Shpend Ahmeti ekzaltohet nga koncerti i Martin Garrix – qytetarët e kritikojnë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti shkroi i ekzaltuar dje në mbrëmje një ‘cicërimë’ në rrjetin social Twitter lidhur me performancën e DJ-it të njohur botëror Martin Garrix në Prishtinë.

“Festa më madhe në Evropë”, shkroi Ahmeti në Twitter, por postimit të tij i reaguan qytetarë, përdorues të këtij rrjeti social. Ata kritikuan të parin e Prishtinës për promovimin e një festivali të tillë, të cilin sipas tyre, mund ta shohin vetëm elitat e shoqërisë”.

Madje, Ahmeti u përfshi në debat me qytetarë.

“A i ke kry të gjitha punët a? A nuk t’vjen marre me u mar me kësi sene? Në një vend të varfër si Kosova, ku endrra e të rinjve është të largohen, ju promovoni një koncert elitar që shumica nuk kanë pare me pa. Edhe më shumë, t’i përdor gjuhë te flliqt. Kjo nuk i pershtatët kryetarit te komunës aspak”, i reagoi një qytetar, Ahmetit.

Ahmeti ia ktheu përgjigjen qytetarit që e kritikoi. I tha se Prishtina është e të gjithëve. “Asgjë nuk perjashton asgjë tjetër. Prishtina është e të gjithëve”, u shpreh kryetari i Prishtinës.

Po ashtu, nda Ahmetit pati kritika edhe lidhur me funksionimin e linjës së autobusëve numër 4, për të cilën Komuna pati premtuar se gjatë tri ditëve të festivalit “SunnyHill” do të funksiononte deri në orën 02:00. /Insajderi