Si u bë që të gjitha mediat ranë pre e mashtrimit me “2,000 vende pune në Gjermani”?

Lajmi se një kompani gjermane do të punësonte 2,000 persona nga Kosova bëri bujë të madhe. Madje aq shumë, sa që as salla e shtëpisë së kulturës në Prizren nuk i zinte të interesuarit.

Jehona që morri ky lajm nuk erdhi si rezultat i marketingut të mirë të kompanisë por si rezultat i jo-profesionalizmit të shumicës së mediave, të cilat vetëm kopjojnë lajme nga njëra-tjetra, pa marrë edhe mundin më të vogël që t’i verifikojnë. Nga hulumtimi që zhvilloi EkonomiaSot, rezultoi që kompania në fakt ishte kompani fantome, dhe as që bëhej fjalë për 2 mijë vende pune.

Për hir të kolegialitetit, nuk po i publikojmë mediat dhe portalet e ndryshme të cilat “ranë pre” e këtij mashtrimi. Mirëpo vlen të theksohet që asnjëra nga këto media nuk morri mundin të kërkonte falje ndaj lexuesve të vetë për vënien e tyre në lajthitje, dhe keqpërdorimin e besimit të tyre. Ky është dështim i funksionit bazik të medias.

Gjithashtu vlen të theksohet se ishin po të njëjtat këto media, të cilat pas publikimit të hulumtimit nga EkonomiaSot, kopjuan po të njëjtin lajm nga ne, madje as pa na cituar fare. Kjo është shkelje edhe e ligjit të autorësisë, edhe e etikës së gazetarisë.

Se e tëra ishte mashtrim, tregon edhe njoftimi i “kompanisë” BSB Aviation, e cila duhej të fillonte me pranimin e aplikacioneve që nga dita e hënë me 5 nëntor, mirëpo në vend të kësaj në faqen e saj në Facebook kanv postuar vetëm një njoftim me anë të të ciit tregojnë se nuk do të hapen.

SHPËRNDAJE