Sipas Rexhep Qosjes, Adem Demaçi ishte arkitekt i pavarësisë së Kosovës që nga viti 1958, e jo Rugova

Historia e pavarësimit të Kosovës është falsifikuar. Kështu kishte vlersuar akademiku Rexhep Qosja, gati pesë vite me parë në një intervistë televizive. Kjo sipas tij ka ndodhur duke i mohuar Adem Demaçit rolin e tij siç thotë Qosja të ‘Arkitektit të Pavarësisë së Kosovës’ që nga vitit 1958.

Shkrimtari dhe publicisti Rexhep Qosja nuk e pranon se ish-presidenti Ibrahim Rugova ka qenë arkitekti i Pavarësisë së Kosovës, siç vlerësohet qysh para shpalljes së shtetit të 17 shkurtit 2008.

Sipas tij, arkitekt i pavarësisë ka qenë Adem Demaçi, veprimtar i shquar që vdiq para gati 2 vitesh, shkruan Reporteri.net.

Qosja në një intervistë televizive, në dhjetor të vitit 2015, thoshte se kjo i mohohet Demaçit, që në atë kohë ishte ende i gjallë. Madje, një gjë e tillë për akademikun kosovar është falsifikim i historisë.

“Adem Demaçi është arkitekt i pavarësisë së Kosovës që nga vitit 1958. Pse edhe ketë ja mohojmë Adem Demaçit? Se i tutemi autoritetit të tij, prestigjit të tij, lartësisë së tij politike, morale, njerëzore, kombëtare”, kishte deklaruar Rexhep Qosja para gati 5 viteve.

“Ne e falsifikojmë historinë. Arkitektet e pavarësisë së Kosovës thonë. Kush arkitekt i pavarësisë së Kosovës? Ata që kanë qenë kundër luftës që solli Pavarësinë e Kosovës? Ata arkitektë e Kosovës?”, thoshte Qosja në të njëjtën intervistë, duke iu referuar ish-presidentit Ibrahim Rugova, që sot shënohet përvjetori i vdekjes së tij.

Ai e akuzonte edhe në përgjithësi partinë ‘Rugoviane’ se ka luftuar rolin e Demaçit, shkruan Reporteri.net.

“Para luftës LDK-ja pa pushuar ka bërë beteja politike kundër Adem Demaçit. Dhe pas lufte, të gjithë ata që kanë qenë në pushtet, të tjerët njerëzit e tillë i kanë bërë deputet të përhershëm.

Adem Demaçin se kanë lejuar të behet deputet, Adem Demaçin se kanë lejuar të behët Kryeministër, Adem Demaçin se kanë lënë të behet Kryetar i Kosovës. Pse? Se ka lejuar nacionalizimi i tij? Se ka lejuar përkushtimi i tij idealist ndaj lirisë dhe ardhmërisë së Kosovës?”, kishte deklaruar Rexhep Qosja.

Dëgjojeni të plotë deklaratën e tij:

VIDEO

SHPËRNDAJE