Shqiptarët të varfër, por shpenzojnë për veshjet më shumë se europianët

Ndonëse shqiptarët janë një nga popujt më të varfër të Europës, ku të ardhurat janë sa 30% e mesatares së Bashkimit Europian, ata nuk kursejnë për t’u dukur.

Të dhënat krahasuese të INSTAT dhe Eurostat, lidhur me peshën e shpenzimeve sipas qëllimit të konsumit, tregojnë se konsumatorët shqiptarë shpenzojnë 4.9% të totalit për veshje e këpucë, ndërsa edhe për europianët kjo peshë është pothuajse e njëjtë në 5% dhe për 19 shtetet e zonës euro është njësoj me Shqipërinë.

Të dhënat janë sipas Anketës së Buxhetit të Familjeve 2015 të INSTAT dhe anketës së familjeve të BE-së, të publikuara nga Eurostat, të matura të dyja sipas nomenklaturës  COICOP. (Classification of Individual Consumption According to Purpose – Klasifikimit të Konsumit Individual sipas Qëllimit).

Shqiptarëve u del që të shpenzojnë 4.9% të totalit për t’u veshur, një produkt relativisht luksi, ndonëse ata, për shkak të nivelit të ulët të të ardhurave, kanë peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime, një produkt i domosdoshëm, me gati 49%, nga 12.3% që harxhojnë europianët për t’u ushqyer.

Por, cilat janë vendet që harxhojnë më shumë për veshje, në raport me totalin e shpenzimeve? Nuk është asnjë surprizë që në vend të parë është Italia, me 6.3% të totalit. Në vendin që njihet për modën e lartë, italianët nuk kursehen. Të dytët janë portugezët, me 6.1% të totalit, të ndjekura nga Austria. Vendet baltike, si Lituania, Letonia i kushtojnë gjithashtu rëndësi veshjes.

Peshë më të ulët se Shqipëria kanë 14 shtete, ku më pak rëndësi dukjes i kushtojnë çekët, grekët, hungarezët, rumunët (shih grafikun).

SHPËRNDAJE