Shpërthimi i gypave dhe shembja e dheut përplas Komunën dhe Ujësjellësin

Mëngjesin e hershëm të së hënës, në lagjen e Muhaxhirëve në Prishtinë është shembur dheu në gropën ndërtimore të një objekti që është në fazë ndërtimi. Komuna e Prishtinës ka thënë se dheu është shembur si pasojë e shpërthimit të gypave të ujit, e Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” e ka demantuar komunën duke thënë se ishte pikërisht shembja e dheut ajo që çoi edhe në shpërthimin e gypave të ujit. Si pasojë e krejt kësaj, banorët janë evakuuar dhe një shkollë ka ndërprerë mësimin.

Shembja e dheut në rrugën “Qamile Jaka” në kryeqytet, të hënën ka rrezikuar banorët e lagjes së Muhaxhirëve. Shembja e dheut ka ndodhur në afërsi të shtëpive të banuara, e si pasojë e kësaj banorët janë detyruar të evakuohen.

Shkolla “Naim Frashëri” e cila gjendet në afërsi të vendit ku është shembur dheu nuk e ka filluar mësimin pasi kjo mund të rrezikonte edhe nxënësit.

Dheu ka rrëshqitur në gropën ndërtimore të një objekti që është në fazë ndërtimi.

Ani se ende nuk dihet arsyeja e saktë e shembjes së dheut, Drejtori i Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, ka thënë se sipas informatave të para në vendin e ngjarjes, dyshohet se rrëshqitja e dheut të jetë bërë si pasojë e shpërthimit të gypit të ujësjellësit në rrugën jashtë vendpunishtes.

“Jemi njoftuar që mbrëmë vonë ka pas rrëshqitje të dheut në zonë, dhe sipas informatave që i kemi deri tash, shkak për këtë ka mundur të jetë shpërtjimi i gypit të ujësjellësit në rrugën jashtë vendpunishtes. Ekipet emergjente, policia, inspekcioni, urbanizmi, sjërbimet publike, kemi qenë të gjithë bashkë në vend të ngjarjes. Janë evakuuar banorët përreth, si dhe ësgtë ndërprerë mësimi në shkollën Naim Frashëri, derisa të sanohet gjendja dhe të shmanget rreziku”, ka thënë Tahiri.

Tahiri thekson se punimet të cilat po zhvillohen në kantierin e ndërtimit kanë qenë brenda lejes ndërtimore dhe pilotët mbrojtës kanë qenë të vendosur sipas lejes.

“Inspektorët vazhdojnë të jenë në vendin e ngjarjes, duke mbikëqyrë sanimin e gjendjes nga ana e kompanisë sigurisht që asnjë punë tjetër nuk do të lejojmë të zhvillohet në atë zonë, pa e shmangur rrezikun”, thekson Tahiri.

Ndërkaq ai bën të ditur se vendosja e pilotëve afër objekteve të cilat janë në ndërtim e sipër bëhet pikërisht për të parandaluar shembjet eventuale të dheut.

Por Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” ka reaguar gjatë ditës së sotme për shembjen e dheut dhe dyshimet se kjo mund të jetë bërë si pasojë e shpërthimit të gypave të ujit, duke thënë se shpërthimi i gypave të ujit është bërë pikërisht si pasojë e shembjes së dheut.

“Në orët e mëngjesit të ditës se sotme ekipet e KRU ,,Prishtina,, kanë dalë prapë në terren, ku prezent ka qenë Drejtori Teknik, Menaxheri i Mirëmbajtjes si dhe ekipet tjera. Pas analizës së marrë nga terreni, shihet qartë që, ekzekutimi i punimeve në gropën ndërtimore të objektit poshtë rrugicës, është bërë në mënyrë jo profesionale, jashtë standardeve për ndërtim dhe mbrojtje të gropës ndërtimore. Sipas njoftimit të nga zyrtarët policor në terren, shembja e dheut në gropën ndërtimore ka filluar rreth orës 23:00, ndërsa tubi ka pëlcitur pas rreth 1 orë e 30 minuta, atëherë kur dheu i shembur e ka tërhequr tubin e ujësjellësit deri ne masën që e ka shkëputur nga lidhjet”, thuhet në komunikatë.

E në vendin e ngjarjes sot gjatë ditës ka dalë edhe i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ai ka thënë se kushdo që e ka shkaktuar këtë dëm do ta paguajë.

Ahmeti po ashtu ka thënë se frika më e madhe është nga shiu që është paralajmëruar se do të bjerë të martën, ndërsa si rrezik më të madh e konsideroi vinçin që ndodhet pranë rrugës.

Ndërkaq Express mëson se pikërisht vinçi i cili ka paraqitur rrezik edhe për nxënësit e shkollës “Naim Frashëri”, e si pasojë është ndërprerë edhe mësimi, momentalisht është duke u larguar./Express/

SHPËRNDAJE