Si e detyrova burrin tim të qante para meje?

Jam 28 vjeçe, jetoj në Prizren. Ka dy vjet që jam martuar. Unë dhe bashkëshorti im kemi katër vjet që njihemi, por kur u martuam kishim vetëm tetë muaj që ishim në lidhje bashkë.

Kam qenë gjithmonë besnike dhe i jam bindur, madje i tregoja për çdo gjë, me mendimin për të qenë e sinqertë deri në fund në një martesë.

Kisha shumë dëshirë që të bëja një fëmijë, po ai nuk ishte kurrë gati dhe gjithmonë kur hapej kjo bisedë nxirrte një justifikim se ishte shumë herët që të kishim fëmijë.

Asnjëherë tim burrë nuk e kam kundërshtuar dhe në disa raste isha dakord edhe me të, sepse ne ende jetojmë në banesë me qira dhe nuk jemi shumë mirë ekonomikisht. Dukej se çdo gjë shkonte mirë, të paktën në pamje të jashtme, por nuk ishte aspak kështu.

Dy muaj më parë zbulova se më kishte tradhtuar dhe kishte fjetur me një tjetër femër. E dëgjova duke folur me një shok të tij, i cili e pyeste si kishin shkuar gjërat me femrën tjetër dhe deri ku kishin shkuar. Ky i tregonte me mburrje se kishte marrë fund ai muhabet dhe se kishte marrë nga ajo çfarë kishte dashur…

Qante para meje si fëmijë

U trondita dhe nuk dija çfarë të bëja. I kërkova shpjegim, por më gënjeu dhe filloi të qajë para meje si të ishte fëmijë… Ai nuk e dinte çfarë kisha dëgjuar unë dhe u përpoq t’më bindte se nuk bëhej fjalë për femër tjetër, por për një kliente, me të cilën kompania ku bashkëshorti im punon kishte bërë kontratë.

I thash se e kisha dëgjuar teksa fliste dhe e pranoi, por nisi të qajë edhe më shumë dhe më tha se më donte shumë dhe se ajo që kishte ndodhur nuk do përsëritej. Më tha se kishte gabuar dhe se ishte përfshirë nga vrulli e kishte rënë në kurthin e asaj femre, e cila e kishte provokuar.

Pas dy javë zënkash dhe debatesh, praktikisht edhe u ndamë, por ai vazhdonte t’më kërkonte falje, duke më premtuar se nuk do të ndodhë më kurrë një tradhti e tillë dhe se kishte qenë vetëm një rast. Madje, përdori dhe dëshirën time për të pasur një fëmijë dhe më tha se së shpejti do të kemi gjithçka që kemi dashur, madje dhe fëmijën…

Ia dhashë mundësinë e dytë

Vendosa t’ia jepja një mundësi të dytë, por javën në vijim zbulova se po më gënjente përsëri. Si përfundim zbulova se ka shkuar në shtrat edhe me një femër tjetër.

Ndërkohë, unë ende jam në shtëpi, duke i shërbyer, duke i qëndruar pranë, duke u çmendur pas tij dhe duke dashur të sjellë në jetë një fëmijë nga ai…

Si ka mundësi që jam katandisur kështu?

Edhe vetë nuk arrij të besoj se gjatë këtyre dy vjetëve martesë unë nuk kam kuptuar asgjë dhe ai është shtirur me mua, ka ardhur e më ka përqafuar, ndërsa ndoshta një orë më parë ka qenë me dikë tjetër…

Megjithëse tani i di të gjitha këto, nuk arrij ta urrej. Përkundrazi, e dua gjithnjë e më shumë! Gjatë këtyre ditëve që kam zbuluar se çfarë ka bërë pas shpinës sime nuk kam pushuar së qari, ndërsa vazhdoja ta lejoja t’më puth dhe jo vetëm kaq… Nuk e di se ku ka përfunduar dinjiteti im, krenaria ime… Edhe pse ma ka copëtuar zemrën dhe më ka zhgënjyer pa fund, unë nuk arrij të ndahem prej tij dhe nuk mund të jetoj pa të…H. “Kosovarja”

SHPËRNDAJE