Si e ndryshoi Trumpi qëndrimin ndaj Kosovës, apo si u katandisën mediat tona!

Shkruan: Dush Gashi

Në garën e tabloidizimit (apo, në rastin tonë: portalizimit) të shtypit tonë, më askush nuk interesohet shumë për saktësinë e lajmit, por vetëm a sjell lexime, d.m.th. klikime.

Mbrëmë vonë, e vërejta një lajm në gazetën “Blic” të Beogradit, me këtë titull:

“SERBËT JANË POPULL I MIRË” Si e ndryshoi Trumpi qëndrimin për Kosovën
Këtë lajm, sot në mëngjes e pashë së paku në dy portalet tona ndoshta më të lexuarat, e sigurisht gjatë ditës mund të ketë vërshuar nëpër tërë botën virtuale shqiptare. Pa hyrë në atë se a e kanë ndryshuar ShBA-të vërtet qëndrimin ndaj Kosovës, nga lajmi i gazetës serbe kurrsesi nuk mund të konstatohet kjo.

“Kryetari i ShBA-ve Donald Trump dje personalisht e ka konfirmuar ndryshimin e politikës ndaj çështjes së Kosovës dhe relaksimin e marrëdhënieve ndaj palës serbe në negociata, mëson ‘Blic’-i”.

Kjo ësht fjalia e parë e lajmit, apo kreu i lajmit, saktësinë e të cilit lexuesi i rëndomtë nuk e vë në pyetje. Por, dikush që është më afër punës së gazetarëve, pret që në vazhdim të citohet ajo që e ka thënë Trumpi dhe që e konfirmon konstatimin se presidenti amerikan “dje personalisht e ka konfirmuar ndryshimin e politikës ndaj çështjes së Kosovës”.

Por Trumpi nuk thotë asgjë të tillë dhe as që e zë në goje Kosovën! Ja fjalia në vazhdim e lajmit:

“Në një bisedë të shkurtër të përzemërt, kryetarja e qeverisë Ana Bërnabiq e ka falënderuar Trumpin për ndryshimin e qëndrimit të administratës së tij rreth çështjes së Kosovës, në çka ai porositi shkurt:

‘Good people’ (njerëz të mirë)!”

Vëmendje tash! Jo që Trumpi nuk po konfirmon asgjë në lidhje me politikën ndaj Kosovës, po madje as kryeministrja serbe nuk po citohet për ato që po i përshkruhen! I tërë konstatimi, pra, mbështetet në atë që Trumpi gjoja paska thënë “Good people” (njerëz të mirë)!

Si mund të nxirret konstatimi se “Trumpi e ka ndryshuar politikën ndaj Kosovës” nga një fjalë kurtoazie se serbët janë “njerëz të mirë”? A mendoni vërtet se Trumpi, në këtë botë me kaq probleme të mëdha, do të dijë se ku i bjen Serbia e Kosova, se kush qenkan serbët e kush Ana Bërnabiq?

Në fakt, takimet e tilla me personalitetet e njohura nëpër korridore të tubimeve ndërkombëtare të nivelit të lartë, si ky në ndërtesën e OKB-së në New York, më shumë janë poza drejtuar elektoratit vendor, se sa takime përmbajtësore. Për ballkanasit tonë më me rëndësi është të takohen me ndihmëssekretarin e shtetit për Ballkanin, apo tash së fundi, me të dërguarin e veçantë për dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë, pa të cilët as presidenti amerikan nuk merr kurrëfarë qëndrimi.

Por, fjala ishte për mediat. Për mediat tona, të cilat, për fat të keq, kanë hyrë në një garë të ashpër të sensacionalizmit, sa as lajmet e motit më nuk jepen në mënyrë normale, po shpesh edhe një shi normal apo acarin e parë në vjeshtë të bëjnë ta presësh si ditën e kijametit. Tash për tash kësaj gare është zor t’ia parashikosh fundin.

SHPËRNDAJE