuk është se kanë ofruar kurrfarë zgjidhje për qytetarët. Përkundrazi, qeverisja është karakterizuar me skandale, ngathtësi e pafuqi. Është, po ashtu, e natyrshme që mbështetje më të madhe të ketë Vetëvendosja, e cila veç po bën sehir dhe po shikon se si po gabon koalicioni qeverisës.

* * *

Caktimi sa më shpejt i datës së zgjedhjeve dhe përfundimi i kësaj agonie qeverisëse do të ishte veprimi dhe vendimi më i mirë politik. Çdo zvarritje do të shkojë në dëm të partive në koalicion dhe në favor të opozitës, në radhë të parë të Vetëvendosjes. Rezultati i zgjedhjeve në Podujevë është alarm se sa keq janë punët në gjithë vendin, se sa i thellë është mosbesimi në qeverisje. Në radhë të parë ky alarm duhet të ushtojë në veshët e zyrtarëve të LDK’së.