Sizmiologu grek paralajmëron Ballkanin për një tërmet apokaliptik

Drejtuesi i institutit Gjeodinamik të Athinës, sizmiologu Akis Tselentis, ka paralajmëruar rrezikun se i gjithë rajoni i Ballkanit mund të goditet nga një tërmet apokaliptik me një magnitudë të lartë.

Shqetësimin e sizmiologut e kanë publikuar mediat greke, teksa shqetësimi mbi një tërmet të përmasave të mëdha është adresuar dhe nga Presidenti Meta.

Kreu i Shtetit i ka dërguar një letër pak ditë më parë kryeministrisë në lidhje me adresimin e këtij shqetësimi.

Letra është siguruar nga Report tv dhe në të shkruhet:

Të nderuar

Nëpërmjet medias ndërkombëtare dhe kombëtare jam informuar mbi paralajmërimin për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballkanin. Paralajmërimi ka ardhur nga sizmiologu i njohur, zoti Akis Tselentis, drejtor i Institutit Gjeodinamik Obsarvatori Kombëtar i Athinës.

Sizmiologu Tselentis ka paralajmëruar për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballaknin, që mund të jetë 30 herë më i fuqishëm se ai që goditi para disa ditësh rajonin e Athinës.

Për shkak të karakteristikave të veta sizmike vendi ynë është një nga vendet me sizmicitetin më të lartë në Europë. Prandaj Shqipëria është një vend i kërcënuar nga kjo dukuri natyrore.

Për sa më sipër, kërkoj nga ana juaj të informohem mbi:

Institucionet përgjegjëse, a kanë kontaktuar me sizmiologun Tselentis dhe institucionet homologe. të rajonit lidhur me të dhënat e tyre për paralajmërime të tilla?

Cilat janë kapacitetet tona për përballimin dhe masat e marra nga ana juaj , nëse vendi ynë do të goditet nga një tërmet i përmasave të tilla.
Çfarë masash janë marrë apo do të merren për të reaguar në kohë dhe për të minimizuar pasojat e mundshme në nivel qëndron dhe vendor?

Nëse e gjykoni të domosdoshme, jam i gatshëm të mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare menjëherë qoftë dhe vetëm për këtë çështje, pasi çdo nënvlerësim i situatës mund të jetë me pasoja tragjike për jetën e qytetarëve në radhë të parë.

Presidenti i Republikës
Ilir Meta

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE