Shqetësuese| Serbia po i armatosë kosovarët

“Kush gjendet pa allti në shok e kisha dënu”.

Kjo deklaratë e të parit të Qeverisë së Kosovës e bërë muaj më parë duket t’i ketë motivuar kosovarët.

Ata kanë rritur dukshëm importin e armëve dhe municionit . Madje këtë vit në Kosovë janë importuar armë në vlerë mbi 20 mijë euro vetëm nga shteti fqinjë, Serbia.

Sipas të dhënave të doganës së Kosovës dërguar gazetës inFokus nga janari i këtij viti deri shtator janë importuar armë, municion dhe pjesë plotësuese të tyre me vlerë 23,994.92 euro.

Por ky numër ishte 10 fish më i vogël në 2017-ën. Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar nga Serbia janë importuar vetëm 2,859.07 euro, armë dhe municion.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme thonë se në Kosovë gjenden rreth 20 mijë euro me leje por nuk japin detaje nëse bëhet fjalë për të njëjtat armë që janë importuar nga Serbia.

“Këtë periudhë janë lëshuar rreth 4600 leje për armë, ndërsa në vitin 2017 numri i lejeve të lëshuara është 5414.’, thonë nga MPB.

Ndërsa armët më të përdorura mbeten ato të gjuetisë.

Rritja e importit të armëve është shqetësuese.

Nuredin Ibishi, ekspert i çështjeve të sigurisë, ka thënë për Gazetën InFokus se është shqetësuese rritja e importit të armëve. E sidomos nga shteti serb.

“Është shqetësuese trendi i rritjes dhe keqpërdorimit të armëve . Në Kosovë importin e armëve e bëjnë kompani të autorizuara për blerje-shitjeve. Kosova importon armë nga Gjermania, Zvicra dhe vende të tjera, ndërsa nga Serbia importon sepse çmimi është më i arsyeshëm edhe pse nuk është kualiteti më i mirë”, ka thënë Ibishi.

Ibishi ka thënë gjithashtu se pajisja e armëve me leje është e domosdoshme.

“Në aspektin ligjor është mirë importimi i armëve dhe pajisja e tyre me leje sepse kujdesi është më i madh dhe janë nën kontrolle teksa u nënshtrohen procedurave të forenzikës dhe janë lehtë të identifikueshme. Ndërsa armët që janë pa leje mund të keqpërdoren sepse në të shumtën e rasteve vrasjet dhe plagosjet ndodhin me armë ilegale”, ka shtuar ai.

Ekspert i çështjeve të sigurisë ka shpjeguar për Gazetën inFokus se cili është dallimin mes armëmbajtjes dhe armëbartjes.
“Vetën Institucionet shtetërore të sigurisë si Polici, FSK dhe Dogat e shërbimet e tjera të sigurisë si përcjellja, dhe mbrojtja e afërm kanë të drejtë të bartin armë legale. Të gjithë të tjerët mund të bartin armë vetëm në raste kur marrin leje nga MPB. Duhet të bëhet dallimi mes armëmbajtjes dhe armëbartjes, dikush që ka leje për armëmbajtje ka të drejtë ta posedoj atë në shtëpi por jo ta bartë me vete ndërsa ai që leje për armbëbartje mund ta merr me vete ne trup apo në veturë. Kjo e dytë jepet vetëm atëherë kur personi ka kërcënim serioz dhe leje merret në MPB”, ka thënë ai.

Ibishi vlerëson se Institucionet e Kosovës nuk po bëjnë sa duhet në konfiskim e armëve pa leje në Kosovë.

“Policia ka të drejtë të bëjë kontrolle të jashtëzakonshme të ndalojë dhe të bëjë kontrolle tek personat që dyshojnë se kanë armë pa leje ndërsa këtë Policia e përdorë shumë rrallë. Policia e Kosovës duhet të jetë më aktive në këto aktivitete “, ka përfunduar Ibishi.

Numri i armëve ilegale që kanë në posedim qytetarët është shqetësues.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kosovë gjinden rreth 250.000 armë ilegale në posedim të qytetarëve. /Gazeta inFokus/

SHPËRNDAJE