Si u rrah Dritëro Kadolli, pasi nuk e bleu veturën për Sami Hamitin e LDK’së

I dëmtuari Dritëro Kadolli, kishte deklaruar se kryetari i FFK’së, Agim Ademi dhe biznismeni tjetër, Muharrem Rama i kishin kërkuar një veturë “BMW X5”, në vlerë prej 30 mijë eurosh, për t’ia dërguar kryesuesit të atëhershëm të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Sami Hamiti.

Kadolli ka thënë se kjo kërkesë nga dy të akuzuarit, ishte bërë pasi që Agim Ademi e njihte Sami Hamitin dhe ky i fundit, sipas tij, mund të ndikonte që pronën që ndodhej në zonën e gjelbër në lagjen “Taukbahçe” të kryeqytetit, që Kadolli ishte i autorizuar ta shiste, t’i lejohej ndërtimi.

Kadolli ka thënë se ai merret me patundshmëri, ndërsa në zyrën e tij kishin shkuar Milovan Spasiq, Ismet dhe Ibish Bilalli, të cilët kishin kërkuar të gjejnë blerës për tokën prej afro dy hektarësh të Milovan

Spasiqit, e cila gjendet në lagjen “Taukbashçe”, dhe për këtë kishin lidhur një marrëveshje që në rast të shitjes ai do t’i përfitonte 2% të shumës së shitjes.

Kadolli, ka shtuar se ai më pas kishte pyetur në Komunën e Prishtinës, lidhur me këtë pronë dhe kishte kuptuar se kjo pronë gjendet në zonën e gjelbër të paraparë nga komuna dhe aty nuk lejoheshin ndërtimet.

I dëmtuari ka thënë se më pas kishte ardhur nga Serbia, Milovan Spasiq, i cili ishte pronar i kësaj prone me qëllim që ta bëjë parcializimin e saj, gjë që ishte bërë nga gjeodetët e komunës në 46 parcela me nga 3.5 ari.

Sipas Kadollit, ai pasi kishte biseduar me pronarin e tokës dhe investitorin që e kishte gjetur, ishin pajtuar me kërkesat për veturën dhe dhënien e tri shtëpive dhe kishin bërë një marrëveshje gojore me të akuzuarit.

Kadolli, tha se në gusht të vitit 2012, ishte mbajtur një mbledhje e asamblesë komunale të Prishtinës ku ishte marr vendim që disa zona që ishin paraparë për gjelbërim të shndërroheshin në zona të ndërtimit, në lagjen “Sofalia”, ndërsa ka shtuar se atij i ishte thënë se edhe prona për të cilën kishin lidhur marrëveshje ishte e përfshirë me këtë vendim.

I dëmtuari po ashtu deklaroi se ai me të akuzuarit e kishin përzgjedhur një veturë “BMW X5”, ngjyrë hiri për t’ia dërguar Sami Hamitit, por pronarit të sallonit i kishin thënë që do ta marrin diku rreth datës 13 gusht.

Në fund i dëmtuari tha se më pas ishte takuar me Muharrem Ramën, i cili i kishte thënë se në ora 17:00, duhet me sjellë veturën, ndërsa pa pritur sipas tij, Rama e kishte goditur me grusht.

SHPËRNDAJE