Shumë ftesa nga Gjykata Speciale, paralajmërohet se në Kosovë do të ndodh kjo gjë

Rreth shtatë ftesa të reja kanë arritur sot për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga Gjykata Speciale, e vetëm në 10 ditët e fundit janë mbi 50 të tilla.

Kështu deklarojnë në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, që sipas tyre, rreth katër persona pritet të arrestohen deri në muajin nëntor.

E pas këtyre arrestimeve, në OVL-të UÇK-së nuk e përjashtojnë mundësinë e daljes në rrugë me protesta, për të kundërshtuar këto veprime.

Kohët e fundit Gjykata Speciale ka intensifikuar punën duke dërguar ftesa për intervistim ish-pjesëtarëve të UÇK-së e edhe civilëve.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati thotë për KosovaPress se në 10 ditët e fundit ka arritur në 50 numri i të ftuarve, ku javën që shkoi ftesa ka marrë edhe Azem Syla, ndërsa sot Shaban Syla, Jetullah Krasniqi e ish-rektori Ibrahim Gashi.

Gucati thotë se deri në nëntor priten arrestime për rreth katër persona. Nuk deklaron se a mund të jenë komandantë apo të tjerë, veçse thotë se arrestimet janë të sigurta.

Këtë, ai  thotë ta ketë mësuar nga avokatë ndërkombëtarë, të cilët kanë marrë licencë për të mbrojtur klientët e tyre.

E nëse ndodhin këto arrestime siç po pretendohet, OVL-UÇK nuk e përjashton mundësinë që këtë ta kundërshtojnë me protesta.

Tutje, Gucati thotë se shteti i Kosovës duhet t’u qëndrojë besnikë ish-pjesëtarëve të UÇK-së, që siç i quan ai, çlirimtarë dhe t’u kryejë shpenzimet të gjithë atyre që ftohen si të dyshuar.

Ai thotë se Gjykata Speciale vazhdon të jetë e papranueshme për ta, por që nuk janë kundër drejtësisë dhe do të dëshmojnë luftën e pastër të UÇK-së.

Sipas OVL-UÇK-së, numri i të ftuarve ka arritur 110, pa llogaritur ata që nuk kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së, apo që nuk kanë dashur të publikojnë ftesën e tyre me qëllim të ruajtjes së privatësisë.  Ai thekson se shumë të tillë nuk e kanë lajmëruar ftesën e tyre./

SHPËRNDAJE