Si përfundoi Ramush Haradinaj në shtëpinë e Hashim Thaçit pas përplasjeve për taksën?

Presidenti i Kosovës Hashim Thaci ka hapur mbrëmë dyert për mysafirë në shtëpinë e tij të re të ndërtuar së voni. Thaçi është kujdesur që Ramush Haradinajn, Kadri Veselin, Fatmir Limajn, Behgjet Pacollin dhe Edi Ramën t’i ftojë një ditë para nisjes në SHBA. Darka në shtëpinë e Presidentit vjen në një kohë tensionesh rreth taksës që Qeveria Haradinaj ka vendosur për mallërat nga Serbia.

Para pak ditësh Kryeministri Ramush Haradinaj tha publikisht se ka kohë që nuk e kishte takuar Presidentin Hashim Thaçi, kur u pyet nga gazetarët rreth postimit të Presidentit “se bora po shkrihet, uroj që të mos bëhet skllotë”.

Me këtë postim Presidenti po i kërkonte Kryeministrit që ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë, në mënyrë që ai të mund t’i vazhdojë bisedimet me homologun e tij beogradas, por shefi i qeverisë u përgjigj se nuk e di se çfarë kishte menduar saktësisht Thaci.

Sido që të jetë, kërkesa e Thaçit për Haradinajn nuk është e panjohur pasi Thaçi po vazhdon ta përsërisë atë në secilin adresim publik.

Nuk dihet se çfarë mund të jetë diskutuar saktë mbrëmë në shtëpinë e re të Hashim Thaçit, të cilën shefi i shtetit ia prezantoi publikut nëpërmjet një fotografie të publikuar nga djali i tij. Sido që të jetë, bazuar në përbërjen që u pa në tavolinën e Thaçit (Veseli, Limaj, Pacolli, Haradinaj e Edi Rama), edhe pse Kryeparlamentari Veseli tha se kishin shkuar për t’ia bërë për hair shtëpinë e re Presidentit Thaçi, vështirë që tema e taksës ka shpëtuar pa u diskutuar.

Madje në atë tavolinë Haradinaj duhet të ketë qenë ka qenë pakicë kur është fjala për kundërshtimin e heqjes së taksës. Përveç Presidentit Thaçi, edhe Kadri Veseli ka kërkuar pezullimin e takës, Pacolli po ashtu është pro Thaçit, sikurse edhe Edi Rama, për shkak të përfshirjes së tij në prapaskenë në procesin e bisedimeve Kosovë –Serbi.

Pas rivendosjes së kontaktit në shtëpinë e tij mbrëmë, që Rama e cilësoi në profilin e tij si “foto të ditës”, Thaçi dhe Haradinaj janë parë edhe një herë sot në zyrën e këtij të fundit. Thaçi aty ka shkuar para nisjes drejt SHBA’ve ku do të udhëtojë për të marrë pjesë në “Lutjet e Mëngjesit”, një udhëtim që Haradinaj nuk do ta bëjë për shkak se nuk i është dhënë viza për të udhëtuar drejt Washingtonit.