Shpejtim Bulliqi i VV-së: Mospajtimet me LDK-në nisën pas publikimit të rezultatit zgjedhor

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi , thotë se pengesat për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje në mes LVV-së dhe LDK-së, nisën pas publikimit të rezultatit zgjedhor të 6 tetorit.

Ndonëse shprehet optimist se në fund këto dy parti do të arrijnë një marrëveshje, Bulliqi thotë se posti i Presidentit të cilin po insiston që ta ketë LDK-ja është edhe pika që po i ndanë seriozisht këto dy parti.

Bulliqi që dikur ishte pjesë e LDK-së, thotë se ish partia e tij nuk do të duhej që në këtë moment të kërkojë postin e presidentit, meqë presidenti aktual ka ende mandat.

Në një bisedë me Periskopin, Bulliqi ka folur edhe për Demarkacioni me Malin e Zi, duke thënë se grupet punuese për rishikimin e marrëveshjes duhet të fillojnë punën, menjëherë pas formimit të Qeverisë së re.

Intervista e plotë:

Periskopi: Zotëri Bulliqi, si i vlerësoni takimet e deritanishme mes LVV dhe LDK?

Shpejtim Bulliqi: Gjithçka ishte mirë deri sa nuk u publikuan rezultatet preliminare. Në bazë të takimeve gati dy vjeçare mes liderëve dhe përafrimin e programeve e qëndrimeve, ka qenë një shembull i ri sikur në

Evropën perëndimore, dhe mund të themi se është çasje e re tek ne, ku fillimisht diskutohet për çdo gjë, arrihet dakordimi dhe pastaj themelohet qeveria.

Çështja e futjes në “kombinim” së fundmi e diskutimit lidhur me presidentin e ka komplikuar paksa procesin por besoj shumë se edhe këto dallime kur vihen parasysh interesin e qytetarëve së shpejti të tejkalohen.

Periskopi: LDK vazhdimisht po del me deklarata duke kërkuar ‘’mirëkuptim dhe mirëbesim’’ nga LVV për postin e presidentit. A do ta gjejë mirëkuptimin dhe besimin kjo pari nga VV?

Shpejtim Bulliqi: E përsëris edhe njëherë, zgjedhjet ishin për qeveri dhe parlament, jo për president. Presidenti aktual ka ende mandat dhe besoj që në këtë moment ndoshta do të ishte e rrugës që të tejkalohet

ky ngërç dhe të lihet për më vonë në mënyrë që sa më shpejtë të ju hapet rrugë ngritjes së institucioneve tona e meqë për këtë ka ende edhe pak kohë me kalimin e kohës besoj që edhe kjo do të kalohet pa telashe të mëdha.

Periskopi: A jeni optimist për themelimin e qeverisë me ish partinë tuaj?

Shpejtim Bulliqi: Unë jam i prirë me ju besua zotimeve publike, kështu që besoj se VV dhe LDK mund ta formojnë qeverinë dhe të jenë të suksesshme në qeverisje sepse njoh potencialin e dy subjekteve, dhe aty ka njerëz të denjë që do të mirëqeverisin.

Fundja edhe verdikti dhe shpresa e qytetarëve është këtu, që këto dy subjekte ta qeverisin vendin dhe të filloj procesi i çkapjes së shtetit nga ata që për këtë periudhë kanë qeverisur.

Mendoj që VV e LDK duhet pasur parasysh shpresat e qytetarëve përndryshe nëse këto nuk arrijnë kompromis atëherë kam frikën se shpresat e tyre do veniten dhe të rinjtë tanë nuk do gjejnë rrugë tjetër përveç

migrimit të tyre pa një shpresë për të ardhmen, prandaj kjo duhet të jetë edhe një shtysë që këto subjekte t’i lënë anash kërkesat maksimaliste për pushtet.

Periskopi: Nëse LVV dhe LDK nuk arrijnë marrëveshje për koalicion, a është shkuarja në zgjedhje, zgjidhja më e mirë për vendin?

Shpejtim Bulliqi: Partitë duhet t’u përmbahen zotimeve publike parazgjedhore, duhet sa më shpejt të formohet qeveria, të shtyhen proceset përpara.

Çështja e presidentit në këtë fazë nuk do të duhej të ishte në rend dite, zgjedhjet ishin për parlament dhe qeveri kështu qe këto dy organe shtetërore duhet të formohen.

Periskopi: Nëse partia juaj ua kërkon që të jeni pjesë e kabinetit të Qeverisë Kurti, në cilin dikaster do të ishit përfshirë?

Shpejtim Bulliqi: Nuk kam menduar që të jem pjesë e ekzekutivit, por do të jam krah i djathtë përmes këshillave për këdo që kërkon nga unë në qeverinë e re.

Periskopi: Çështja e demarkacionit me Malin e Zi, ende është temë diskutimi. A do të duhej ta rishikoni kufirin në Çakorr?

Shpejtim Bulliqi: Patjetër pasi që marrëveshja për rishikim mes presidentëve tashmë është pjesë e ligjit…Palët duhet t’i respektojnë obligimet e marrura dhe duhet sa më parë që trupat punuese ta fillojnë punën në këtë drejtim.

SHPËRNDAJE