Shteti hesht për mashtrimin milionësh të oligarkëve Ekrem Lluka, Bujar Musa dhe Akan Ismaili

Oligarku me pretendime për t’u shndërruar në biznesmen, Bujar Musa, i cili bashkë me dy miqtë e tij oligarkë, Akan Ismailin dhe Ekrem Llukën, po hetohen për mashtrim dhe dëmtim dhjetëra milionësh të buxhetit të shtetit, duke u ndihmuar sërish nga politikanët i ka hyrë edhe një projekti të ri milionësh në Komunën e Prishtinës.

Këta biznesmenë, zhvatës të buxhetit të shtetit, që njihen për afërsi politike me shumë personalitete me ndikim, me pozitë dhe opozitë në nivel qendror dhe lokal, duket se kur është në pyetje të bërit biznes nuk zgjedhin fare tabor politik.

IndeksOnline mëson se Bujar Musa dhe Akan Ismaili kanë krijuar afërsi edhe me Kryetarin e Prishtinës, nga i cili tash po mundohen të sigurojnë lejen e një investimi të madh në lindje të Prishtinës, në drejtim të liqenit të Badovcit, për të ndërtuar një fshat të madh ekskluziv.
……………………………………………………………………………………………………………..
Shqiptari shkon për kontrollë tek mjeku, por ia vjedh kuletën me plotë para
\
……………………………………………………………………………………………………………..

Ky muhabet i dyshimtë biznesor, i bërë kryesisht në hotelet e Londrës dhe Dubait, nga burime të afërta me rastin mësohet se ka mbetur pezull për shkak të humbjes së fuqisë së Ahmetit në Kuvendin Komunal të Prishtinës, pas ndarjes së Vetëvendosjes.

Megjithatë, tani që të tre këta oligarkë të listës së zezë të SHBA-së po lobojnë fuqishëm që t’ia bëjnë shumicën vetë kryetarit Ahmeti në Kuvendin Komunal të Prishtinës dhe mbetet të shihet nëse do të vazhdojë ende ngufatja e shtetit prej tyre.

Ajo që vazhdon të jetë e çuditshme është pse përderisa SHBA-ja ka refuzuar lejimin e tyre që të shkelin në vendin e demokracisë dhe ekonomisë së lirë të tregut, pse shteti ynë i krijuar me ndihmën e SHBA-së lejon që këta njerëz të inkriminuar të kapin shtetin?

IndeksOnline dje ka raportuar për futjen në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të biznesmenëve Ekrem Lluka dhe Bujar Musa, të cilëve së fundmi u është refuzuar edhe viza për udhëtim drejt SHBA-së, për shkak të pasurimit të tyre në rrugë jotransparente pas luftës.

Që të tre këta oligarkë nuk shquhen për kreativitet në të bërit biznes, sepse minimum dy prej tyre vetëm shkollën e mesme e kanë të përfunduar, por pasuritë e tyre i kanë bërë vetëm falë shtetit dhe lidhjeve politike, ndonëse nuk dihet se çfarë borxhe u kanë politikanët apo vetë shteti atyre dhe familjeve të tyre.

Këta oligarkë të fuqishëm të lidhur direkt me politikën, po hetohen për mashtrim dhe dëmtim milionësh të buxhetit të shtetit në rastin e telefonisë IPKO, për të cilën ende nuk i kanë paguar 15 milionë euro si garancë bankare.

Përveç Ekrem Llukës dhe Bujar Musës që shihen si të pasuruar mbi baza të dyshimta nga SHBA-ja, IndeksOnline ka mësuar se Qeveria e Kosovës ishte detyruar që edhe biznesmenin Akan ismaili, të cilin e kishte emëruar ambasador në SHBA, ta tërhiqte prej atje për shkak të refuzimit të Uashingtonit për të bashkëpunuar me të.

IndeksOnline i ka dërguar pyetje ATK-së, ARKEP-it dhe Prokurorisë Speciale për të marrë vesh se çfarë kanë ndërmarrë dhe pse nuk ia kanë ndërprerë licencën operatorit IPKO, përderisa nuk janë përmbushur kërkesat ligjore, por deri më tani ende nuk kanë kthyer përgjigje.

Ky favorizim i operatorit IPKO, duke pasur parasysh që nuk i ka përmbushur kërkesat ligjore, i ka shkaktuar dëme të mëdha edhe operatorit publik të telefonisë Vala, megjithatë shteti vazhdon ende të heshtë dhe të mos ndërmarrë asgjë. /IndeksOnline/

SHPËRNDAJE